MENU
klinika

Skandali i sanitares

Spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ky akt i shëmtuar nuk mundet të njollosë punën tonë

13.01.2021 - 13:27

Spitali “Shefqet Ndroqi”, ka reaguar pas publikimit të skandalit se sanitarja e këtij spitali i kishte marrë vajzës së një pacienteje me Covid-19 rreth 8 milionë lekë (të vjetra) dhe nuk i kishte bërë shërbimin e duhur.

Në njoftimin zyrtar, spitali shkruan se ky akt i shëmtuar nuk mund të njollosë punën e bluzave të bardha. Sipas tyre, i gjithë personeli shëndetësor ndjehet tejet i lënduar nga kjo situatë.

“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi’”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Policia ka arrestuar ditën e sotme Tire Alldervishin, sanitare te Spitali “Shefqet Ndroqi”.

Ajo është vënë në pranga pas një denoncimi nga vajza e një ish-pacienteje te ky spital, që fatkeqësisht ka ndërruar jetë nga Covid-19.

Sipas vajzës së të ndjerës, Tirja i merrte asaj lekë duke u hequr si infermiere dhe ia shpërndante mjekëve dhe infermierëve të tjerë, por nuk i bënin shërbim pacientes. Ajo i kishte marrë 30-vjeçares rreth 8 milion lekë (të vjetra) për 28 ditë që nëna e saj kishte qenë e shtruar në spital.

Ndërkohë, nën hetim janë edhe 4 persona të tjerë në këtë spital të dyshuar për korrupsion.