MENU
klinika

Rregullat e reja për Tvsh-në që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari

Tatimet: Çregjistrim automatik për ata me xhiro deri 10 mln lekë

03.01.2021 - 18:56

Prej datës 1 janar 2021 kanë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore për fashën e tatimpaguesve, që kanë detyrim për të deklaruar dhe paguar TVSH-në. Ndërkohë që, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar në detaje ndryshimet ligjore të qeverisë dhe kategoritë e bizneseve që preken prej tyre. Kështu, në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, të gjithë tatimpaguesit ekzistues, të cilët për vitin 2020 kanë realizuar një qarkullim vjetor më të madh ose baraz me 10 milionë lekë, kanë detyrim për të deklaruar dhe paguar TVSH.

Kjo, pavarësisht faktit nëse tatimpaguesi është i regjistruar për Tatim mbi Fitimin apo Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin. Deklarimi dhe pagesa e TVSH-së do të jetë me bazë mujore dhe duhet të kryhet brenda datës 14 të muajit që pason periudhën e raportimit, ndërsa deklarimi i librave të Shitjes dhe Blerjes do të jetë mujor, me afat brenda datës 10 të muajit vijues përkatës. Për tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar qarkullim me të vogël se 10 milionë lekë për vitin e plotë kalendarik 2020, do të kryhet çregjistrimi automatik i përgjegjësisë tatimore për likujdimin e TVSH-së, me datë vlefshmërie 31.12.2020.

Megjithatë, janë disa kategori tatimpaguesisht, për të cilët nuk do të bëhet çregjistimi automatik. Këtu përfshihen tatimpaguesit, të cilët gjatë vitit 2020 kanë kryer të paktën një import si dhe tatimpaguesit që në datë 31.12.2020 rezultojnë me status pasiv. Çregjistrim automatik nuk do të bëhet edhe për ato biznese, që gjatë vitit 2020 kanë realizuar qarkullim vjetor 5 deri ne 10 milionë lekë dhe nuk kanë kryer asnjë import. Për këtë kategori tatimpaguesish do të zbatohet e drejta për rregjistrim të përgjegjësisë së TVSH, sipas deklarimit të tyre vullnetar, që do të kryehet online, në e-filing.

KATEGORITË QË NUK ÇREGJISTROHEN AUTOMATIKISHT NGA SKEMA E TVSH-SË

-Tatimpaguesit, të cilët gjatë vitit 2020 kanë kryer të paktën një import.

-Tatimpaguesit që në datë 31.12.2020 rezultojnë me status pasiv

-Tatimpaguesit, që gjatë vitit 2020 kanë realizuar qarkullim vjetor 5 deri ne 10 milionë lekë dhe nuk kanë kryer asnjë import.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN