Një automjet me të cilin lëvizte një 25-vjeçar është qëlluar me armë gjatë orëve të vona të së martës në Lezhë, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 minuta në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës, ndërsa objekt i sulmit me armë ishte shtetasi Eduart Pica, banues në këtë lagje.
Sipas të dhënave nga Policia, automjeti me targë “AA 262 UR”, me të cilin po lëvizte i riu, u qëllua një herë me armë zjarri pistoletë nga një person i cili u identifikua nga Policia disa orë pas ngjarjes.
Sipas uniformave blu, në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet E. Sh., banues në Lezhë, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti tip “Benz”, i cili është përdorur nga autori i dyshuar.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti që kanë pasur dy të rinjtë për motive të dobëta.
Ndërkohë, në drejtim të makinës së 25- vjeçarit është qëlluar kur i riu sapo i është afruar banesës ku jetonte në lagjen “Nënë Tereza”, ndërsa plumbi fatmirësisht nuk e preku atë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një gëzhojë në vendin e ngjarjes, si dhe po vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit që çoi deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Nga deklarimet që 25- vjeçari Pica ka dhënë në Komisariatin e Policisë, mësohet se me autorin ka pasur një konflikt pas një ndeshje futbolli që të rinjtë luajnë zakonisht në orët e vona të mbrëmjes. Gjithsesi, grupi hetimor po mbledh edhe dëshmi të tjera që mund të shërbejnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
HETIMET
Sipas burimeve nga Policia, pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja janë sekuestruar kamerat e sigurisë, në mënyrë që të identifikohen autorët apo makina me të cilën ata udhëtonin.
Nga shërbimet e DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Lezhë janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe vijon krehja e zonës me qellim kapjen e shtetasit E. Sh. dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Eduard Pica, 25-vjeçari i cili është qëlluar gjatë natës teksa ishte në makinën e tij në Lezhë, në 2017-ën është përfshirë në një aksident me pasojë vdekjen e dy personave. Ai u ndalua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por ka qenë gjyqtarja Enkelejda Hoxha ajo që i ka dhënë pafajësinë në 2018-ën.
AKSIDENTI ME DY VIKTIMA
Kujtojmë që Eduart Pica është ndaluar për aksidentin e ndodhur në vitin 2017 në Fushë-Krujë, ku si pasojë kanë humbur jetën 2 persona.
Makina ku udhëtonin 4 shokët është fërkuar me makinën e Picës dhe si pasojë, viktima që drejtonte automjetin ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafik-ndarësen në rrugë.
Për pasojë, atë kohë kanë ndërruar jetë në spital Roland Kacani, 28 vjeç nga Tirana, (shoferi i mjetit) dhe Altin Prendushi, 27 vjeç nga Lezha (i cili ndodhej në vend të parë pasagjer). Dy pasagjerët që ndodheshin në sediljen e pasme dhe që mbetën të plagosur janë: Eduard Lamaj, 27 vjeç, nga Laçi dhe Bledar Dauti, 31 vjeç, nga Tirana. E.H