Vaksina Novavax është e para që tregon se është efektive kundër variantit të ri të koronavirusit të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo ka rezultuar 89.3% efektive në provat e realizuara në Mbretërinë dhe në masën 60% edhe për variantin e Afrikës së Jugut.
Kryeministri Boris Johnson e ka cilësuar si një lajm shumë të mirë, ndërkohë që ndryshe nga vaksinat Pfizer dhe Moderna, vaksina e Novavax mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike, që do të thotë se mund të shpërndahet më lehtë. Stan Erck, shefi ekzekutiv i Novavax, tha se rezultatet nga eksperimenti në Mbretërinë e Bashkuar ishin “spektakolare” dhe “aq të mira sa mund të shpresonim”, ndërsa efikasiteti në Afrikën e Jugut ishte “mbi pritjet e njerëzve”.
Vaksina e Novavax jepet në dy doza dhe u tregua se ishte 89.3% efektive në parandalimin e Covid-19 tek pjesëmarrësit në provën klinike të Fazës 3 në Mbretërinë e Bashkuar. Në prova merrnin pjesë më shumë se 15,000 njerëz midis 18-84 vjeç, nga të cilët 27% ishin më të vjetër se 65 vjeç, deklaroi firma amerikane Novavax.
Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka siguruar 60 milion doza të vaksinës ndaj COVID-19. Dozat pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të këtij viti, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA).
Britania e Madhe ka miratuar tani tre vaksina të koronavirusit për përdorim urgjent – një nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca, një tjetër nga Pfizer dhe BioNTech dhe një i tretë nga firma mjekësore Moderna.
NOVAVAX ka gjithashtu një kontratë më COVAX, duke krijuar një mundësi më shumë për shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të cilët nuk kanë pas ende mundësi të fillojnë vaksinimin për shkak të mungesës të dozave.