Nga Veton Surroi
1- E pashë tek një mik bullgar një statistikë lidhur me vaksinimin kundër COVID-it në nivel evropian. Në krye të listës ishte Britania e Madhe, e cila po vazhdoi me këtë ritëm vaksinimi, do të mbërrijë “imunitetin e tufës” (të 70 për qind të popullatës së vaksinuar) në gusht të këtij viti. Në fund të listës ishte Bullgaria, e cila po vazhdoi me këtë ritëm vaksinimi, do ta mbërrijë imunitetin e tufës (me 70 për qind të popullatës së vaksinuar) më 2040.
Bullgarët mund të qajnë dhe qeshin njëkohësisht. Krahasuar me britanikët, janë për vajtim. Krahasuar me shqiptarët, duhet të jenë të lumtur. Në Shqipëri qe lajmi i ditës vaksinimi i nja dyqind punëtorëve shëndetësorë, numër që do të rritet me dhjetëra a qindra, por jo në formë dramatike gjatë ditëve në vijim. Në Kosovë nuk ka lajm të ditës lidhur me vaksinën; ka zgjedhje, dhe në zgjedhje vaksina është në listën e premtimeve zgjedhore, së bashku me asfaltin, vendet e punës dhe çdo gjë tjetër që duhet ta bëjë këtë vend Zvicër. Për shqiptarët, viti 2040 i bullgarëve duhet të duket shumë afër.
Dhe ky është lajmi i vetëm i mirë për bullgarët. Lajmi i keq për bullgarët dhe për çdo person tjetër në planet është se në muajin e parë që nga aprovimi i vaksinave janë shpërndarë, sipas Këshillit për Politikë të Jashtme (CFR) në New York, pesëdhjetë milionë vaksina, shumë larg nevojave të një bote tetëmiliardëshe. Dhe ilustrues për një konstatim të thjeshtë: se nuk ekziston një përgjigje botërore ndaj një sfide botërore çfarë është pandemia.
2.
Ky lajm i keq tashmë është pjesë e vogël, por e rëndësishme e një përshtypjeje kolektive që ka mundësi të shndërrohet shpejt në një konstatim analitik, e ai është se përkundër shpresave dhe paralajmërimeve kriza COVID-19 do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2021, madje gjatë tërë vitit, dhe madje me mundësi të mirë që të bartet më 2022. Kështu, do t’i ngjasonte “gripit spanjoll” i cili filloi më 1918 dhe përfundoi si pandemi më 1920.
Dhe ky konstatim është i vlefshëm për çdo shtet veç e veç, aq sa për tërësinë e globit. Të ballafaquar me valën e ardhshme të infektimeve, në çdo shtet hyn përllogaritja se si të minimizohen kostoja e shëndetit dhe ato ekonomike e sociale nëpërmjet kufizimit të komunikimeve fizike. Për shtetet e forta si Gjermania, kjo do të duket edhe si mbyllje deri në Pashkë. Për shtete të dobëta si Shqipëria e Kosova, kjo do të thotë që pushtetet që dalin nga zgjedhjet përnjëherë ndeshen me realitetin e impaktit të krizës COVID që i sulmon shqiptarët në varfërinë dhe brishtësinë institucionale më shumë se popujt e tjerë evropianë – do shpjeguar popullatës se pandemia zgjat deri në fund të vitit.
Por barra nuk u bie vetëm të varfërve, shqiptarëve në Evropë apo kombeve të tjera në Afrikë, Azi e Amerikë Latine. Sipas studimit të NBER-it (Byroja Kombëtare për Kërkime Ekonomike) në SHBA, edhe nëse të gjitha vendet e pasura vaksinohen gjatë këtij viti, 49 për qind e kostos në rënien e prodhimit në botë gjatë këtij viti do t’u bjerë në shpinë shteteve të pasura. Pjesën tjetër do ta bartin të varfrit, me para , jetë njerëzish dhe institucione të dëmtuara.
3.
Vaksina anti-COVID është sot kut i rëndësishëm për matjen e performancës së shteteve. Dy shtete që sot prijnë në vaksinim në botë gjenden në Lindjen e Mesme. Izraeli tashmë ka vaksinuar 44.9 banorë nga 100, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe 26 nga 100. Që të dyja shtetet kanë pothuajse popullsi të njëjtë nëntëmilionëshe dhe kanë shumë dallime në stabilitet politik, sistem demokracie e të tjera. Por janë shtete me një sistem shëndetësor të centralizuar publik dhe me kapacitet të lartë informatik. Që të dyja synojnë të arrijnë imunitetin e tufës mundësisht në mars dhe kështu arrijnë jo vetëm titullin e të parit në nivel botëror, por edhe indikatorin më të lartë të shëndetit kolektiv, që sot bëhet kuti matës i efikasitetit të shtetit.
Nuk është rastësi kjo e Izraelit dhe e UAE-së, ka në të edhe gjeopolitikë. Izraeli është një shtet i avancuar teknologjikisht, shkencërisht dhe ushtarakisht, i cili është ndërtuar dhe po ndërtohet në fërkim a konflikt me pothuajse të gjithë fqinjët e vet, dhe dalja si vend i parë me imunitet të fituar nga vaksina tregon forcën organizative të shtetit dhe vitalitetin e shoqërisë. UAE-ja është një mrekulli transformative ekonomike, urbanistike dhe logjistike jo vetëm mes arabëve, por në nivel botëror. Dalja në krye të listës tregon jo vetëm forcën e këtij shteti, por edhe njohjen si pikë e rëndësishme gjeopolitike: nga depot e këtij vendi mund të bëhet shpërndarja e vaksinave dhe e pajisjeve mjekësore në të gjitha drejtimet, Lindje e Perëndim, Veri e Jug.
Dhe, në këtë garë për prestigj të efikasitetit dhe gjeopolitikës papritmas u gjendën Kosova dhe Serbia. Serbia gjatë këtij janari arriti të renditet në top-dhjetëshen botërore për nga numri i të vaksinuarve, ndërsa në nivel evropian gjendet në vend të katërt, pas Britanisë së Madhe, Maltës dhe Islandës. Kosova as që kualifikohet në këtë garë, ngase nuk ka arritur asnjë vaksinë, qoftë edhe ashtu si jemi mësuar – si donacion.
Dallimi mes dy vendeve –në organizim, në sistem e demokraci- mund të matet lehtë me deklarimet e të dy prijësve të tyre. Si në çështje të tjera, ashtu edhe për çështjen e vaksinave COVID në Serbi flet presidenti i vendit, ndonëse kjo nuk është kompetencë e tij. Dhe shpjegon me saktësi se sa vaksina janë blerë, kur kanë mbërritur dhe mbërrijnë, sa njerëz janë vaksinuar, në cilat komuna dhe me cilën preferencë vaksine-“Pfizer”, “Sputnjik-V” apo “Sinovac” (kineze). Nga pozita e kreut të një sistemi krejtësisht të centralizuar, nuk do të ishte habi që në deklarimet e presidentit të Serbisë të jepeshin edhe numri i letërnjoftimit dhe data e lindjes e secilit të vaksinuar.
Përballë tij janë deklarimet e kryeministrit të Kosovës, i cili për vaksina flet me konkretësinë e premtimit parazgjedhor, ngjashëm me mjegullën e një programi ekonomik të gjashtë vjetëve të ardhshëm, ku premton se do të investohen shtatë miliardë euro. Kur pyetet se sa vaksina janë porositur, thotë se nuk e di saktësisht, por thotë se “i kemi ndarë katërdhjetë milionë euro për vaksina”. Kur pyetet se kur do të vijnë, thotë në mars, e kur pyetet edhe një herë se a në mars, thotë “po, po, fillojnë të vijnë në mars”. Në një jetë politike ku njëri skandal mbulon atë të ditës së kaluar, harrohet po ashtu se janë porositur edhe disa vaksina “nga Austria”, të cilat ende nuk e kanë marrë pëlqimin për përdorim.
4.
Serbia si lidere në Evropë?
Presidenti serb dëshiron që ky të jetë mesazhi që depërton, dhe për këtë pa dyshim se ka meritë në punën dhe vullnetin e investuar, tashmë në krye të një shteti që nuk ka as opozitë parlamentare.
Por mesazhi është i gabuar nëse nuk merret parasysh një lëvizje e madhe strategjike nga një fuqi prej nga filloi pandemia dhe prej nga tash arrijnë vaksinat, Kina. Serbia ka blerë, me çmim preferencial, një milion doza të vaksinës “Sinovac”, të cilat janë shpërndarë menjëherë në një sistem të mirë e funksional shëndetësor. Vaksinat kineze, së bashku me ato “Pfizer” dhe “Sputnjik-V”, që u ngut nga të parat t’i blejë, e kanë shndërruar Serbinë në njërin prej shteteve lidere evropiane e në nivel botëror për nga vaksinimi.
Dhe, ky ka qenë qëllimi evident diplomatik i Kinës, të tregojë se mund ta anojë peshoren politike globale kah vetja. Kina ka evidencuar edhe disa shtete të tjera me rëndësi gjeopolitike ku do ta dërgojë vaksinën e vet. Egjipti është njëri prej shteteve që së bashku me vaksinën kineze do të marrë edhe një iniciativë politike që të vihet më afër ndikimit ekonomik e politik kinez. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Ukrainë, ku Kina me vaksina u tregon Rusisë, BE-së dhe SHBA-së se mund të depërtojë në një hapësirë ku deri më dje ka pasur fërkim gjeopolitik mes tyre.
Tashmë topi është në fushën e Perëndimit, në atë botë ku supozohet se përkasin shqiptarët. Sfida e hedhur asaj bote është të dëshmojë se do ta mbulojë me vaksinë tërë atë botë që pretendon ta mbulojë me influencë politikisht. Në atë botë që pretendon është vija ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë, që tash është vijë ndarëse mes një vendi (pretendues për Perëndim) pa vaksinë dhe një vendi (që e do edhe Perëndimin, Rusinë e Kinën) që bëhet lider në vaksinim: kjo është sfidë gjeopolitike.