MENU
klinika

Pritet pezullimi i fluturimeve me Beogradin

Virusi “anglez” mbërrin në Serbi!

25.01.2021 - 10:18

Virusi “anglez” mbërrin në Serbi. Përmes një deklarate për mediat, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se varianti i ri u zbulua te një shtetas i Serbisë, i cili kishte mbërritur në Beograd nga Londra.

Por sipas tij, nuk ka vend për panik për shkak se të gjitha kontaktet me të cilat ka qenë udhëtari nga Londra janë izoluar.

Por pavarësisht kësaj, nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritet vendase. Linjat ajrore me Beogradin vijojnë të jenë të hapura, duke rritur rrezikun e mbërritjes së virusit “anglez” edhe në vendin tonë.

Fluturimi i fundit Beograd-Tiranë ka qenë dje. Prej fillimit të këtij muaji vendi ynë ka pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe, ndërsa sipas autoriteteve, në vendin tonë deri më tani nuk është identifikuar asnjë i prekur me virusin “anglez”.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të premten se varianti i ri i koronavirusit është më vdekjeprurës dhe se të infektuarit me mutacionin e ri janë të grupmoshave të ndryshme. “Ekziston pasiguri rreth numrave, por duket se ka një rritje të vdekshmërisë, si dhe të transmetueshmërisë”, tha Jonson.

Referuar BBC, mutacioni i ri i COVID-19 është 30% më vdekjeprurës se sa varianti i vjetër. Pikëpyetje të shumta ka mbi faktin nëse vaksinat e reja janë në gjendje të luftojnë variantet e reja të koronavirusit. Duke qenë se nuk ka asgjë të provuar deri më tani, shtetet po nxitojnë për kryerjen e vaksinës.

Serbia është ndër vendet e para në Europë që ka nisur vaksinimin e popullatës me vaksinën “Pfizer”. Por Presidenti Vuçiç tha dje se do të marrë vaksinën kineze, por duke iu lënë radhë të moshuarve dhe atyre që vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese. “A ka kuptim për mua të vaksinohem? Në fund të fundit unë jam shumë më i ri dhe nuk jam aq i sëmurë, të jem në 500,000 të parët, kur e di që ka më të rrezikuar se unë”, tha Vuçiç