MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 13

Vllaznia e nis më së miri, shkëputet në krye

08.01.2021 - 19:58

Vllaznia e nis mirë edhe vitin 2021. Skuadra shkodrane fitoi 1-0 ndaj Teutës. Një fitore minimale, por me shumë vlerë pasi u mor ndaj një rivali direkt. Në ndeshjen e luajtur në Shkodër, kuqeblutë dominuan totalisht, sidomos në 45 minutat e para, ku portieri dhe shtylla u mohuan golin vendasve.

Edhe pse në një terren të rënduar, Vllaznia nuk e ndal edhe në të dytën, për të arritur në minutën e 59-të, kur Ardit Hoxhaj, pasi shmang edhe portierin, shënon golin e avantazhit. Protesta nga ekipi mik, por goli akordohet. Ky gol ndezi edhe më shumë ndeshjen, me durrsakët që nuk kishin çfarë të humbnin.

Situata kthehet në favor të Teutës në minutën e 70-të. Ka tension në fushë pas një ndërhyrje të rëndë të Hoxhajt ndaj Pjeshkës. Shkodranët më kot protestojnë, pasi Cjapi i tregon të kuqin sulmuesit dhe Vllaznia në 20 minutat e fundit luajti me 10 lojtarë.

Pavarësisht se trajneri Martini në fund aktivizoi 4 sulmues, nuk arriti të gjejë golin e barazimit. Madje është Vllaznia që mund të kishte ndëshkuar në dy kundërsulme. Gjithsesi, shkodranët ia dalin të marrin maksimumin edhe nga kjo ndeshje, duke mbajtur kreun e renditjes, tashmë me 9 pikë para, pikërisht ndaj Teutës së vendit të dytë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN