MENU
klinika

Igli Tola, Profesor Ekonomie - Universiteti i Tiranës

Votohet në 25 Prill!

15.01.2021 - 18:19

Tamburet e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti filluan të ‘buçasin’, së bashku me makineritë elektorale të partive që po ‘ziejnë’ prej kohësh tashmë. Angazhim maksimal nga strukturat dhe baza kërkohet nga drejtuesit, sepse si rrallë herë këtë 25 Prill rezultati pritet të jetë tejet i ngushtë dhe kësisoj një ‘grusht’ votash mund të bëjnë diferencën.

Ama, në gjithë këtë ‘zallamahi’ vetëm një çështje nuk ngrihet. Dakort që po vijnë zgjedhjet, po kush do të votojë xhanëm???

Jemi vendi i vetëm në Europë, ku së paku 57% e popullsisë është në emigrim. Për një popullsi totale prej 2.8 milion banorësh, kemi në emigrim 1.7 milion shqiptarë (sipas B.B). Çdo ditë e më shumë dukshëm po ‘zbrazet’ vendi, saqë ka filluar të qarkullojë barcaleta “Ia arritëm ditës të kemi më shumë deputet e ministra se banorë”. Një barcaletë që mundohet të përcjelli me humor, realitetin e dhimbshëm që ka prekur çdo familje tonën, e ku gjen vlerë shprehja ‘shakaja gjysma e së vërtetës’, pasi Departamenti i Popullsisë, në OKB na thotë se sipas një prognoze në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë nën 860.000 banorë

Prej kohësh, Shqipëria është cilësuar një shtet migrues, fenomen i shfaqur sidomos në fillim vitet ’90 pas rënies së komunizmit, por fatkeqësisht ritmi i ‘braktisjes’ së vendit u multiplikua këto vitet e fundit. Arriti një moment, që kushdo përpiqej të largohej nga Shqipëria, kush duke aplikuar për azil, të tjerë me kontratë pune në ndonjë nga vendet e BE-së, shumë të rinj me kamion drejt Britanisë e të tjerë për studime.

Pak rëndësi kishte kostoja dhe sakrifica e ndërmarrë, mjaftonte vetëm të largoheshin nga Shqipëria. Fakt që e dëshmojnë statistikat e Eurostat. Sipas tyre, rekord ishte viti 2015 ku më shumë se 68.000 shqiptarë aplikuan për azil ekonomik. Për ta kuptuar më mirë përmasën e këtij shpopullimi, imagjino sikur vetëm në 2015 një qark i tërë si Gjirokastra të ‘zbrazej’ dhe ne të mos kishim më 12 qarqe, po vetëm 11. (sipas INSTAT popullsia e qarkut Gjirokastër në 2019 ishte rreth 61.000 banorë). E ritmi i azilkërkimit vijon të jetë mesatarisht rreth 30.000 qytetarë për çdo vit që nga 2015. Në këto mijëra shqiptarë, dihet që predominojnë qytetarët që i përkasin grupmoshave aktive për punë, 18-34 vjeç, e madje të shumtë janë edhe fëmijë minorenë.

Arsyet e largimit nga Shqipëria, sidomos të të rinjve janë nga të larmishme, si standarti mjeran i jetesës për maxhorancën e shqiptarëve, papunësia e lartë, niveli i ulët i pagave etj . Ama, dihet se ‘plaga’ e çdo ‘plage’ sociale është varfëria. Po nga EUROSTAT në 2018, pohohet se mesatarisht të ardhurat mujore të familjeve shqiptare ishin 104 euro për muaj, shifra më e ulët në Rajon.

Maqedonia, fqinji ynë lindor figuron në nivelin 140 euro/muaj (38% më shumë se ne), ndërsa Mali i Zi me 189 euro/muaj (80% më shumë se ne). Akoma më bindës bëhet shqetësimi, kur B.B në Tetorin e 2020 deklaronte se numri i shqiptarët që jetonin me më pas se 5,5 $ ishte rritur me 41.5 %, dyfish në raport me vendet e tjera të Rajonit. E të mendosh se kaq të holla të zgjedhurve ‘me votë’ dhe familjarëve të tyre nuk u dalin as për kafen e mëngjesit në lokalet më vanitoze të Bllokut, mos flasim pastaj për drekat, shooping-un në Milano apo pushimet në Dubai.

Varfëria është e lidhur ngushtësisht me punësimin, sepse ajo mbetet burimi kryesor i të ardhurave për familjen e thjeshtë shqiptare; që nuk ka biznese të financuara nga para të dyshimta, kasaforta të tejmbushura nga ‘zarfet’ e fryra të korrupsionit e mitmarrjes, llogari me shumë zero në “off-shore” etj. Gupmosha më vitale dhe aktive, 15-29 vjeç na rezulton sipas INSTAT me nivel papunësie sa dyfishi i nivelit të popullsisë së kategorive të tjera moshore. Duke e nxitur me të drejtë këtë fashë popullsie, por më tej edhe gjithë shoqërinë të ndihen të braktisur dhe pavlerësuar.
Shpresa iu ‘vra’, sa nga varfëria, po aq edhe nga indiferenca, intimidimi dhe tallja me hallet e ‘plebenjve’. Kjo është për ta kafshata moderne që nuk kapërdihet dot. Realiteti migjenian që ndeshin shqiptarët e i detyron pa ekuivok të largohen bëhet më i padurueshëm nga iracionaliteti social. Iracionalitet që zë fill nga despotizmi, centralizimi dhe arroganca e pushtetit, mungesa e të ndjerit të përfaqësuar; shprehur në mënyrë konçize ‘fenomeni Vet Ali – Vet Kadi’ që ndër vite ka prodhuar një kastë të shkëputur nga realiteti i qytetarëve

Të zhgënjyerit, lodhurit e demoralizuarit shtohen dita-ditës në rradhët e atyre që largohen, ose po planifikojnë largimin ndërsa të pasurit dhe pushtetarët e vendit shtojnë pasurinë. I gjithë ky proces duke u zhvilluar dinamikisht në kondicionet e mungesës së ‘kavos’ sociale – shtresës së mesme, e bën ritmin dhe pasojat e shpopullimit të jenë katastrofike.

Dalja nga ky ‘udhëkryq’ i rrezikshëm ku është zhytyr shoqëria duket shumë i vështirë, sidomos kur sheh një mungesë vullneti nga liderët për të adresuar si duhet problemin dhe punuar mbi zgjidhjet e mundshme. Deri më sot, fatkeqësisht vetëm retorikë është prodhuar.

Duhet strategji për të vlerësuar vërtetësisht gjendjen socio-ekonomike në vend, e mbi rezultatet e gjetura më pas të ndërtohen politika për ta ndaluar këtë ’emoragji’ sociale. Ndërkohë, përmirësimi i klimës së të bërit biznes, shoqëruar me politika që nxisin rritjen e produktivitetittë punës dhe të pagave, do të absorbonin fuqinë e lirë punëtore dhe njëkohësisht fasilitonin frenimin e emigracionit ekonomik.

Ndërkohë, nqs stopimi i ‘largimit të trurit’ do shihet në optikën e interesit primar kombëtar, duhet synuar çlirimi i tregut nga monopolet e konçensionet abuziviste, që kështu ekonomia të fillojë të respirojë (marr frymë) lirisht; me taksa të ulëta që stimulojnë punën, investime në ‘start up’ dhe teknologji.
Ekonomia është e rëndësishme, po edhe arsimimi dhe racionaliteti social duhen riparë. Më shumë mundësi për tu arsimuar, e ata që arsimohen më shumë mundësi për tu punësuar; kështu do të mund ta përmblidhnim atë që bazikisht kërkojnë të rinjtë minimalisht tu ofrohet. Shembujve të promovimit të personave me rekorde kriminale, e linçimit të të mirëshkolluarve dhe profesionistëve, vetëm e vetëm se nuk janë fëmijët, familjarët apo miqtë e X ministri, drejtori, oligarku apo ‘të forti’; sa më shpejt tu jepet fund do të bëjnë që shqiptarëve tu rikthehet shpresa se situata do të ndryshojë.

Si përfundim, diçka dihet me siguri: zgjedhjet do të mbahen këtë vit edhe pas 2,4,6 … vitesh; edhe po s’pati shqiptarë për të votuar. Po fundja, me rëndësi të kemi deputetë, kryeministra e ministra se gjërat e tjera zgjidhen. Madje kështu, do të kemi një temë debati tjetër, jo më kur iku gjermani i fundit, por kur iku shqiptari i fundit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ta çojmë deri në fund atë që nisëm në Dhjetor..."

Epilogu i protestës studentore…