Ndërsa mllefi ka përfshirë Bashkimin Europian për vonesat lidhur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, Serbia ka ecur shpejt dhe ka arritur shkallën më të lartë të vaksinimit për frymë në Europën kontinentale, shkruan Valerie Hopkins për ”Financial Times”.
”Por, vendi ballkanik, një kandidat për anëtarësim në bllok, nuk po përdor vaksinat e prodhuara në Perëndim. Në vend të kësaj, Serbia i është drejtuar kompanisë kineze ”Sinopharm” duke u bërë vendi i parë europian që përdor vaksinat e saj dhe fqinjët e saj do të ndjekin shembullin e Beogradit.
“Bota ka goditur një ajsberg, si ”Titanik”-u, dhe të pasurit dhe ata më të pasurit vetëm sa po ruajnë veten dhe të dashurit e tyre”, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç javën e kaluar duke justifikuar vendimin e tij për të blerë vaksina kineze dhe ruse, ndërsa negocionte gjithashtu edhe kontratat e miratuara nga BE-ja.
“Ne jemi duke u mbytur së bashku me ‘Titanik’-un. Unë nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre, por thjesht kjo gjë nuk është e rëndësishme për ta”, theksoi ai.
Megjithëse BE u ka siguruar 70 milionë euro gjashtë anëtarëve aspirantë ballkanikë për të blerë vaksinat, problemet e prokurimit në Europë do të thotë që katër prej tyre ende nuk kanë marrë vaksina, edhe muaj të tërë pasi vaksinimi filloi në vendet e tjera.
Të irrituar, disa prej tyre tani po shikojnë drejt Lindjes, nga Rusia dhe Kina për të siguruar furnizime.
Disa zyrtarë paralajmërojnë se kjo gjë mund të dëmtojë gjithashtu besueshmërinë e BE-së në rajon.
“Dikush mund ta përdorë këtë situatë dhe të thotë se në kohë të vështira janë Kina dhe Rusia ato që ndihmojnë, ndërsa qeveritë perëndimore po dështojnë”, tha një zyrtar në Maqedoninë e Veriut.
Ndryshe nga shumica e udhëheqësve rajonalë, presidenti i Serbisë ka ndjekur marrëdhënie të ngushta me Pekinin dhe Moskën, paralelisht me procesin e pranimit të Serbisë në BE, të cilat nuk e kanë kënaqur Brukselin dhe Uashingtonin.
Serbia, një vend me shtatë milionë banorë, ka marrë më shumë se një milion doza dhe Vuçiç tha të shtunën se një milion të tjera do të mbërrinin para fillimit të marsit.
Qasja e Beogradit po tërheq edhe vende të tjera në rajon, që kishin besuar në planin e shpërndarjes së BE.
Ata nuk prisnin të merrnin vaksina në të njëjtën kohë me vendet anëtare të BE-së, por ata prisnin një lloj afati, mbërritjen e tyre dhe tani ndjehen sikur po braktisen.
Kosova fqinje dhe Bosnje-Hercegovina, si dhe aleatët e NATO-s, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk kanë marrë ende një dozë të vetme.
Zyrtarët në Shkup dhe Podgoricë njoftuan javën e kaluar se do të blinin vaksina nga Rusia dhe Kina.
“Ne donim vaksina perëndimore për të treguar se ku bëjmë pjesë si vend dhe fillimisht përjashtuam mundësinë e negociatave me rusët dhe kinezët”, i tha zyrtari nga Maqedonia e Veriut ”Financial Times”.
Por, ai shtoi se qeveria e tij e kishte gjithnjë e më të vështirë të justifikonte vonesat.
“Meqenëse vende të tjera në Europë si Hungaria po marrin vaksinën ‘Sinopharm’, do të ishte e vështirë t’u shpjegohej njerëzve pse po presim për ‘Pfizer’-in, ‘Moderna’-n dhe ‘AstraZeneca’-n”, tha ai, duke iu referuar tre kompanive që prodhojnë vaksina të miratuara nga BE.
Ministrja e Shëndetësisë e Malit të Zi, Jelena Boroviniç Bojoviç tha se përveç një kontrate të nënshkruar kohët e fundit për 150 000 vaksina kineze, ajo do të kërkonte edhe 50 000 doza të vaksinës ‘Sputnik’ të Rusisë.
Qeveria boshnjake tha në mes të janarit se do të fillonte negociatat me Moskën, Pekinin dhe ‘Pfizer’-in.
Dy vendet kishin pritur furnizimet e premtuara nga Covax, aleanca e vaksinave shumëpalëshe, që ende nuk kanë mbërritur.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama thotë se ”Nuk është se Bashkimi Europian është në formën e tij më të mirë dhe se ai po na kthen shpinën. Është një rrëmujë e tërë… Dëmi që ai po i bën vetes është i pabesueshëm”.
BE e kishte përjashtuar Ballkanin nga një ndalim i ri i eksporteve të vaksinave në vendet joanëtare.
”Por, paaftësia e bllokut për të dërguar edhe doza simbolike për anëtarët e tij aspirantë i zhgënjeu ata”, sipas Adi Cerimagiç, një analist në Iniciativën Europiane të Stabilitetit.
“Ata nuk prisnin ta merrnin (vaksinën) në të njëjtën kohë me vendet anëtare të BE-së, por ata prisnin një lloj afati, mbërritjen e tyre dhe tani ndjehen sikur po braktisen”, tha ai.
Sidoqoftë, mosbesimi historik ndaj Kinës dhe Rusisë në Shqipëri sërish fiton mbi zhgënjimin ndaj Europës.
Tri dekada më parë, Shqipëria ishte një prej diktaturave më të egra të Europës, që për shumë vite ishte mbështetur nga Pekini.
Kryeministri Rama tha se do ta shmangë marrjen e vaksinave ruse apo kineze për shkak të hijeve të dyshimit.
Por, zoti Rama thotë se ishte i zhgënjyer që vendi i tij, që u bashkua me NATO-n në 2009, nuk kishte marrë as doza simbolike përmes mekanizmave të BE-së.
Shqipëria filloi vaksinimin e punonjësve shëndetësorë me 970 vaksina nga BioNTech/Pfizer, të dhuruara nga një vend europian.
“Kur erdhi puna për vaksinën, u surprizova shumë keq”, i tha Rama ”Financial Times” në një intervistë.
”Nuk është se Bashkimi Europian është në formën e tij më të mirë dhe se ai po na kthen shpinën. Është një rrëmujë e tërë… Dëmi që ai po i bën vetes është i pabesueshëm”, thotë ai.