MENU
klinika

Triumfi bavarez

Bayern “turpëron” sërish Barçën, 8-2 në skenë

02.02.2021 - 18:49

Gushtin e kaluar u shënua një nga fitoret më të bujshme të historisë së futbollit, në kompeticionin e Champions League. Bayern Munchen mposhti 8-2 Barcelonën dhe në fund gjermanët triumfuan me fitimin e trofeut.

Ky sukses në çerekfinale të edicionit të fundit të Champions, do të sillet ndryshe në televizion. Siç njoftoi ekipi gjerman dhe platforma online e filmave dhe serialeve “Amazon Prime Video”, do të dalë një dokumentar, që tregon anën më intime të kampionit të Bundesligës, në të cilin theks i veçantë do t’i vendoset pushtimit të Ligës së Kampionëve.

Kamerat kapën gjithçka që ndodhi gjatë fazës finale në Lisbonë, ato u futën në dhomën e zhveshjes së bavarezëve dhe tregojnë sekretet që çuan ekipin e Hansi Flick të regjistrojë një nga toret më të mëdha në historinë e tij, ose e thënë ndryshe, t’i shkaktojë Barcelonës një nga humbjet më të dhimbshme.

“Kamerat ndjekin nga afër ekipin e Hansi Flick dhe i dërgojnë tifozët në zemër të Bayernit. Sukseset historike të sezonit të kaluar: fitimi i tripletës, i Superkupës Gjermane dhe Europiane, si dhe Botërori për Klube janë pjesë e këtij dokumentari,” – shpjegon Bayerni në faqen e vet të internetit, ku gjithashtu njoftoi kohën kur mund të shihet dokumentari.

Dokumentari, i cili do të transmetohet ekskluzivisht në “Amazon Prime Video” në vjeshtë, i afron njerëzit më pranë asaj që qëndron prapa historisë së kampionit rekord gjerman, që e ka dalluar Bayernin përgjithmonë dhe do të vazhdojë ta bëjë atë në të ardhmen.

Anekdota të tilla si lotët e Karl-Heinz Rummenigge, kur takoi Thiago në garazhin e qendrës sportive, pasi spanjolli nënshkroi për Liverpool, negociatat midis klubit dhe David Alaba, si dhe kthimi i Uli Hoeness në presidencën e Bayernit, pas vuajtjes së dënimit për evazion fiskal, janë pjesë e historisë më të re të klubit bavarez.

“Në një kohë kur koronavirusi po na detyron të distancohemi, ky dokumentar është një mundësi e shkëlqyeshme për tifozët tanë, që të shohin nga afër atë që po ndodh në ekipin tonë dhe në klubin tonë”, – shpjegon Karl-Heinz Rummenigge.