Behar Sofia, Behar Seferi dhe Fatmir Sofia, ishin emrat e një personi të vetëm, i njohur si një nga personazhet më të fuqishme, nga ata që dalin rrallë në skenë dhe nuk etiketohen publikisht si “i fortë”.
Ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë e të dëgjojmë për shumë të tjerë që janë përfolur pafundësisht si “të fortët” e botës së krimit, por që në fakt, në “peshoren” e kësaj kategorie, kanë qenë më të lehtë se ai, Sofia ka qëndruar gjithmonë në prapaskenë.
Emri i 66-vjeçarit nga Berati, që u ekzekutua dje në mes të Tiranës ka dalë në skenë vetëm për dy ngjarje. Në njërën nga mediat turke, në vitin 1998, me emrin Fatmir Sofia dhe në tjetrën në vitin 2009, por që në fakt edhe Policia edhe media u kujdes që të mos e përmendë me emër.
Pozitat e tij vit pas viti vetëm sa forcoheshin, qoftë si biznesmen, qoftë si një nga personazhet më të rëndësishëm që drejtonte trafikun e heroinës. Lëkundjet e para nisën disa kohë më parë, kur ai u bë objekt i disa atentateve, që deri dje kishin dështuar. Ish-ushtaraku, me lidhje të forta në Polici, baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, kishte vendosur që të banonte në një pallat në një prej zonave, që supozohej të ishte më e sigurta në kryeqytet, pikërisht për shkak të atentateve.
ARRESTIMI NE TURQI
Më 2 shtator të vitit 1998, nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, gjatë një operacioni, pas kryerjes së hetimeve proaktive dymujore, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë. Gjatë këtij operacioni u arrestuan 4 shtetas shqiptarë dhe 3 shtetas turq.
“Pas informacionit të datës 29.07.1998 dhënë më parë në sektorin tonë nga informatori X, Abdulseman Turgut nga Hakkari, me një shtetas me kombësi shqiptare me emrin Ismail dhe në zonën e Bakorkoy në kompaninë LUNA me një person me emrin Kazim merren me trafik lëndësh narkotike me jashtë.
Nga kërkimet e zhvilluara nga ana jonë rezultoi se shtetasi me kombësi shqiptare me emrin Ismail banonte në zonën e Bakorkoy në qytezën e Zuhurat Baba në lagjen Akkatlar rr.42/1 dhe ishte shtetasi Ismail Çira”, thuhet në raportin e Policisë Turke për nisjen e hetimeve për këtë linjë të trafikut të drogës. Mediat turke, që raportonin lajmin në atë kohë, shpreheshin se Ismail Çira ishte një ish-futbollist i ekipit të Fenerbahçes.
“’Unë u përfshiva në biznesin e drogës, sepse gjendja ime financiare u përkeqësua’, ishte shprehur Çira në atë kohë para Gjykatës, ku ishin edhe bashkëpunëtorët e tij, mes të cilëve edhe Fatmir Sofia (Behar Sofia). Çira, i cili e la futbollin pasi luajti në Fenerbahçen në vitin 1991 dhe më pas në Istanbulspor dhe Sarýyerspor, tha në dëshminë e tij se ai hyri në biznesin e drogës në Bullgari në 1996.
‘Kjo është arsyeja pse unë u arrestova’, tha ai. Çira shpjegoi se ai u kap në Stacionin e Autobusëve Esenler ndërsa po përpiqej të dërgonte 30 kilogramë heroinë. Në seancën dëgjimore, kur të pandehurit e tjerë refuzuan të flasin, u vendos që të vazhdohet paraburgimi për të gjithë të pandehurit përveç Fatmir Sofisë dhe seanca u shty për një datë të mëvonshme”, shkruante në vitin 1998 një gazetë turke.
MASAKRA E DURRESIT
Behar Sofia, ndonëse emri i tij nuk doli në skenë, as në formë zyrtare dhe as kofidenciale, ishte konsideruar në vitin 2009 si dëshmitari kryesor në masakrën e 7 gushtit, kur u vranë 4 oficerët e Policisë nga Dritan Dajti. Automjeti tip “Benz”, me targë TR 1638 S, që ndodhej i parkuar paralelisht me makinën e Dritan Dajtit ditën e ngjarjes, rezultoi të ishte pikërisht i biznesmenit Sofia.
Fillimisht, burimet thanë në atë kohë se bëhej fjalë për një mik të Dajtit, por më vonë u konsiderua se mund të ishte edhe armik i tij. “Personi i katërt që ka marrë pjesë në masakrën e 7 gushtit, ku u vranë 4 oficerë policie, nuk ndodhej në makinë me Dritan Dajtin, por ishte duke e pritur vetëm disa metra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Ky është përfundimi, në të cilin kanë arritur pas një javë hetimesh intensive, prokurorët e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se personi ‘misterioz’, i cili ende nuk është identifikuar nga Policia, i ka dalë në mbrojtje Dajtit, duke qëlluar 5 herë me pistoletë në drejtim të policëve, por nuk ndodhej me të në makinë.
Madje përveçse kaq, ka dyshime të forta se ky njeri, jo vetëm është miku i Dritan Dajtit, por është person i skeduar nga Policia dhe mjaft i rrezikshëm, me një veprimtari kriminale në mbështetje të mikut të tij, por edhe personale. Burimet sqaruan se pas krahasimit të gjurmëve të fiksuara në vendin e ngjarjes, është provuar se miku i katërt i Dritan Dajtit, ka qenë duke e pritur atë në godinën 6-katëshe ku strehohej i shumëkërkuari”.
Ky është një pjesë e shkrimit të botuar në gazetën “Panorama”, në numrin e datës 15 gusht 2009. Ndërsa në numrin e datës 17 gusht të po atij viti, Policia dha një tjetër version rreth këtij personi, gjithnjë pa e përmendur me emër. “Personi, i cili qëlloi pesë herë me pistoletë nga kati i dytë i ndërtesës ku strehohej Dajti, dyshohet se mund të jetë edhe armik i tij.
Këto dyshime janë ngritur kur në Laboratorin e Kriminalistikës kanë shkuar për t’u ekzaminuar gjurmën që janë gjetur në katin e dytë të godinës 6-katëshe. Pas matjeve dhe krahasimeve që janë bërë në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë arritur në përfundimin se personi i katërt që ende nuk është identifikuar nga Policia, ka qëlluar me pistoletë 5 herë nga një lartësi e caktuar, që sipas provave të gjetur, ka qenë në katin e dytë.
Të shtënat kanë qenë të drejtuara nga makina ‘Tuareg’ e Dritan Dajtit, por ende nuk është saktësuar momenti kur është qëlluar. Sipas ekspertëve, nëse saktësohet koha kur mund të jetë qëlluar nga personi i katërt, mund të shpjegojë nëse objektivi kanë qenë oficerët Fatos Xhani dhe Altin Dizdari, apo vetë Dritan Dajti”.