Kryeministri Edi Rama tha se pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe rishikohet vazhdimisht. Nga Berati, kreu i qeverisë bërë një pasqyrë të situatës dhe tha që Britania synon që në maj të hapë çdo gjë. Por ai siguroi që fluturimet me këtë vend mund të rikthehen më parë sesa sezoni veror, me qëllim që mos pengohet edhe turizmi.
Sipas kryeministrit Rama, ambicia është një që kur të vijë sezoni veror të jetë vaksinunuar një pjesë e popullsisë.
“Ne nuk kemi kufij të mbyllur. Me Britaninë është një rast specifik, për shkak të variantit të ri të covid. Nuk është vetëm Shqipëria që ka mbyllur kufijtë, por shumë vende të Evropës. Kjo është e vështirë ta thuash se deri kur do të zgjasë. Ne ndjekim edhe veprimet e të tjerëve. Britania e Madhe është një prej shumë pak vendeve që po ia dalin më mirë sesa të tjerët me vaksinimit, për arsye të tyre dhe për faktin se një nga vaksinat ka lindur në Britani. Ata po ecin shpejt drejt çlirimit nga armiku i padukshëm.
Vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për këputjen e zinxhirit të infeksionit.
Britania po përgatitet në mars të fillojë me një çlirim gradual të masave, në prill të hapin stadiumet për 10 mijë persona dhe në maj dhe qershor të jenë të hapur në çdo gjë.
Mund të ndodhe që shumë shpejt të hapen edhe fluturimet me Britaninë e Madhe. Ky është një vendim që ne e marrim në mënyrë periodike, sepse gjerat ndryshojnë.
E rëndësishme është që ne të arrijmë të vaksinojmë intesivisht gjatë gjithë sezonit pranveror dhe këtu fus edhe ambicien që kur të hyjmë në sezonin e verës dhe në pikun e sezonit turistik ne të kemi një lehtësim nga pikëpamja e rrezikut. Natyrisht nuk vaksinojmë dot të gjithë popullatën, por nëse vaksinojmë një pjesë të vogël, do të kemi një avantazh dhe një marzh veprimi më të madh se ai që kemi sot”, u shpreh Rama.