MENU
klinika

Covid-19

Bota në garë për vaksinat/ Gjithnjë e më shumë sy kthehen nga Kina…

19.02.2021 - 09:35

Ndërkohë që e gjithë bota, është përfshirë në një garë të ethshme për të siguruar vaksinat anti-covid, që shpresohet se do ti japin fund pandemisë që ka mbërthyer globin prej më shumë se një viti, shumë vende në bashkimin evropian, nuk po munden ta mbajnë nën fre frustrimin për sasitë e mangëta të vaksinës që kanë siguruar.

Disa prej tyre madje, kanë zgjedhur të kthejnë sytë nga kina ose po mendojnë ta bëjnë këtë. Në Hungari, ka mbërritur të martën sasia e parë e vaksinave të kinezes Sinopharm, duke e bërë atë vendin e parë anëtar të BE që nis imunizimin me të. Ndërkohë në mediat kineze, të kontrolluara nga shteti, propagandohet se si shoqëria kineze, që ia ka dalë mbanë me sukses të dalë nga pandemia e koronavirusit, po merr akoma më shumë rëndësi për shkak të vaksinave antikovid, që po shpërndahen në gjithnjë e më shumë vende të botës që i konsiderojnë ato jetëshpëtuese.

“Kina u siguron vaksina gjithnjë e më shumë vendeve, përmbush premtimin e saj”, është titulli i Global Times, në kinë që shkruan se vaksina kineze tashmë është kërkuar nga një numër vendesh të botës, përfshirë Hungarinë, Senegalin, Marokun dhe Zimbabvenë.  Vende të tjera si Brazili, indonezia, tajlanda, emiratet e bashkuara arabe etj, e kanë nisur imunizimin me vaksinat kineze. Ndërkohë, që edhe lista e vendeve që e kanë ndezur dritën jeshile për to, është e gjatë, me Nepalin dhe Hong Kongun që u bënë vendet më të fundit që dhanë aprovimin.

Disa ekspertë mendojnë se diplomacia ndërkombëtare duket se po përcakton se kush do të ketë akses në muajt në vijim, ndërkohë Rusia dhe kina, po përdorin një nga elementët më të kërkuar në botë në këto kohë, për të forcuar ndikimin e tyre në arenën globale. Shpresohet që shpërndarja e vaksinave të ndihmojë në dhënien fund të pandemisë, por janë të shumta vendet që nuk i kanë filluar ende programet e imunizimit ndërsa edhe vende me të ardhura të larta, përballen me mungesa në furnizime.