MENU
klinika

Nga Frrok Çupi

Çfarë qëndron pas fenomenit ‘Nano’?

10.02.2021 - 10:48

Ja ku jemi: Çfarë po ndodh me temën ‘Nano’? Po me temën ‘kthimi i PD në ditën e parë’? Po me dilemat nëse do të kandidojnë për deputetë heronjtë e rremë?….

Të gjitha gjurmët na çojnë në një skenë fshatçe ku ‘master Iks’ nis e lidh  grykën e thesit: Kaq ishte për këtë stinë! Duket sikur gjithë periudha prej tre dekada e Demokracisë sonë, ka zbritur në fusha dhe po mbledh duajt e të korrave. Kaq ishte ‘Demokracia’ që më shumë na mundoi me idenë se me vetë ekzistencën e saj.

Çfarë qëndron pas fenomenit ‘Nano’?

Fatos Nano po projektohet si president i ardhshëm i Republikës sonë- kjo është.

Fatos Nano, kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe kryeministër i Republikës, është i vetmi i burgosur politik në epokën e Demokracisë. Këtë e pranuan të gjitha forumet e larta të Bashkimit Evropian, gjykatat, mediat, kishat, dhe vetë pushteti që e burgosi dhe që sot ndodhet në opozitë. Kur pushteti i dalë nga ëndrra demokratike ( PD) burgosi kundërshtarin politik, krejt për motive politike, që në atë moment e lidhi qafën me bishtin e vet, dhe po e mbyste. Në atë moment u kujtua që ta afronte viktimën e vet në disa  takime që i quajti ‘negociata’, dhe me kaq mendoi se i lau duart nga ndryshku i prangave.

Nanon e paketoi mirë e mirë, e la në harresë dhe mori rrugën drejt revanshit të ri: Viktima mbeti atje, nmdërsa autori në majë. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në raste të tjerë të mëdhenj, kur të burgosurit politik i zunë bishtin regjimit që i kishte dhunuar, por kjo ndodhi jo në sisteme demokratike. Ndodhi, për shembull, në Afrikën e Jugut të aparteidit, me Nelson Mandelën, i cili nga i burgosur u kthye në president të vendit. Ndodhi edhe me Pjetër Arbnorin, i cili nga i burgosur politik, u kthye në president të Parlamentit të Shqipërisë. Por edhe Pjetri ishte burgosur politikisht nga diktatura komuniste- më e egra që provoi Evropa Lindore.

Ndërsa në rastin e fundit, Nano është i burgosur politik në periudhën e regjimit anti- komunist që e quajtëm Demokraci. Ai duhet të marrë fronin e kryetarit të shtetit, me se s’bën, se përndryshe demokracia mbetet e pa korrektuar, ose non- ekzistente. Edhe në momentin kur Nano do të bëhet president i Republikës, vetë akti do ta kthejë ‘demokracinë’ aty ku ishte, në pikën Zero. Kjo është hera e dytë kur ndodh që viktima kthehet në majë të piramidës së shtetit teksa diktatori i tij është ende i gjallë, madje në funksione politike. Hera tjetër ndodhi me Mandelën, kur presidenti jugo- afrikan ia lëshoi vendin për së gjalli.

Po me kthimin e  PD në ditën e parë të lindjes?

Në fakt, jo tamam në ditën e lindjes; lindja për së dyti do të kishte me vete disa shpresa. Partia Demokratike, në vitin 2019 e lëshoi përtokë ngrehinën e saj, doli nga Parlamenti dhe deklaroi se ‘më gjeni në rrugë’. Në rrugë, edhe bleta e re nëse nuk gjen shpejt zgjua, vdes ose e egërsuar ose e vetëvrarë. Që nga dita kur PD lëshoi mandatet, u provua se ‘si të ishte, si të mos ishte’, kjo nuk ka ndonjë lidhje me Demokracinë. Demokracia, sipas kësaj optike dhe vetë sjelljes së liderëve të PD, e shpalli të panevojshme agregatin që nisi jetë në fillesat e demokracisë.

Kështu u kthye demokracia në ‘bazën’ e saj të anarkisë, duke zënë shkas nga dorëzimi. PD qe e detyruar dje të mblidhte 400 mijë firma, aq sa u mblodhën ne Dhjetor 1990, dhe të trokasë në derën e KQZ për t’u regjistruar në zgjedhje. Por kjo nuk është më PD e atëhershme; këtë duhet t’ua thotë hapur militantëve të vet. Ajo ‘demokraci’ që u shpall atëherë, u gëlltit po nga bijtë e vet; tani kemi një qenie tjetër që ka manipuluar emrin e vet, nga ‘një parti pa emër’ në ‘PD’.

Po me deputetët ‘gjigandë’ të politikës, çfarë po ndodh?

Në fushë kanë zbritur tre ose katër elementë që po luftojnë në garë:

Elementi i parë është Shtetet e Bashkuara, që për hir të së vërtetës, po kërkon aplikimin e një ligji moral në vend të ligjit juridik: Përjashtimin e disa politikanëve të mëdhenj, si psh., Berisha dhe Vasili, për shkak se ndodhen në listën e zezë të SHBA.

Elementi i dytë është ligji. Ligji ose nuk ekziston deri tani, ose është aq infantil saqë trembet nga viktimat e tij. Deri më sot, me gjithë investimet e mëdha, Drejtësia nuk arrin dot të thotë qartë: ‘Këta që kanë kryer krime shtetërore, ky e ky e ky, ndalohen’. Ende nuk kemi arritur në nivelin e kodeve të Hamurabit, mbreti i Babilonisë.

Elementi i tretë është frika e vetë Partisë Demokratike për të vendosur sipas drejtësisë. Nëse PD, për shembull, përjashton kandidimin e kryetarit Berisha, atëherë kryetari pasardhës Basha, bie. Nëse ndodh e kundërta, atëherë PD pëson goditje të thellë.

Jemi prapë në kushtet kur demokracia po ha vetveten.

Kjo ndodhi edhe në sistemin kapitalist, edhe në sistemin socialist, edhe në tiranitë e mëdha. Por ndërsa sistemi kapitalist nisi ‘të hante veten, këtë e bëri për shkak të zhvillimit të teknologjive dhe të përsosjes së marrëdhënieve. Socializmi nisi të hajë veten që në ditën e parë, kur ndali shpejtësinë dhe eliminoi të bijtë…

Ndërsa për demokracinë, modeli ynë duket se është leksioni i parë.