MENU
klinika

Një analizë mbi relativizimin e kufijve ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës

Si do mbahen mend ministrat nga Kosova në qeverinë e Tiranës?

12.02.2021 - 16:30

Nga Ksenofon Krisafi

Në një nga ditët e fundit të vitit 2020 kryeministri Rama njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, djaloshi i cili tre vjet më parë, kishte mbërritur në Tiranë nga Prishtina, për të marrë detyrën e këshilltarit të tij. Kohën e qëndrimit në detyrë e konsideroi një periudhë intensive, një punë të madhe me profesionalizëm, për çka e falenderonte me mirënjohje për dinjitetin në kryerjen e detyrës dhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët.

Ndërkohë tre muaj e gjysmë më parë kishte dhënë dorëheqjen një tjetër ministre, gjithashtu nga Kosova, znj. Besa Shahini. Ajo u shpreh se e kishte të vështirë të vazhdonte një mandat tjetër larg familjes dhe Partia Socialiste duhet të fitonte edhe një mandat tjetër nëse duam ta shikojmë Shqipërinë të ecë përpara. Pohonte se kryeministri kishte treguar kurajo që përfshiu në politikë aktivistë nga Kosova. Z. Rama shprehu keqardhjen dhe vlerësoi shumë gjithçka që ajo kishte bërë.

Në qeverinë e Tiranës ministrat nga Kosova erdhën me formim dhe përvojë interesante. Znj. Shahini është shkolluar me rezultate shumë të mira në Kosovë, Gjermani, Kanada, Spanjë etj. Në CV e saj bëjnë pjesë mbi 20 botime dhe shkrime në fushën e arsimit dhe integrimit europian. Ka pasur pozicione të rëndësishme në institucione të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, zotëron ose njeh një numër gjuhësh të huaja etj. Edhe z. G. Cakaj, që iu bashkua kabinetit të z. Rama në moshën 28 vjeçare, është shkolluar gjithashtu me rezultate shumë të mira në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari, në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ka qenë konsulent dhe analist për çështje politike, si dhe autor i disa punimeve. Në qershorin e 2018, u emërua këshilltar i z. Rama, zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe më pas ministër në detyrë po në këtë ministri.

Idenë e Edi Ramës për të përfshirë në qeveri shqiptarë nga Kosova e kam gjykuar si një ndër mesazhet që fliste për rrugëtimin e shqiptarëve drejt aspiratës së bashkimit kombëtar, si veprim për relativizimin e kufijve ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, të krijuar nga anomalitë historike të një shekulli e ca më parë. Shqipëria e Londrës, e cilësuar krijesë e diplomacisë së Fuqive të Mëdha, është njëkohësisht dëshmi e falsitetit dhe e demagogjisë së politikës së tyre. Ato spekuluan me parimet e së drejtës ndërkombëtare, lirinë dhe barazinë e kombeve, të cilat i shkelën vetë brutalisht në dëm të shqiptarëve. Iu mohuan të drejtën që si pjesë e një kombi, që flasin një gjuhë, që kanë një flamur kombëtar, të jetojnë bashkë në një shtet. Politikanët aktualë shqiptarë në të gjitha rajonet dhe shtetet ku veprojnë, drejtuesit e perëndimit euro-atlantik dhe të shteteve fqinjë, si dhe të organizatave ndërkombëtare duhet të mendojnë që të gjejnë format e duhura juridiko-institucionale për ta zgjidhur çështjen e të ardhmes politike të shqiptarëve, pa cenuar interesat e të tjerëve. Kjo nuk duhet përfytyruar si një aventurë e nisur nga ide delirante ose nga frymëzime folklorike. Është një sipërmarrje tepër serioze që kërkon përgatitje të studiuara në çdo aspekt e në çdo detaj, përgjegjshmëri të jashtëzakonshme, përkushtim, bashkërendim e bashkëpunim të vazhdueshëm e të vërtetë me të gjithë faktorët përkatës vendas e të huaj.

Veprimet që duhen ndërmarrë nga faktori shqiptar shtrihen në të gjitha hapësirat e zhvillimit politik, ekonomik, juridik, social, kulturor, arsimor etj. Nga kjo pikëpamje zgjedhja që bëri Edi Rama duke përfshirë në përbërjen e qeverisë së kryesuar prej tij shtetas të Kosovës, ishte një hap inteligjent dhe i guximshëm, që meriton vlerësime të shumta pozitive. Ishte hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore, kur dy shqiptarë nga Kosova u bënë pjesë e ekzekutivit në Shqipëri. Ai eci në gjurmët e politikanëve më të përgjegjshëm që kanë qeverisur shqiptarët. Shembulli nis nga Lidhja e Prizrenit, kur shqiptarët u prezantuan si aktorë të përgjegjshëm të organizimit politik dhe drejtimit të vendit të tyre, vazhdon me epokën e pavarësisë, kur në qeverinë e Ismail Qemalit zuri vend Mehmet Pashë Deralla (nga territoret shqiptare në Maqedoni), në postin e ministrit të luftës. Si mishërim i kësaj fryme ai përfshiu Isa Boletinin në delegacionin që u paraqit në Konferencën e Londrës në mbrojtje të të ardhmes dhe tërësisë territoriale të vendit. Shembull kuptimplotë ishte gjithashtu përbërja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ku kishte jo pak shqiptarë nga Kosova, sikurse edhe nga trojet shqiptare të Maqedonisë, Çamërisë, Malit të Zi etj. Dëshira e shqiptarëve të të gjitha trevave për të qenë së bashku do të gjente shprehje edhe në qeveritë e mëvonshme shqiptare, në periudhën ndërmjet dy luftrave botërore, ku pjesë e tyre ishin politikanë me prejardhje nga Kosova si Hasan Prishtina-kryeministër, Hoxha Kadri-ministër i drejtësisë etj. Shqiptarë me prejardhje nga Kosova, Dibra, Çamëria etj kishte edhe në parlamentin shqiptar të asaj kohe. Me vlerë ishte zgjedhja e Avni Rustemit deputet i Prefekturës së Kosovës – krahinave Has e Lumë – në Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1923, me propozimin e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Të gjithë këta ishin aty për të afirmuar aspiratën e pashuar të shqiptarëve për ta parë një ditë atdheun e tyre të bashkuar dhe të çliruar nga zgjedha e huaj. Vendimet e Londrës, 1913 konsiderohen një padrejtësi dhe një aksident historik që një ditë të koregjohej, proces që filloi pas vitit 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Besoj se pikërisht duke ndjekur këtë përvojë pozitive kryeministri Rama përfshiu Shahinin dhe Cakajn në qeveri. Duhet pohuar me kënaqësi se edha ata e justifikuan zgjedhjen e tij, duke bërë maksimumin e mundshëm për të kontribuar në mbarëvajtjen e dikastereve që iu ngarkuan për drejtim. Veç të tjerash ndaj tyre nuk u dëgjuan përfolje për korrupsion, shpërdorim detyre etj. Përkundrazi u vlerësuan për ndershmërinë, përkushtimin, modestinë, përpjekjet për të justifikuar besimin e përfshirjes në qeveri. Ata u prezantuan si modeli i funksionarëve korrekte, që respektuan statusin, që punuan me dinjitet për të përmbushur angazhimet në përputhje me funksionet, kompetencat, përgjegjësitë kushtetuese dhe legjislative.

Ish-ministrja e arsimit drejtoi një institucion që pati si mision të merrej me reformimin e sistemit të arsimit në Shqipëri, i cili veçanërisht në këto 30 vjetët e fundit, trashëgoi dhe akumuloi mangësi të panumërta. Ato u shfaqën në cenimin e cilësisë së formimit arsimor, kulturor e profesional të një pjese të konsiderueshme të nxënësve dhe studentëve. Sistemi arsimor ka qenë i atakuar nga fenomene të korrupsionit, falsitetit, nga padrejtësi në emër të qokave ndaj anëtarëve të klaneve familjare, partiake, militantëve politikë, “oligarkëve” dhe jo rrallëherë edhe bosëve të krimit. Produkt i këtyre zhvillimeve kanë qenë dhe duket se vazhdojnë të jenë rastet e paaftësisë profesionale, të deformimeve etiko-morale etj, të cilat i kanë sjellë arsimit dhe vendit pasoja të pallogaritshme, që do të duan kohë për t’u riparuar. Janë mangësi që barten prej së paku 30 vjetësh dhe që nuk mund t’i përballonte e vetme një ministre. Mëkatet e kryera, të toleruara ose të fshehura për dekada nga disa individë që kanë ngrohur kolltukun ministror, nuk kanë si autore vajzën e ardhur nga Kosova.

Në këtë mënyrë mund të arsyetohet edhe për ish-ministrin në detyrë në MEPJ, z. Gent Cakaj. Ai gjithashtu gjeti një mjedis ku nuk mungonin të paaftët, të emëruarit pa meritë e pa vlera, ku nuk ishte e lehtë të bëje pastrimin e tyre për shkak të protektorëve të fuqishëm në politikë ose në sipërmarrjet e oligarkëve. Këtyre iu duhen shtuar edhe vështirësitë që kishin të bënin me zgjidhjen e problemeve ekzistuese të Shqipërisë në raportet bilaterale dhe ato multilaterale. Një mision i vështirë për MEPJ ka qenë domosdoshëria e avancimit institucional e juridik drejt BE. Ajo duhet të administronte dhe, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, të përballonte problemet që buronin nga detyrimi i përmbushjes së standardeve të vendosura nga Brukseli, që nuk kanë qenë as të pakta as të lehta. Ajo duhet të përballonte gjithashtu veprimtarinë “sabotuese” të faktorëve të tjerë politikë, zhvilluar në kuadrin e betejave të segmentëve të caktuar të politikës.

Do të ishte pretenciozitet të marrësh përsipër apologjinë abstrakte të punës, veprimtarisë, arritjeve ose edhe mangësive eventuale të dy ish-ministrave. Ndoshta mund të bënin më shumë, por nuk mohohet se u përpoqën të bënin më të mirën e mundshme me aq sa ditën dhe sa iu lejoi mjedisi politik në të cilin vepruan. Rezultatet pozitive nuk munguan.

Kontributi i tyre mund të vlerësohet drejtë dhe objektivisht duke u parë edhe si akti simbol i shërbimit të shqiptarëve të përtej kufirit në organet drejtuese të shtetit “amë”. Pranimi në qeveri në Tiranë, veprim i mençur dhe njëkohësisht atdhetar, shkon paralel me projektet e zgjidhjes normale, graduale, institucionale e legjislative të çështjes kombëtare shqiptare. E mira do të ishte që ajo të zgjerohet e përmirësohet më tej, jo vetëm me vazhdimin e kësaj përvoje, por edhe me konkretizimin e nismave të tjera që gjithashtu i shërbejnë këtij qëllimi. Fjala është për institucionalizimin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të të dy vendeve si dhe me vënien në jetë në të gjitha përmasat e disa dhjetra marrëveshjeve të nënshkruara gjatë mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të të dy shteteve. Përndryshe ato shndërrohen në akte deklarative e propagandistike dhe në zhgënjime.

Duhet të vazhdohet me ritme më të shpejta dhe hapa cilësore hapja e pikave të përbashkëta kufitare dhe doganore, afrimi i programeve të energjetikës, posttelekomunikacioneve, krijimi i një akademie të përbashkët të shkencave, përgatitja dhe përdorimi i teksteve të njëjta shkollore, shkrimi i përbashkët i historisë së shqiptarëve etj. Në këtë mënyrë punohet pa krijuar probleme për t’i krijuar “gjeneratës tjetër (të shqiptarëve) hapësirën e tejkufijve”, duke mbajtur parasysh se paqja sjell “zhvillim ekonomik e social për të gjithë”.

Fakti që ish-ministrat e Prishtinës u përfshinë në qeverinë e Republikës së Shqipërisë tregon besim dhe vlerësim maksimal në radhë të parë ndaj Kosovës. Por, postet zyrtare politike nuk janë të përjetshëm. Njerëzit që emërohen ose zgjidhen në to, për shkak të rrethanave ose shkaqeve nga më të ndryshmet, mund të zëvendësohen para mbarimit të mandatit ose kur kjo kërkohet nga të interesuarit nëpërmjet dorëheqjes, siç është pohuar prej tyre. Shkaktojnë keqardhje disa zëra të vetmuar që u dëgjuan pas komunikimit të ndryshimit qeveritar, të cilët, me ose pa dashje, mbjellin përçarje në klimën vëllazërore të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve të të dy anëve të kufirit.

Dorëheqjet e ministrave nga Kosova ndodhën në kohën e mbledhjes së fundit të qeverive të të dy vendeve, e cila u zhvillua disa javë pas firmosjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në prani të ish-Presidentit të SHBA. Fryma e përgjithshme e saj evokonte domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Në 14 marrëveshjet e firmosura gjatë mbledhjes së përbashkët ishin edhe tre që kishin të bënin me projekte të një rëndësie strategjike për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve në rajon. Njëra e bën Portin e Durrësit edhe port të Kosovës. Tjetra i kushtohet fillimit të studimit të fizibilitetit për projektin hekurudhor që do të lidhi Durrësin me Prishtinë dhe koridorin digjital përmes një rrjeti të sigurtë 5 G. E treta trajton ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me financim nga SHBA. Sistemi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet qeverive të të dy vendeve, nëse do të merret seriozisht dhe nëse do të vihet realisht në zbatim, do të rrisë në nivele të ndjeshme bashkëpunimin, integrimin dhe bashkimin e tregjeve të Shqipërisë dhe Kosovës. Qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë duhet të punojnë që tregjet dhe ekonomitë e të dy vendeve, burimet, furnizimet, lëndët e para, importi, transporti etj të orientohen reciprokisht, pa ia mbyllur dyert edhe bashkëpunimit me vendet e tjera. Në këtë mënyrë gradualisht kufiri ndërmjet dy vendeve nuk do të jetë më barrierë ndarëse.

Shqiptarët duhet të mësojnë nga historia e vet, që nga Skënderbeu, i cili shqiptarëve iu kërkoi të ishin të bashkuar, sepse kështu do të perballonin më mirë furtunat e kohës, do të zhvillonin ekonominë, mirëqënien, do të gëzonin lirinë. Duhet të mësojnë edhe nga përvoja e të tjerëve, të cilët kur është fjala për të ardhmen dhe progresin e vendit të tyre, lenë mënjanë grindjet, mosmarrëveshjet politike e partiake dhe bëhen bashkë. Edhe sot shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e veriut dhe kudo në trojet e veta a në diasporë, duhet t’i shfaqen Europës dhe në përgjithësi faktorit ndërkombëtar me një zë, me një platformë, me një qëndrim. Përndryshe rruga drejt një të ardhmeje politike siç e duan dhe siç e meritojnë ka për të qenë e vështirë. Tirana, Prishtina dhe gjithë faktori politik shqiptar duhet të mendojnë jo për vete, por për shqiptarët, të cilët të shpërndarë në gjashtë shtete, bartin vlerat e veta si popull i civilizuar, por edhe probleme. Nuk justifikohet që të mbeten në marzhin e zhvillimeve. Ka ardhur koha që mendime, ide apo edhe projekte rreth të ardhmes së tyre politike, që përhapen nga individë, qarqe apo organizma të ndryshme, të mbështeten në konceptet moderne mbi shtetin dhe shoqërinë bashkëkohore, mbi një strategji kombëtare të qartë, politikisht progresive dhe juridikisht të përshtatshme e të pranueshme, të përpunuar sipas skemave, normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare moderne.

Zgjidhja e çështjes së të ardhmes politike të shqiptarëve do të realizohet nëpërmjet një procesi të tërë veprimesh institucionale e juridike me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, në një arkitekturë gjeopolitike ballkanike, kontinentale e ndërkombëtare të ndryshuar.

Në optikën e kësaj perspektive duhet parë edhe angazhimi i ish-ministrave Shahini dhe Cakaj në qeverinë e Tiranës, të cilët do të mbeten në kujtesë si qytetarë, politikanë e profesionistë të vlerësuar, të nderuar e të respektuar, të mirëpritur në çdo kohë në Shqipëri, në atdheun e përbashkët, për të cilin punuan me dashuri, me profesionalizëm të spikatur si dhe me përkushtim. Përvoja e kryeministrit do të ishte mirë që vazhdojë edhe në të ardhmen në të dy vendet, si një hap që duhet t’i shërbejë forcimit të pozitës së shqiptarëve në rajon./ Dita