Mediat ruse raportojnë sot se një diplomat shqiptar është dëbuar sot nga Rusia.
Vendimi i Moskës vjen si kundërpërgjigje ndaj Tiranës zyrtare, pas dëbimit të diplomatit rus nga Shqipëria.
Mësohet se zyrtari i dëbuar është sekretari i ambasadës shqiptare në Moskë. “Sputnik News” raporton se ai ka 72 orë kohë për t’u larguar nga Rusia drejt Shqipërisë.
Sjellim në vëmendje që vendimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për dëbimin e diplomatit Aleksej Krivoshejev, për shkak të mosrespektimit të masave anti-Covid, nuk u prit aspak mirë nga Ambasada e Rusisë në Tiranë.
Në një deklaratë të datës 22 janar, ambasada ruse e konsideroi vendimin të paarguementuar, ndërsa shprehu befasi për përmbajtjen e deklaratës së MEPJ.
“Përkundër pretendimeve të Ministrisë, emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë përkatëse. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të MEPJ-së me dt. 20.01.2021, sipas së cilës z. Krivoshejev është shpallur “persona non grata”. Në të njëjtën kohë, asnjë provë e shkeljes prej tij të masave anti-kovid, të vendosura në Shqipëri, nuk është sjellë“, thuhej në deklaratën e ambasadës ruse.