MENU
klinika

Analiza

Draghi, zgjedhja më e mirë, për postin më të keq!

06.02.2021 - 09:12

Presidenti i Italisë ka thirrur Mario Draghi për t’i kërkuar atij që të drejtojë vendin, një detyrë e ngjashme me pastrimin e “stallave të Egjeut”.

Ka shumë arsye për skepticizëm: Kombi është në mes të një krize shëndetësore dhe ekonomike.

Kështu janë shumica e vendeve tani, por Italia është një nga anëtarët më të prekshëm të Bashkimit Evropian për shkak të rritjes së saj të pakët dhe borxhit të lartë publik.

Partitë politike në parlament kanë treguar përsëri paaftësinë e tyre për të udhëhequr në një krizë.

Draghi do të ishte emërimi i fundit teknokratik dhe administrata të tilla kanë histori jo jetëgjata në Romë, shpesh duke dështuar të fitojnë mbështetjen e mjaftueshme për një reformë të qëndrueshme dhe kuptimplotë.

E megjithatë, nëse ka një njeri që mund ta nxjerrë Italinë nga rrëmujat e saj, ai është Draghi.

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane ka një rekord të pakonkurueshëm në menaxhimin e krizave, pasi ka drejtuar Italinë dhe zonën e euros përmes disa prej trazirave më të këqija të tre dekadave të fundit.

Në fillim të viteve 1990, si drejtor i përgjithshëm i thesarit të Italisë, ai menaxhoi krizën e Mekanizmit të Kursit të Këmbimit të Evropës, shpëtoi Romën nga një parazgjedhje e mundshme dhe drejtoi një program të gjerë privatizimi.

Njëzet vjet më vonë ai e shpëtoi euron nga kolapsi i mundshëm duke u thënë tregjeve financiare se BQE ishte e gatshme të bënte “gjithçka që duhet” për të mbrojtur integritetin e saj.

Këto tregojnë se Draghi ka një kombinim të dhuratave që u mungojnë teknokratëve të tjerë italianë: një kuptim i thellë i problemeve ekonomike të vendit të tij dhe zonës së euros, si dhe guxim dhe zgjuarsi politike.

Kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të rregulluar Italinë, por nuk do të gjendet një kandidat më i kualifikuar.

Kriza e Italisë është strukturore, jo ciklike.

Pandemia ka ekspozuar brutalisht dështimet e qeverive në të gjithë botën perëndimore dhe Roma nuk ka qenë përjashtim. Italia duhej të zgjidhte situatën e jashtëzakonshme të epokës së pasluftës me një klasë politike thellësisht të ndarë dhe të papërgatitur.

Giuseppe Conte, kryeministri në largim, ishte një akademik pa ndonjë përvojë të mëparshme qeverisëse.

Ekonomia ka shumë nevojë për ndryshim.

Italia duhet të reformojë sistemin e saj gjyqësor, të shkurtojë subvencionet e kota dhe të investojë më shumë në infrastrukturë, kërkime dhe arsim.

Italia do të jetë përfituesi më i madh bruto i fondit të përbashkët pandemik të 750 miliardë euro (903 miliardë dollarë) të BE-së, por ajo ka luftuar për të hartuar një plan se si të shpenzohen këto para dhe si të bëhen reformat shoqëruese.

Si mendja kryesore ekonomike e Italisë, Draghi i njeh shumë mirë këto telashe.

Pyetja është nëse ai do të jetë në gjendje të bëjë shumë për to. Duke pranuar ofertën e Presidentit Sergio Mattarella, detyra e tij e menjëhershme do të jetë krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm për një administratë teknokratike.

Lëvizja populiste Pesë Yje, partia më e madhe parlamentare e Italisë, duket se do të kundërshtojë një qeveri Draghi, megjithëse uniteti i saj i lëkundur do të testohet.

Partia Demokratike e qendrës së majtë dhe Italia Vivs ndoshta do të mbështesin emërimin, kështu që shumë do të varet nga ajo që e djathta vendos të bëjë.

Lidhja e së djathtës së fortë dhe Vëllezërit e Italisë duhet të vendosin nëse do të bëjnë presion për zgjedhje të reja, apo të pranojnë një qeveri kalimtare.

Matteo Salvini, lideri i Lidhjes, po e mban derën hapur.

Sfida e qeverisjes do të jetë edhe më shqetësuese.

Mattarella ka lënë të kuptohet se ai dëshiron një administratë plotësisht teknokratike, për ta lënë Draghi të zgjedhë.

Sidoqoftë, çdo kryeministër duhet të miratojë ligje përmes parlamentit, të cilat do të jenë shumë të vështira pa u mbështetur nga partitë.

Draghi i njeh shumë mirë këto kufij.

Por karriera e tij ka qenë një përgatitje për tu marrë me dështimet e politikanëve.

Për hir të Italisë, duhet shpresuar se ai mund ta përsërisë këtë edhe një herë.

Përkthyer dhe përshtatur nga Bloomberg/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pritet të konsultohet me partitë në Parlament

Mario Draghi kryeministri i ri i Italisë