MENU
klinika

"A ka nevojë për ‘lockdown’?!”

Erion Dasho: Pse promovuesit e kësaj ideje s’duhet ta lënë në dorën…

27.02.2021 - 16:33

Me katastrofën shëndetësore që ka nisur në nëntor dhe ka arritur kulmin në shkurt, janë shtuar më së fundi edhe promovuesit e “lockdown-it”. Propozuesit e të quajturit “lockdown” kanë ditë (disa edhe javë) që e promovojnë atë në studiot televizive dhe rrjetet sociale.

Ata janë në një masë të madhe mjekë shqiptarë në botë, por jo vetëm. Në kushtet kur Shqipëria ka një nga incidencat më të larta në botë dhe vdekshmëria (madje edhe ajo e raportuar) ka arritur shifra të frikshme, “lockdown-i” duket zgjidhja më e arsyeshme.

Por a është realisht kështu?

Problemi më i madh me propozuesit e sotëm të lockdown-it është se janë kujtuar shumë vonë. Kur shumë prej nesh kritikonim ministrinë dhe komitetin për paaftësi dhe mosveprim, mbështetësit e sotëm të “lockdown-it” u fërkonin atyre kokën dhe insistonin se ekspertët e pavarur nuk mund të kritikojnë qeverinë. A thua se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë në vendet ku jetojnë për lëvizjet civike (civic movement)!

Kur kritikohej ashpër qeveria se fshihte vdekjet, “epidemiologët” dhe gjithologët që u mbanin ison, ngulnin këmbë se ka shumë mënyra për të përkufizuar një vdekje nga COVID dhe se qeveria kishte të drejtë të zgjidhte përkufizimin e vet (i cili çuditërisht e tregonte situatën “rozë”)!

Kur deklarohej në nëntor se vdekshmëria shtesë kishte arritur përmasa alarmante, “shkencëtarët” insistonin se vdekshmëria shtesë mund të vijë nga kanceri dhe sëmundjet e tjera të patrajtuara, ndërkohë që shkencëtarët e vërtetë në gjithë botën e kishin provuar tashmë se vdekshmëria shtesë në masën 80 deri 90% i dedikohej COVID-it!

Sot, papritur “të pavarurit” e djeshëm po kuptojnë se katastrofa e parashikuar që në gusht paska arritur dhe po propozojnë “lockdown-in” si zgjidhjen magjike!!!

Por a ka sot nevojë për lockdown?!

 Kolegët bëjnë mirë të kujtojnë se kemi të bëjmë me një qeveri kriminale që qëllimisht ka vënë kapriçiot dhe përfitimet e veta mbi shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ata duhet të kenë parasysh se sa herë që kësaj qeverie i flet për “lockdown”, i shtie ndër mend karantinën e tmerrshme të prill-majit 2020, kur policia i mbante mbyllur qytetarët 24 orë në ditë dhe nxirrte tanket në rrugë për t’i tmerruar e për t’u ngulitur në subkoshiencë figurën e “babait”, i cili kush-e-di me kë “gëbels” u konsultua për të ngritur një strategji trushpëlarje që nisi me mediat e blera dhe përfundoi me strategjinë e terrorit dhe frikësimit!

Për këtë arsye i bëj thirrje kolegëve të mos bien në grackë! Termi “lockdown” do të interpretohet si i do qejfi kësaj qeverie dhe thirrja e kolegëve do të përdoret si justifikim: “Kështu na sugjeruan mjekët shqiptarë nëpër botë”!!! Jo, të nderuar! Nuk duhet t’i japim këtë argument Boratit të shndërruar në “Gëbels”! Ne nga pozitat e ekspertit kemi me dhjetëra masa inteligjete që mund të propozojmë para lockdown-it! Së pari, testimi! Kjo qeveri ka një muaj që i ka lënë shqiptarët pa teste të shpejtë. Urgjentisht të sillen ato 300 mijë testet që u deklaruan të blera që në dhjetor.

Paralelisht të liberalizohet testimi dhe shqiptarët të kenë mundësi ta blejnë testin në çdo farmaci si kudo në Europë! Së dyti, të rivendoset në normalitet trajtimi. Një ose dy nga spitalet e quajtura COVID të vendoset në dispozicion të Tiranës dhe të tjerët në dispozicion të referimeve të rasteve të komplikuara. Të nisë urgjentisht zbatimi i sistemit të referimit i shkatërruar nëpërmjet eksperimentit diletantesk “urgjencë mjeksore”!

Së treti, të garantohen pajisje mbrojtëse për mjekët dhe infermierët. Është e pafalshme që sot vdesin ende mjekë dhe personel mjeksor. Së katërti, të pushojnë lojërat me personalitete dhe të vaksinohen urgjentisht të gjithë mjekët dhe infermierët. Mbrojtja e tyre është domosdoshmëri.

Së pesti, të sigurohen puls-oksimetër për mjekët e familjes dhe pajisje BiPAP dhe CPAP për spitalet rajonale. Së gjashti, të ngrihet një sistem profesional survejance epidemiologjike (i lidhur me testimin) i cili të prodhojë indikatorë të besueshëm lidhur me sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë. Këta indikatorë duhet të jenë baza e përgjigjes.

Së fundi, “dashnorët” e lockdown-it bëjnë mirë ta operacionalizojnë këtë term dhe mos ta lënë në dorë të qeverisë. Përndryshe, shqiptarët do të kalojnë një tjetër pranverë në shtëpitë e kthyera në burg. “Lockdown-i” shqiptar nuk duhet të jetë karantinë për qytetarët dhe duhet të përfshijë:

  1. Mbyllje e bareve dhe restoranteve dhe lejimi vetëm i shërbimit “pick-up”, jo taksi!
  2. Ndërprerje e akvititeve turistike dhe lejimi i përdorimit të hoteleve vetëm për udhëtime pune.
  3. Mbyllje e qendrave të mbyllura të argëtimit dhe stërvitjes si palestra, pishina, salla lojërash, etj.
  4. Ndërprerje e veprimtarisë së çdo binzesi jo thelbësor për jetesën. Këtu përfshihet tregëtimi i veshjeve, shërbime si parukeri e berber, etj.
  5. Transporti publik të funksionojë me aq kapacitet sa ka ulëse dhe vetëm për personat që e shfrytëzojnë për të shkuar në punë (për këtë nevojitet vërtetim nga punëdhënësi).
  6. Punë nga shtëpia për gjithë administratën dhe bizneset që mund të punojnë nga shtëpia. P.sh. në një bankë mund të punojnë kasierët, kurse të tjerët të punojnë nga shtëpia. Po kështu administrata, call center, etj. duhet të punojnë vetëm nga shtëpia.
  7. Punë me kapacitet të reduktuar duke respektuar masa strikte për parandalimin e infeksionit në të gjithë bizneset e tjera, sidomos ato fason, të cilat duhet të punojnë me turne, duke respektuar distancën. Në se gjykohet me vend, mbajtja e maskës profesionale gjatë punës në mjedise të mbyllura mund të bëhet me detyrim, si dhe testimi periodik i punonjësve.
  8. Heqja e ligjit absurd të mbajtjes së maskave prej lecke në rrugë dhe vendosja me detyrim e mbajtjes së maskave kirurgjikale ose FFP2 në çdo mjedis publik të mbyllur. Këto maska të rimbursohen nga shteti, të paktën për të moshuarit.
  9. Heqja e kufizimit të lëvizjes! Qytetarët të jenë të lirë të qarkullojnë pa maska 24 orë në ditë për t’u ushtruar në motin pranveror dhe për të rifituar imunitetin e dëmtuar gjatë dimrit.

Aty ku këto masa japin efekt, mund të fillojë lirimi gradual, aty ku nuk japin efekt mund të shtrëngohen më tej.

Por në radhë të parë, masa kryesore dhe pika e nisjes duhet të jetë largimi me ceremoni dhe hetimi ligjor i atij grupimi të paaftësh dhe puthadorësh që vazhdon akoma ta quajë veten “komitet ekspertësh” për t’i lënë vendin një ekipi të aftë dhe të pavarur që vlerëson më shumë jetën e qytetarëve se sa urdhërat dhe kapriçot e boratit! Vetëm një komitet ekspertësh të vërtetë është i aftë të zbatojë një strategji profesionale!

Të mos përdorim terminologji të pakujdesshme e cila mund dhe do të përdoret si justifikim nga qeveria për të keqpërdorur çdo rekomandim tonin! Le të jemi specifikë dhe thellësisht profesionalë në masat që propozojmë!

Masa po! Lockdown jo!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shkurti do të jetë muaji më i rrezikshëm i epidemisë në Shqipëri”

Eksperti Erion Dasho rendit masat që duhen marrë: Nëse nuk veprohet me urgjencë…