MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Fatos Nano, pasqyra ku mund të shohim mëkatet tona dhe krimet e Berishës

07.02.2021 - 16:21

Pasi e ndoqa intervistën e Fatos Nanos ditën e enjte dhe pasi kam parë thuajse të gjitha reagimet në formë komentesh që, në të shumtën e rasteve, ishin të mbushura me asgjësim total dhe, në të paktën e rasteve, disa prej autorëve ishin më seriozë dhe e tregonin Fatos Nanon ashtu siç ai është dhe siç do të më pëlqente mua ta identifikoja: pasqyrë e mëkateve tona dhe e krimeve të Berishës.

Dalja në publik pas një kohe aq të gjatë e bëri intervistën e Fatos Nanos më shumë një tekst të tranzicionit shqiptar të shkruar nga një prej personazheve kryesore të saj i cili jo vetëm është autor i kësaj periudhe, por, gjithashtu, edhe aktor edhe viktimë e saj.

Njihet një e vërtetë që, më së shumti, është bartur nga Bibla: ajo e fatit të dyfishtë të njeriut dhe historisë së ndërtuar prej tij. Siç dihet, ky fat është shenjuar nga konflikti mes Kainit dhe Abelit, vrasësit dhe të vrarit, të dënuarit me qëndrim, me moslëvizje dhe atij tjetrit të mallkuar me mërgim, me ikje. Në formë mitike, ajo që ndodh sot me emigrimet e mëdha nga njëra anë, dhe me ngulitjen e disa të tjerëve në anë tjetër, duket se është mallkimi i krimit fillestar të njeriut. Më tej akoma, hamendësimet tona, edhe pse janë pak të kërkuara, mund të shtyhen edhe në përqasjen me dy modelet e jetës: Apolonit dhe Dionisit, Arsyes dhe Ndjenjës, vetëpërmbajtjes dhe kënaqësisë. Për të ardhur në territorin tonë, më duhet të përmend se i pari që vizatoi këtë diadë në mënyrën se si është ndërtuar fati i shqiptarëve në rrymë të shekujve, ishte Sejfulla Malëshova, i cili, në fjalën e tij të famshme që e mbajti në Korçë me rastin e 28 Nëntorit e që pastaj e botoi në Revistën « Bota e re » – Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme – mes të tjerash shenjoi edhe frazën fatale që e ndau Shqipërinë dhe historinë e saj në dy pjesë, me dy palë aktorë, njëra që e kishte mbrothësuar Shqipërinë dhe tjetra që e kishte tradhtuar dhe e kishte shitur te të huajt, pa e ditur se edhe ai vetë shumë shpejt do të vendosej në anën e tradhtarëve.

Ai shkruan: « Ne jemi trashëgimtarët e vërtetë të Skënderbeut, të Kongresit të Prizrenit, të luftës patriotikë gjer më 1912, ne jemi trashëgimtarët e Kongresit të Lushnjes dhe të luftës së Vlorës më 1920, ne jemi trashëgimtarët e luftës së rëndë që bëri populli ynë nga 1924-a e gjer më 7 prill 1939 kundër regjimit të Zogut, i cili e kish futur Shqipërinë nën vasalitetin e Italisë fashiste, ne jemi trashëgimtarët e rezistencës së armatosur të ditëve të para të okupacionit fashist, ne jemi trashëgimtarët e demostratave heroike të qyteteve tona më 1939, ’40 dhe ’41. Ata që e quajnë veten « nacionalistë » tradhëtorët si Mustafa Kruja, Kol Bib Mirakaj, Gjon Marak Gjoni, tradhtarët e «Ballit» dhe të «Legalitetit» janë trashëgimtarët e vërtetë të Ballaban Pashës në kohën e Skënderbeut…etj. (Revista « Bota e Re », nr 1, Tiranë 1945).

E bëra këtë hyrje të gjatë për të treguar se politika shqiptare ende nuk ka kapërcyer fazën e saj ideologjike tradicionale. Projektimi me dy kahje i forcave politike është jehonë e kësaj sindrome që vjen nga e kaluara dhe që është ngulitur edhe në zhvillimin e sotëm politik. Shqipëria, gjithnjë sipas mendimit tim, ende nuk ka hyrë në fazën e zhvillimit demokratik dhe të pluralizmit të ideve, sepse forcat kryesore politike janë ende në fazën e organizimit të vjetër në formën e diadës, pra, të atyre që e duan Shqipërinë dhe të atyre që e shesin te të huajt. Dhe nga kjo pikëpamje, narrativa e Fatos Nanos e risolli edhe njëherë të plotë fillimin e kësaj ngjizjeje dhe aktorët kryesorë që e luajtën atë dramë në fillim.

Fatos Nano dhe Sali Berisha u shfaqën në fillimet e tranzicionit shqiptar si dy simbolet e atyre grupimeve që shenjonte Sejfulla Malëshova në vitin 1945. Të dy erdhën nga ajo që studiuesit perëndimorë e kanë quajtur elita e borgjezisë komuniste. Sali Berisha, me karizmën dhe dhuntinë e pushtetit u vu në krye të shtresave të mëdha që në atë kohë përfaqësonin progresin. Populli antikomunist dhe i zhgënjyer nga diktatura ishte në anën e drejtë të historisë dhe në krye të tyre u ngjit Berisha, një ish-komunist që kishte marrë përsipër tani të përmbyste dogmën. Ndërsa Fatos Nano, një liberal tipik dhe përfaqësuesi më i dalluar i elitës intelektuale të borgjezisë komuniste, u vu në krye të popullit që nuk e pranonte humbjen dhe që rënien e dikaturës komuniste dhe krimet e saj i relativizonte sidomos me vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare dhe me

Shqipërinë që kishin ndërtuar shqiptarët në rreth 40 e ca vjet. Kështu, Fatos Nano gati e zgjodhi me dëshirë sakrifikimin dhe mori mbi vete, po me bindje, edhe gjithë baltën që do të hidhej mbi të dhe mbi trashëgiminë e forcës që ai mori përsipër ta rinovonte. Ndërsa Sali Berisha, që siç tha Nano – hyri si intelektual në lëvizjen e madhe politike, duke qenë edhe për nga natyra asket dhe racional, kallëp i virtyteve komuniste dhe imazh i njeriut të ri që lufton veset dhe përqafon virtytet, e nisi ushtrimin e pushtetit me modelin e praktikave komuniste të cilat ai, siç e tregoi koha, jo vetëm që i kishte në gjak, por i kishte provuar edhe si shumë të suksesshme. Fatos Nano, qoftë edhe nga natyra e tij liberale dhe jeta private me vese dhe epikurane, nisi menjëherë që ta çlirojë Partinë që ai mori përsipër ta drejtonte nga dogma dhe kallëpet e ngurta komuniste. Berisha, i frymëzuar edhe nga afshi i luftës së klasave, që në fillim, shpalli si të keqen e historisë, as më shumë e as më pak, por kundërshtarin e tij politik – Fatos Nanon, të cilin e arrestoi dhe e burgosi. Berisha pastroi partinë e tij nga të gjithë kundërshtarët dhe e thau dhe e ngriu atë forcë politike duke luftuar sa majtas (grupin e Pashkos me shokë), sa djathtas (të përndjekurit politikë me Kurt Kolën).

Dhe të gjitha këto i përzjeu me çuditë e ekonomisë piramidale që do ta zhvillonin këtë vend jo me punën komuniste, por me rehatinë dhe me apatinë kapitaliste të frymëzuar nga mjeshtrat e piramidave. Ndërkohë që Nano ishte në burg, Sali Berisha u bë shkak që vendi të përfshihej në konfliktin social më të egër dhe më të pamëshirshëm në historinë e tij. Viti 1997 është periudha më e përgjakshme e rebelimit të armatosur të shqiptarëve, të cilët, si në asnjë rast tjetër, gati e zhbënë këtë vend. Dhe ky ishte rezultati i angazhimit politik të dy liderëve kryesorë, të dy simboleve që u vunë në krye të dy palë shtresave të shqiptarëve – Nanos dhe Berishës. Fatos Nano e pagoi reshtimin në anën e të mundurve me burg, ndërsa Sali Berisha e dogji Shqipërinë pikërisht se u vu në krye të fitimtarëve dhe aplikoi metodën dhe filozofinë komuniste në ndërtimin e tranzicionit shqiptar. Pas daljes nga burgu, Fato Nano pati shumë pak kohë që të vinte në jetë programin e tij. Në ato pak vite që qeverisi, atij dhe forcës që ai përfaqësonte, iu desh të rindërtonte

institucionet dhe shtetin e shkatërruar. Pastaj, brenda partisë së tij iu desh të formatonte dhe të ridimensiononte mendjet e atyre që kishin trashëguar PS-në. Në gjithë ato vite qeverisjeje ai, ashtu siç e tha edhe vetë, u soll si një liberal i pandreqshëm dhe nëse në jetën private shfaqte vese që dënoheshin nga organizatat e komuniste të partisë së punës, pra ishte më shumë se ç’duhet epikurean, në politikë dhe në qeverisje ai nuk kishte asnjë ves diktatorial. Mirëpo shoqëria shqiptare ishte e papërgatitur për të pranuar një figurë të tillë dhe disa herë ai u bë objekt refuzimi jo për shkak të vlerave në drejtimin e vendit, por për shkak të mungesës së normës në drejtimin e egos së tij. Në anën tjetër rrinte i strukur në zyrën e tij Berisha, që në jetë i mahniste të gjithë se e shtynte gjithë ditën si murg me një kafe, se ishte modeli i njeriut të virtytshëm komunist. Dhe të gjithë harronin për një çast se ai ishte autor i vdekjes së mijëra shqiptarëve në rebelimin e armatosur të vitit 1997, se ishte autori i burgosjes së liderit opozitar, se ishte njeriu që instaloi vjedhjen e votës dhe masakroi opozitën në shesh. Të gjitha këto krime të tij e përndiznin një pjesë të shqiptarëve dhe tek ai shihnin jo nevojën për t’u qeverisur, por dëshirën për revansh e për hakmarrje.

Fatos Nano, ndërkaq, e kishte kthyer gati në një lojë angazhimin e tij për të reformuar forcën politike dhe i nisur nga ideja se personaliteti i tij nuk rrezikohet nga askush dhe i mbrujtur me filozofinë e hapjes, në vend që të përjashtonte kundërshtarët e tij, u jepte atyre pushtet. Ilir Metën e bëri Kryeministër dhe pastaj edhe Majkon, por, për t’i sfiduar të dy, ftoi Edi Ramën në PS dhe sot kjo forcë politike jo vetëm që ka rezultuar më e suksesshmja, por të ngjan se edhe filozofia e Nanos është realizuar. Për ta bërë gjithë këtë revolucion në forcën politike që ai mori përsipër ta ndryshonte në vitin 1990, ai përdori si armë ironinë dhe vetironinë, satirën dhe sarkazmën. Me asnjë prej atyre që ai mori dhe la në Partinë socialiste nuk pati marrëdhënie si në vaj. Përplasjet në KPD, përplasjet me batuta dhe me ironi e sarkazëm edhe me Edi Ramën na tregojnë sot se Nano është një politikan që aksionin politik e mbështet te hapja dhe të dialogu dhe jo te mbyllja dhe asgjësimi. Në anën tjetër, sot, PD-ja është bërë imazhi i partisë së punës me të përjashtuar e me grupe armiqësore.

Trashëgimia që la Berisha në forcën që ai e mori për ta drejtuar në vitin 1990, është historia e një partie që solli vitin 1997, vrau protestues në Bulevard dhe përjashtoi gjithë krerët më të rëndësishëm të saj. Fatos Nano u largua nga politika duke treguar dinjitetin e një njeriu të realizuar e të vetëmjaftueshëm, Berisha nuk largohet dot sepse karriera e tij politike është një konflikt i vazhdueshëm që kërkon ushqim. Ndaj, për sa kohë që ai qëndron aty, Shqipëria nuk mund të shkëputet nga paraqitja në formë diade dhe tradicionaliste e të vjetëruar të skenës politike. Ndërsa, sa herë që Fatos Nano shfaqet në publik, ne të gjithë kujtohemi se njeriu që po vazhdon të na mbajë të mbërthyer në konflikt dhe ai që nuk e lejon opozitën që të vijë në pushtet, quhet Sali Berisha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin