MENU
klinika

"Qëllimi ynë është që zgjedhjet të..."

Fillon fushata e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë

03.02.2021 - 08:28

Fushata për zgjedhjet e parakohshme 2021 në Republikën e Kosovës fillon sot zyrtarisht dhe do të vazhdojë deri më 12 shkurt.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, ku në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, transmeton Telegrafi.

Në këto zgjedhje janë 143.006 votues më pak sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe kjo ka ndodhur pasi që është bërë pastrimi i listave nga personat e vdekur dhe nga ata me dokumente të UNMIK-ut. Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara.

Qytetarët që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 deri më 12 shkurt për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Ndërkaq, identifikimi i personave të cilët janë të infektuar me coronavirus do të fillojë sot më 2 shkurt nga KQZ-ja dhe do të zgjasë deri më 11 shkurt. KQZ-ja do të dërgojë ekipe mobile te personat të cilët shprehin vullnetin për të votuar nëpër adresat e tyre.

Për procesin zgjedhor tashmë janë angazhuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria, Policia e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ-ja, që është institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, konsideron se janë arritur kapacitetet e mjaftueshme për ta mbikëqyrur dhe organizuar vetë procesin zgjedhor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se ky institucion bart barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve. Daka shtoi se organizimi i zgjedhjeve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin ndërinstitucional.

“Jemi të vetëdijshëm që bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ti shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qëllimi ynë është që zgjedhjet të mbahen në përputhje me ligjin dhe të reagojmë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës”, ka thënë Daka.

Ajo ka shtuar se KQZ është angazhuar vazhdimisht për organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë. Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se sistemi prokurorial është angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë për qytetarët e Kosovës.

Pula ka thënë se janë angazhuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial për këtë proces zgjedhor, transmeton Telegrafi.

Kryesuesi i Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani ka thënë se PZAP ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për kryerjen e të gjitha aktiviteteve që janë në mandatin e PZAP-së Ai ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët e PZAP dhe stafi i sekretariatit janë të gatshëm për shqyrtimin e të gjitha ankesave dhe apeleve që dalin nga këto zgjedhje.

Sylejmani gjithashtu tha se PZAP do të punojë me orar të zgjatur. Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se KGJK është mobilizuar për këtë proces zgjedhor. Ajo ka bërë të ditur se KGJK ka angazhuar 30 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve të cilët do të jenë kujdestar dhe do tu përgjigjen të gjitha kërkesave eventuale që vijnë nga Prokuroria.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka bërë të ditur se pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, policia ka hartuar një plan operativ.

Ai gjatë konferencës së përbashkët me përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurori e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Komisioni i Pavarur i Medieve dhe OJQ, ka garantuar se qytetarët do të jenë të sigurt në ditën e zgjedhjeve.