Zhdukja e biznesmenit italian Davide Pecorelli në Shqipëri, vijon që të jetë mister për organet e drejtësisë.
Mediat italiane vijojnë që herë pas here të ndjerrin detaje në lidhje me biznesmenin, ndërsa hipoteza e vetëvrasjes, e hedhur fillimisht nga policia shqiptare është lënë mënjane për momentin.
Së fundmi një nga miqtë e tij në një intervistë për mediat italiane është shprehur se ai dhe miku i tij kishin lënë që të hapnin një biznes në Umbria.
“Kemi shkëmbyer mesazhe disa herë gjatë muajit Dhjetor, ai ishte i qetë, shpërthyes si zakonisht, optimist për biznesin që do të zhvillonte në Shqipëri. Çfarë biznesi? Nuk e di me siguri”, ka thënë ai, pasi Pecorelli po vijonte të kërkonte një kompani, për të filluar prodhimin e mallrave me markën ‘Hairdressers Milan’ që ai më pas mund t’i eksportonte në Itali.
Ndër të tjera italiani shprehet se miku i tij përmes një mesazhi të dërguar në WhatsApp, i tregonte se kishte hapur një biznes në një qendër tregtare në Vlorë, gjithashtu i kishte thënë se do të kthehej në Itali më 10 Janar .
Ndërsa në lidhje me pistën e vetëvrasjes, miku i biznesmenit shprehet skeptik për një gjë të tillë.
“Le të mos bëjmë shaka , për çfarë arsyesh duhej të bënte një gjë të tillë?”, ka thënë ai.
Megjithatë është ende e paqartë arsyeja pse 45 vjeçari në një kohë kur të gjitha bizneset e tij ishin në Vlorë, ai duhej të udhëtonte në drejtim të Pukës.
Ndërkohë, deri më tani as hetuesit italianë dhe as shqiptarët nuk kanë janë ende në gjendje të përcaktojnë nëse Davide ishte në makinën e djegur afër Pukës. Kjo për faktin se brenda automjetit u gjetën vetëm disa eshtra dhe sende personale.
Ndërsa pastori që thirri policinë tha se nuk kishte dëgjuar ndonjë thirrje për ndihmë. E gjithë kjo do të marrë fund, në përfundim të analizës së ADN-së, si e vetmja provë e aftë për të provuar nëse Davide Pecorelli ishte brenda makinës Skoda apo jo.
Edhe pse pritej që të hënën do të bëhej ekzaminimi i ADN-së së eshtrave të gjetur në makinën e biznesmenit një gjë e tillë është shtyrë për disa ditë. Në anën tjetër Prokurori Publik i Perugias ruan konfidencialitetin për hetimin në lidhje me zhdukjen, në Shqipëri, të sipërmarrësit. 45-vjeçari nuk ka pasur kontakte me familjen e tij që nga 6 janari.