MENU
klinika

U akuzua për rrëmbimin e Jan Prengës

Gjykata liron nga burgu Ardian Doçajn

02.02.2021 - 10:52

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka liruar nga burgu një nga personat e arrestuar si të përfshirë në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës. Ardian Doçaj është lënë në masë sigurimi “Detyrim paraqitje”, ndërsa kërkesa është bërë nga avokati i tij, Tonin Prendi.

Doçaj akuzohet nga organi i akuzës si i përfshirë në pengmarrjen e vitit të kaluar të Jan Prengës, ku të përfshirë ishin edhe disa grupe kriminale, kurse krimi ishte porositur që nga Ekuadori.

Jan Prenga është viktimë e një përplasjeje për një ngarkesë të konsiderueshme kokaine në Angli. Kjo ngarkesë dyshohet se i përket Dritan Rexhepit, një shqiptar i burgosur në Ekuador, ndërsa dyshohet se dha urdhër t’i bëhej presion Astrit Prengës për të liruar ngarkesën me drogë. Dhe ky presion do të bëhej duke i marrë peng vëllanë në Shqipëri, Jan Prengën, që jetonte në Kamëz.

Organizatorë të ngjarjes së janarit dyshohet të jenë anëtarë të tri grupeve kriminale, mes tyre dhe Altin Hajri. Kurse Ardian Doçaj u vetëdorëzua më 5 shkurt në Han të Hotit, madje OFL-ja i sekuestroi edhe banesën.

VETËDORËZIMI NË POLICI

Ardjan Doçaj është vetëdorëzuar pranë autoriteteve të Policisë 19 ditë pas pengmarrjes së Jan Prengës, ndërkohë që një ditë para se të dorëzohej, OFL-ja i sekuestroi pasuritë në Shkodër. Doçaj u vetëdorëzua në pikën kufitare të Hanit të Hotit, teksa udhëtoi nga Vjena në drejtim të Podgoricës.

Vetë Doçaj është shprehur në një seancë gjyqësore se nuk ka lidhje me pengmarrjen e Jan Prengës dhe se asnjëherë nuk e ka njohur atë njeri. Po ashtu, Doçaj shprehej atë kohë se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.

“Nuk i jam shmangur në asnjë moment drejtësisë, kam qenë jashtë shtetit, erdha u vetëdorëzua dhe kërkoj hetimin në gjendje të lirë”, është shprehur Ardjan Doçaj atë kohë. Ditën kur është vetëdorëzuar Ardjan Doçaj, në media ka folur edhe vëllai i tij.

“Vëllai im nuk i ka asgjë borxh Shqipërisë dhe as jetë krimi. Ka ikur nga Shqipëria më 2 nëntor dhe është kthyer vetë me vullnetin e tij se është shpallur në kërkim në lidhje me rrëmbimin, s’ka lidhje me jetën e krimit. I lutem shtetit shqiptar të mos marrin djem nënash në qafë se s’i kemi gjë borxh”, deklaronte vëllai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN