MENU
klinika

Analizë nga Andi Bushati

Ilir Meta nuk ka pse fshihet, duhet të dalë hapur në fushatë

23.02.2021 - 14:03

Ilir Meta është futur në një qerthull pa krye duke dashur të justifikohet për akuzat e shumicës parlamentare, se ai po bën fushatë kundër partisë shtet. Rama e akuzon se po takon fshehtas personazhet e OFL-së, Presidenti i përgjigjet se ai monitorohet nga Garda.

I pari hedh dyshime për takime okulte politike, i dyti i tregon perimetrin e lëvizjeve Lalëz-Presidencë. Kryeministri dhe njerëzit pranë tij e denoncojnë se po bën përpjekjet e fundit për të shpëtuar LSI-në nga disfata, kreu i shtetit simulon takime fallco me gjoja OJF.

I gjithë ky teatër, që nuk e beson askush, duhet të marrë fund. Të gjithë e dinë se tashmë prej shumë kohësh, Ilir Meta është futur në një kurs të mirfilltë prej opozitari. Të gjithë e kuptojnë se ai e ka kapërcyer rolin steril të njeriut që qëndron mbi palët. Me dekretet e kthyera, me ministrat e pa nënshkruar, me zgjedhjet lokale të anulluara, ai ka përvijuar më tepër rolin e një kundërshtari ndaj autokracisë, sesa të një presidenti të një republike normale demokratike.

Prandaj në vend që të dredhojë për atë që realisht po bën, Ilir Meta duhet ta marrë burrërisht përsipër qëllimin që i ka vënë vetes. Gjithkush e ka të qartë se ai nuk po del nga kornizat e juridiksionit presidencial në një situatë të zakontë. Gjithkush e kupton se përballë ai ka një kundërshtar që sillet sipas modelit të hajdutit që thërret kapeni hajdutin.

Vetë Edi Rama ka thyer çdo lloj kodi ligjor dhe moral për mospërfshirjen e administratës në zgjedhje. Ai është i njëjti që i bëri thirrje policëve të heqin kapelet dhe të bëjën fushatë për PS-në. Ai është i njëjti që shfrytëzoi dhënien e tapive, fshat më fshat për qëllime elektorale.

Ai nuk po tregon asnjë farë skrupulli për të përdorur tragjedinë e tërmetit, në funksion të zgjedhjeve të fund prillit dhe po sillet si një infermier ambulant duke berdhur nëpër Shqipëri me një dorë vaksina, po për të njëjtin qëllim.

Pra, të dëgjosh nga frymëzuesi i vjedhjes së votave me Avdylajt në Durrës dhe i zbulimit të çamëve në Dibër, se kreu I shtetit po i tejkalon disi korrnizat strikte të ligjit, është kulmi i pafytyrësisë.

Kësaj hipokrizie, Ilir Meta nuk ka pse i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Një presidenti të cilit partia shtet i ka përmbysur në mënyrë të kundërligjshme dekrete si ai për dividentin, që nuk ka pranuar në mënyrë banditeske ti botojë aktet në fletoren zyrtare, që i ka ndryshuar sipas qejfit të drejtat dhe kompetencat, nuk mund të luajë rolin idiot të atij që qëndron mbi palët. Në këtë mënyrë ai do të të kthehej në lolon e regjimit.

Ilir Meta nuk është veshur prift, madje as nuk e ka përkundur këtë fantazi dhe në ëndrrat e veta më të çmendura, që të kthejë faqen tjetër, sa herë e godasin nga njëra anë. Me mënyrën plot hije dhe dritë, kulisash dhe përballjesh, intrigash e betejash, me të cilën e ka çarë rugëtimin e tij politik, një sjellje e tillë as që mund të pretendohet prej tij.

Por, jo vetëm presidenti aktual, por askush tjetër në vendin e tij, nuk do të kishte luksin të sillej në mënyrë asnjëanëse në kushtet e këtij regjimi. Ç’do lloj barazlargimi kundrejt kësaj bande, do të ishte një lloj kolaboracionizmi me të.

Pikërisht për këtë, Ilir Meta duhet ti flakë dhe skrupujt e fundit presidencialë dhe të hidhet kokë e këmbë në fushatë.

Natyrisht, duke e bërë, duhet të marrë parasysh se roli i tij do të fshikullohet në ndonjë raport të ODHIR, se në një rekomandim të mundshëm të Venecias kjo praktikë do të goditet, se diplomatët sqimtaro – qesharakë të Tiranës, do të rrudhin buzët për këtë sjellje. Por ama e rëndësishme është të identifikojë se kë ka përballë, se beteja kryesore është kundër dikujt që nëse do të ishte shqetësuar për këto detaje, nuk do ta kishte drejtuar Shqipërinë drejt një autokracie erdoganeske.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!