MENU
klinika

Zbulimi më i ri

Insulina mund të mos ketë nevojë për ftohje!

05.02.2021 - 13:20

Studiuesit raportojnë se insulina mund të ruhet në temperatura më pak të ftohta se sa mendonim më parë, duke thjeshtuar potencialisht kujdesin ndaj diabetit për njerëzit në rajone të ngrohta që kanë më pak burime.

Studiuesit nga Universiteti i Gjenevës testuan ruajtjen e insulinës në kushte reale që varionin nga 25 në 37 gradë celcius për katër javë – koha që zakonisht duhet për të përdorur një shishkë.

Ata zbuluan se qëndrueshmëria e insulinës së ruajtur në këto kushte ishte e njëjtë me atë të insulinës së ruajtur në të ftohtë, pa asnjë ndikim në efektivitetin e saj.

“Këto rezultate mund të shërbejnë si një bazë për ndryshimin e praktikave të menaxhimit të diabetit në mjediset me burime të ulëta, pasi pacientët nuk do të duhet të shkojnë në spital çdo ditë për injeksionet e insulinës”, tha autorja e studimit Philippa Boulle, një këshilltare e sëmundjeve jo-ngjitëse .

Boulle tha se kjo do të duhet të shkojë dorë për dore me edukimin, mbështetjen dhe ndjekjen e pacientit në mënyrë që njerëzit me diabet të mund të masin nivelet e sheqerit në gjak dhe të injektojnë sasinë e duhur të insulinës.

Studiuesit shpresojnë për një deklaratë konsensusi që përqendrohet në përdorimin në shtëpi të insulinës në mjediset e temperaturave të larta kur nuk ka ftohje. Ata gjithashtu shpresojnë se do të miratohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Njerëzit me diabet tip 1 injektojnë insulinë për të ndihmuar sheqerin të hyjë në qeliza. Sëmundja shkakton nivele të ngritura të sheqerit në gjak, të cilat mund të shkaktojnë koma, verbëri, amputim dhe vdekje nëse nuk menaxhohen.

Protokollet aktuale farmaceutike bëjnë thirrje që pacientët të ruajnë insulinën në 2 deri 8 gradë celcius deri sa të hapen dhe më pas në 25 gradë për katër javë.

Insulina e ruajtur në temperatura të luhatshme humbi jo më shumë se 1% të fuqisë, zbuluan studiuesit e Universitetit të Gjenevës.

“Rregullorja mbi përgatitjet farmaceutike lejon një humbje deri në 5%, kështu që ne jemi shumë poshtë kësaj,” tha bashkëautori Leonardo Scapozza, një profesor i biokimisë farmaceutike.

Ai dhe kolegët e tij gjithashtu zbuluan se aktiviteti i insulinës ishte ruajtur plotësisht. “Insulina ishte krejtësisht e përdorshme,” tha Scapozza në njoftim.

Gjetjet u botuan më 3 shkurt në revistën PLOS ONE.