Liqeni i Komanit dhe Vaut të dejës si dhe hapësira e blertë përreth tyre pritet të kthehen në dy pole të turizmit shqiptar falë investimeve që do të nisë Korporata Energjetike Shqiptare.
Projektet që do të financohen nga buxheti i vitit 2021 parashikojnë investime infrastrukturore përgjatë dy liqeneve, shtimin e moleve dhe hapësirave të parkimit, si dhe ndërtimin e një muzeu të energjisë dhe ngritjen e një parku të gjelbër.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur vënien në zbatim të disa projekteve ambicioze për zhvillimin e turizmit përgjatë vijës liqenore të Komanit dhe Vaut të Dejës. Ndërhyrja synon të shndërrojnë zonën në një destinacion tërheqës turistik dhe një urë lidhëse me qytetit të Shkodrës dhe Alpeve Shqiptare.
Puna ka nisur prej një viti me financimin e studimit për të gjithë zonën ku me buxhetin e vitit 2021 parashikohet zgjerimi i portit në Koman, ndërtimi i muzeut të energjisë shqiptare si dhe një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturë në ndihmë të vizitorëve.
Ndërkohë KESH parashikon investime të tjera në një fazë të mëvonshme që synojnë krijimin e një rrjeti të gjerë molesh të shtrirë në hapësirën liqenore si dhe krijimin e parkut të energjisë së gjelbër.