MENU
klinika

Cili do të jetë fati i Kurtit?

Kjo sfidë e pret Qeverinë e re të Kosovës

11.02.2021 - 10:52

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të përmbyllet me qeverisjen e re e cila do të formohej pas 14 shkurtit.

Qeveria e Vetëvendosjes me në krye Albin Kurtin do të përmbyllë me një marrëveshje dialogun Kosovë-Serbi, i cili është stërzgjatur. Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka rrëzuar tri qeveri në Kosovë për mos përmbyllje të një marrëveshje.

Por, cili do të jetë fati i Qeverisë Kurti, a do të bëhej “hero” me një super marrëveshje me Serbinë, apo mund ta ketë fatin e paraardhësve të tij, të cilët dështuan dhe u rrëzuan nga pushteti.

Në lidhje me këtë, profesori Binak Maxharraj, thotë se, është e tmerrshme të konstatohet që Serbia dhe Kosova gjatë periudhës së tranzicionit patën për president Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçin.

“A. Vuçiq i takon skuadrës vrastare të Millosheviqit dhe çetnikut Vojisllav Sheshel. A. Vuçiq më të cilin po bisedon Thaçi është një rrugaç, rrenc i pabesë bile edhe fytyrën e ka të kriminelit, sepse është bashkëpjesëmarrës i krimeve të Millosheviqit dhe çetnikut Vojisllav Sheshel. Aleksandër Vuçiq nuk është njeri i paqes, nuk është aspak paqësor, nuk e di se çka është Demokracia Perëndimore, por i përfaqëson vlerat Sllave, vlerat e urrejtjes ndaj njerëzve. Ky njëri është i pa paskrupullt të cilit nuk duhet besuar asgjë kur është fjala për raportet e tij me Kosovën”, thotë profesori. Sipas tij, ky njeri në krahasim me Presidentin e Kosovës, Thaçin, e do vendin e vetë, lufton për vendin e vet.

“Ky njeri është më meritori qe Veriu i Kosovës është në këtë gjendje që është që për 20 vjet e mbajti flakën ndezur në veri, sepse me mendje dhe zemër ishte në Kosovë, hynte dhe delte nga ajo kur të dojë. Këtij njeriut edhe nuk i interesojnë aq shumë një grusht serb në Veri, por i intereson nëntoka, pasuritë marramendëse nëntokësore të Veriut, ky njeri është në gjendje të bëjë çmos për të mos u larguar nga Veriu, të cilin vet Hashim Thaçi ia la në dorë, dhe tani po do edhe me ja marrë krejt. Kjo është edhe platformë e Serbisë që shtyri të hyjë në dialog sipas projekteve shumëvjeçare proserbe për “Kosovën” e saj, për ndarjen e saj. Këtij njeriu i ra rasti që të bisedojë, dialogojë për çështjen e Kosovës. Erdhi deri te dialogu sepse vete na lejuam, sepse patëm njerëz të padijshëm, hajna të korruptuar në pushtet, të cilët nuk e do shtetin e vet, por luftojnë për pushtet”, potencon tutje ai.

Tutje Maxharraj thotë se çuditërisht kur kuislingu Hashim Thaçit i hasi sharra në gozhdë ne samitin e Berlinit për ndarjen e Kosovës, ai haptas doli kundër Evropës, posaçërisht kundër Kancelares Angela Merkel.

“Nga ky moment Thaçi e filloi fshehtas bisedën me Richard Grenell që ishte ambasador në Berlin për mundësinë e zhvendosjes së dialogut në Uashington, duke shpresuar se këtu do ta gjen mundësinë për ndarjen e Kosovës me Serbinë, e cila edhe në këtë dialog mbahej në fshehtësi derisa nuk e zbuloi Joe Bolton, këshilltar i Trumpit, të cilin kryeministri i posa zgjedhur Albin Kurti refuzoi një mendësi të këtillë, çfarë i kushtoi me rrëzimin e tij nga qeveria nën trysninë e treshes Thaçi-Grenell-Mustafa, që e sollën në pushtet qeverinë kukull të A,Hotit. Thaçi dhe Hoti. Por çarqet sekrete zbuluan rrezikun që po i kanosej Kosovës nga kjo administratë jo dashamirëse për Kosovën dhe e ndalën Thaçin hiq me larg se në 1200 metra lartësi e drejt në Hagë, çfarë Vuçiq dhe Grenell mbetën me gishta në gojë”, thotë profesori.

Ai shton se, dialogu vazhdoi në Shtëpinë e Bardhë pa Thaçin, midis Hotit dhe Vuçiqit.

“Hoti i entuziazmuar për këtë dialog pati deklaruar se po shkon në Shtëpinë e Bardhë me të vetmin qëllim, që të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia, me trysninë e Amerikës. Në pikën dhjetë ishte paraparë që Serbia ta njohë Kosovën. I ashpër ishte Vuçiq që ulëroi si kafsha dhe bash në qendrën e botes në Zyrën Ovale të Presidentit më të fuqishëm të botës, i tha presidentit: JO nuk e njohë Kosovën si shtet, kurse Presidenti Trump nuk reagoi fare, sikur u frikësua nga Vuçiq, por nuk reagoi as ky qyqani i jonë, Hoti, i cili nuk e hapi gojën fare, por ishte paluar si pula dhe kështu humbi shansi historike për njohjen e Kosovës nga Serbia, çfarë tregoi qartë se kjo administratë ishte pro-serbe, çfarë edhe e diktoi me kohë Albin Kurti. E qartë marrëveshja e 4 shtatorit 2020 dështoi për njohjen e Kosovës nga Serbia. Nga këto marrëveshje pati fitim vetëm Serbia, e fitoi Minishengenin, daljen në det, por edhe u bë hisedare në Ujman, që kurrë nuk ishte i Serbisë, kurse Kosova si satisfaksion mori vetëm njohjen nga Izraeli, nën trysninë e presidentit Trump”, potencon ai.

Sipas tij për një marrëveshje të mundshme përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, kohët e fundit po flitet shumë si në Amerikë po ashtu edhe në Evropë, që të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë qe si rezultat do të kishte normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre vendeve dhe njohjen reciproke.