MENU
klinika

Largimi i diplomatëve gjatë vizitës së Borrell

Konfliktet BE-Rusi bllokojnë raportet mes tyre

10.02.2021 - 09:06

Qëndrimi i Kremlinit është goditje për vendet evropiane që favorizojnë hapjen e Moskës. Qëndrimi luftarak i Rusisë ndaj diplomatit të lartë të BE gjatë një udhëtimi historik atje ka shkaktuar një protestë politike – por ka pak pritshmëri  që blloku evropian do t’i japë fund ndarjeve rreth mënyrës së trajtimit të Kremlinit.

Shumica e vëzhguesve thonë se raporti BE-Rusi do të ngrijë marrëdhëniet tashmë të akullta edhe më shumë dhe do të rrisë shanset që Evropianët të lëvizin drejt sanksioneve mbi ndalimin nga Rusia të Alexei Navalny, aktivist i opozitës.

Por pak e shohin të mundur një zhvendosje nga vendet e fuqishme anëtare të drejtuara nga Gjermania dhe Franca në një politikë më agresive, duke pasur parasysh interesat ekonomike, energjetike dhe strategjike në lojë.

Ligjvënësit e BE mbajtën një reagim të ashpër të Martën si ndaj Rusisë dhe Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të bllokut, për një vizitë të trazuar në Moskë javën e kaluar që disa shtete anëtare e kishin kundërshtuar.

Kati Piri, një eurodeputet social demokrat holandez, i tha Borrell se Rusia e kishte përdorur atë për të “poshtëruar dhe ofenduar” BE, duke shtuar se faji për udhëtimin e tij duhet të ndahet me vendet anëtare.

“A do të kishte ndodhur gjithashtu kjo nëse udhëheqësit e BE do të kishin marrë një qëndrim më të ashpër?” tha ajo për vizitën e parë nga një zyrtar i lartë i BE në Moskë që nga viti 2017. “Ajo që na duhet është një strategji e bashkuar mbi Rusinë në funksion të sfidave që Rusia po paraqet për sigurinë tonë.”

Borrell ka ndeshur kritika të ashpra nga disa diplomatë të bllokut për trajtimin e tij të asaj që ai më vonë e quajti një konferencë shtypi “të organizuar në mënyrë agresive” të Premten me Sergei Lavrov, ministrin veteran të jashtëm të Rusisë. Qeveritë e BE, megjithatë, janë akoma më të zemëruara nga vendimi i Moskës për të vënë në siklet Borrell duke dëbuar diplomatët, atë gjerman atë nga Polonia dhe Suedia ndërsa ai ishte në vend.

Borrell mbrojti udhëtimin e tij dhe tha se marrëdhëniet BE-Rusi janë kthyer në pikën fillestare që nga rënia e murit të Berlinit më shumë se tre dekada më parë, pasi Moska nuk “kishte përmbushur kriteret për t’u bërë një demokraci moderne”.

“Përkundrazi ka një zhgënjim të thellë dhe mosbesim në rritje midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë,” tha ai. “Shumë nga shtyllat tradicionale të marrëdhënieve Rusi-Evropë po bien”.

Në Gjermani, kishte një tërbim të përhapur mbi sjelljen e Kremlinit. Berlini siguroi që BE të vendosi sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të saj të Krimesë në 2014, por që prej asaj kohe ka mbajtur një qëndrim më pak konfrontues.

“Është një goditje e vërtetë për të gjithë ata në Gjermani dhe Evropë që mbështesin dialogun me Rusinë,” tha Jürgen Hardt, zëdhënësi i punëve të jashtme të Unionit Kristian Demokrat të Kancelares Angela Merkel. “Sa herë që ua shtrijmë dorën atyre, ata e shtyjnë atë.”

Megjithatë ekziston edhe një mosmarrëveshje e thellë për mënyrën e reagimit. Opozita e Gjermanisë ka insistuar që Berlini të shkëputet nga Nord Stream 2, tubacioni i ri që sjell gazin rus direkt përtej Detit Baltik në Evropë. Por qeveria e Merkel është duke qëndruar pranë projektit.

Në vend të kësaj, partnerët e saj të koalicionit thonë se BE duhet të rritë përdorimin e saj të sanksioneve kundër presidentit Vladimir Putin dhe biznesmenëve që mbështesin regjimin e tij.

“Ne kemi nevojë për sanksione të shënjestruara kundër elitës ruse, oligarkëve pro-Kremlinit,” tha Nils Schmid, zëdhënësi i punëve të jashtme të Social Demokratëve gjermanë, partner, në koalicionin e Merkel. “Nuk ka kuptim të kemi edhe një debat tjetër për të drejtat dhe gabimet e Nord Stream 2.”

Moska nuk ka treguar shenja keqardhjeje për vizitën e Borrell ose pasojat e saj, e cila përfshiu dëbimet e diplomatëve rusë të hënën nga Gjermania, Suedia dhe Polonia.

“Kush largohet nga kush”, pyeti Lavrov në përgjigje të komenteve të Borrellit se Rusia “shkëputet progresivisht nga Evropa”. “Ndoshta është vetë Bashkimi Evropian që po tjetërson Rusinë, gjuhën dhe kulturën ruse?”

Lavrov tha se ai kishte përdorur bisedimet e tij me Borrell për të “riafirmuar” dëshirën e Rusisë për të rivendosur marrëdhëniet “bazuar jo në kërkesa të njëanshme, por në respekt të ndërsjellë dhe në konsideratë të interesave të njëri-tjetrit”.

Zëdhënësi i Putinit tha se dëbimi i diplomatëve të BE-së nga Moska tregoi se “qartë nuk do të tolerojë” ndërhyrjen në punët e saj të brendshme.

“Rusia ka qenë dhe mbetet e interesuar në rivendosjen e marrëdhënieve midis Moskës dhe Brukselit. Nuk ishim ne që iniciuam shkurtimin e atyre marrëdhënieve,” u tha Dmitry Peskov gazetarëve të hënën.

Andras Racz, një studiues në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme, tha se qëllimi i Rusisë ishte të dërgonte një mesazh të qartë për Evropianët  dhe në këtë ajo kishte sukses.

“Ky mesazh është: ‘mos ndërhyni në punët tona të brendshme’. Dhe për ta, Navalny është shumë çështje e brendshme,” tha ai. “Ata gjithashtu dëshironin të dërgonin një sinjal se janë të interesuar për marrëdhënie të mira me BE-në vetëm nëse përputhet me kushtet e Rusisë.”

Refuzimi ngre një sfidë për vendet e BE-së, të udhëhequr nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, të cilët favorizojnë hapjen në Kremlin.

Ai fraksion tani është dobësuar, ndërsa avokatët e një qasjeje më të ashpër, të tilla si tre shtetet baltike dhe Polonia, ndihen të shfajësuar.

Arnaud Dubien, drejtor i think-tank Observatorit Franko-Rus, tha që Macron vazhdoi të kërkonte të negocionte me Putinin edhe përballë rezistencës nga disa njerëz brenda administratës së tij. Ai fliste me udhëheqësin rus pothuajse çdo javë.

“E vetmja gjë që Rusia dëshiron nga ky dialog është që BE të ndryshojë sjelljen e saj. Rusia nuk është aspak e gatshme të ndryshojë sjelljen e saj,”  tha Tatiana Kastouéva-Jean, eksperte e Rusisë në institutin e marrëdhënieve ndërkombëtare franceze Ifri.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga Financial Times/ F.H, Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndërsa tensionet për arrestimin e Navalnit, shtohen

Rusia do të dëbojë tre diplomatë të BE-së