MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Kosova duhet çliruar nga papërgjegjshmëria!

10.02.2021 - 16:14

Ka një zell të ngutur pushteti për zgjedhjet e fundjavës në Kosovë. Madje, ato po quhen njëherazi referendum, sepse VV-ja mëton të marrë mbi 60 deputetë që do t’i mundësojë të mos futet në koalicion me askënd dhe të imponojë krejtësisht reformat e veta. Albin Kurti ka premtuar se:” Nuk do të qeverisim për të sunduar e as për t’u pasuruar. Edhe Osmani edhe unë do të mbetemi klasë e mesme. Për t’u pasuruar është biznesi”. Më pas ka thënë se nuk do ndalen para kriminelëve, se do ndihmojnë fermerët dhe… çiftet e reja. Zotime të bukura dhe të shumëpritura për Kosovën, që është këputur në mes nga premtimet e vazhdueshme të zgjedhjeve, por pa logjikën shoqëruese të efikasitetit në buxhet.

“Kemi mbështetur masivisht bizneset, e dimë çfarë duan, i mbajnë mend politikat fiskale të Qeverisë Mustafa, tash e mbajnë mend pakon e rimëkëmbjes. Nuk i kemi orientimet e kuqe por civilizuese, ta ruajmë rendin demokratik në Kosovë”, thotë kryeministri në detyrë Hoti, që mbron ngjyrat e zbehta të LDK-së. Vetëm se njerëzit nuk mund të harrojnë se më 2014, kryetari i tij Isa Mustafa e braktisi koalicionin VLAN, për t’u bashkuar me armikun më të madh elektoral PDK-në. Madje, i dha edhe një dorë me zgjedhjen e Thaçit dhe që andej vetëm ka prodhuar pasiguri në politikën e Kosovës, që gjithsesi u kurua pakëz me Hotin teknokrat.

Vetëm se në Kosovë nuk të thonë dot sesi do ta rehatojnë atë mori me zëvendësministra, ministra e zëvendëskryeministra, e lloj-lloj koordinatorësh, që duhen për balanca politike. Plot 877 mijë € kushtonin pagat e mbi 50 zëvendësministrave të emëruar prej konjukturave në një vit, impakti i të cilave për Kosovën është fare i pallogaritshëm. Po ashtu nuk do të thonë sesi do ta menaxhojnë situatën e pandemisë, rezultatet e të cilës do të këqyret pas 14 Shkurtit. Tek e fundit, hipokrizi më të madhe se dalja nëpër tubime me qindra e mijëra militantëve, nuk e di a ka. Dhe, përderisa fushata e vaksinimit nuk ka filluar dhe nuk ka ende një datë apo një parashikim të saktë, është shqetësuese kur mendon se premtimi i luftimit të pandemisë me vaksinimin (politikanët kosovarë e teprojnë edhe këtu kur e çojnë në masën e 50-60-70% e deri 100%), e kur të gjithë e shohin se Kosova dhe Shqipëria Amë pandemia po ua dredh gjunjët dhe se nuk kanë data e afate të precizuara vaksinimi, është një përrallë e bukur, ashtu si premtimet e sotme.

Respekti ndaj masave të Covid-it mund të dukej si serioziteti i parë i programeve të së ardhmes, por me këtë dështuan partitë e Kosovës, ashtu si me shumë gjasë sërish do dështojnë me premtimet e larmishme, që po ua shpalosin sërish qytetarëve nëpër Kosovë. Kjo e fundit nuk ka nevojë për asgjë, thjesht të çlirohet nga papërgjegjshmëria.