Gjatë muajit shkurt, Kosova pritet të marrë 100 mijë vaksina nga skema e njohur si “COVAX”, e cila para disa ditësh dha vet njoftimin.
Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët kanë thënë se dozat e para pritet te shpërndahen në Kosovë në javët e fundit të muajit shkurt, pa treguar ndonjë datë të saktë.
Kontingjenti i parë do të përfshijë 100.800 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, ndërsa efikasiteti i saj kalon 90 përqindëshin dhe merret në dy doza.
Para disa jave, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë hartuar një plan të veprimit për vaksinimin kundër koronavirusit, që do të nisë së zbatuari kur të arrijnë vaksinat, e që përfshin kategorinë më të rrezikuar nga COVID-19, që janë persona mbi moshën 65 vjeç dhe punëtorët shëndetësorë.
Kosovarët me vaksinë marrin edhe “pasaportën COVID-19”
Shumë shtete në Evropë dhe botë janë duke parë “pasaportën COVID-19” si një mundësi për të kthyer normalitetin, e cila do ju jepet të gjithë atyre që marrin dy dozat e vaksinës, ndërsa së fundmi Shqipëria ka bërë të ditur se ka nisur lëshimin e këtyre dokumenteve për të gjithë ata që janë vaksinuar.
Edhe Kosova pritet që të bëjë të njejtën, ku bashkë me vaksinimin do të shpërndajnë edhe “pasaportën COVID-19”.
Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë për “Zërin” se edhe kosovarët do të pajisen me dëshmi të tilla pasi të marrin dy dozat e vaksinës.
“Sipas Planit të imunizimit kundër COVID-19, secili person që vaksinohet do të pajiset me kartonin apo qysh do që të quhet për të dëshmuar se i ka marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19”, kanë thënë për “Zërin” nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ditë më parë ka deklaruar se Kosova pritet t’i kthehet normalitetit gjatë kësaj vere, ndërsa vendi ynë është ndër të paktët në Evropë që nuk ka nisur akoma vaksinimin kundër COVID-19.
“Vaksina po vjen, prioritet i vaksinimit do të jetë personeli shëndetësor dhe shpresojmë së në qershor dhe korrik t’i kthehemi normalitetit në vend”, deklaroi Zemaj në fillim të muajit shkurt.
Kujtojmë se Kosova që nga marsi i vitit të kaluar ka regjistruar 62.548 raste pozitive me COVID-19 dhe 1526 raste të vdekjes.