Sondazhi i publikuar nga instituti i njohur IPSOS që u publikua në Top Channel, ka dhënë një diagramë pak më të gjerë të perceptimit publik , duke konsoliduar një tendencë elektorale.
Një tendencë që krijon sot 2 muaj para zgjedhjeve një panoramë sesi e mendojnë njerëzit formulën politike të Parlamentit të ri të pas 25 prillit.
Sondazhet, kohët e fundit në botë nuk se kanë ndonjë reputacion të rritur në vendet e mëdha, por në përgjithësi ata kanë vërtetuar tendencën në vija të trasha. Në Shqipëri, sondazhet e publikuara para zgjedhjeve përgjithësisht kanë dalë në një farë mënyre afërsisht të saktë.
Megjithatë shifrat e IPSOS-it, që është një gjigand i sondazheve publike, për të bërë një analizë disi më të gjerë, ja vlen t’i krahasojmë me një kalibër të afërt të viteve më përpara.
Viti 2009 është një vit kampion, pasi në atë kohë përveçse patëm rastin kur qeveria e Sali Berishës kërkonte mandatin e dytë, patën një situatë të ngjashme të kandidimit të vetëm të së majtës, PD-së dhe aleatët e vet, dhe LSI-së që shikoheshin si koalicion pas zgjedhjeve. Madje aleanca e PD-së sot, ka të njëjtin emër si në vitin 2009-quhet “Aleanca për Ndryshim”.
Le të shohim shifrat;
Top Channel në vitin 2009, kontraktoi për sondazhe kompaninë prestigjoze botërore Zogby, me qendër në SHBA dhe që ka qenë shpikësi i sondazhit si instrument studimi i perceptimit popullor.
Në një periudhë të ngjashme; pra dy muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Sondazhi i Zogby nxori këto rezultate:
Partia Demokratike dhe aleatët e saj ishte në nivelin e 38% të preferencave popullore, Partia Socialiste ishte në nivelin e 36% të preferencave dhe LSI-ja kishte 5-6% të preferencave popullore.
Në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, PD dhe aleatët e saj morën 46.92% të votave dhe arritën të siguronin 70 mandate deputetësh, PS dhe koalicioni i saj mori 45.34%, pra vetëm 1.58% më pak, por siguroi 66 mandate-4 më pak se koalicioni i PD-së. Pra koalicioni i udhëhequr nga PS-ja mori 23,997 vota më pak se ai i PD-së, që afërsisht janë 2 mandate deputetësh, por në fakt mori 4 më pak.
LSI-ja dhe koalicioni i saj mori 5.56% të votave dhe 4 mandate deputetësh.
Në sondazhin e mbrëmshëm, IPSOS, PS-në e klasifikon në shifrat e 49.5% të preferencave, PD-në në 39.3% dhe LSI-në në 5.1%.
Aleatët më të rëndësishëm të PD-së që kanë marrë vota në të shkuarën si PDIU-ja është në nivelin e 0.2%, PBDNJ në 0.1%, PR në 0.2%, e PDK po aq, PAA në 0.1% e të gjithë bashkë shkojnë në 40.1%.
Nisur me logjikën e vitit 2009-s, edhe pse sondazhi ka rezultat kombëtar e nuk ka ndarje rajonale, i bie që përkthimi në mandate është që PS-ja të kalojë 70-shin me një ose 2 më shumë të paktën, PD-ja të ndalet në nivelin e 66 mandateve dhe LSI-ja të kapë shifrën e 2009-s me 4 mandate.
Por 2009 me sot, ka një ndryshim shumë të rëndësishëm në sistemin elektoral. Në atë kohë PD_ja përdori sistemin “tren” të koalicionit, ku lokomotiva PD dhe vagonat e saj, paraqisnin të gjithë kandidatë të veçantë, duke marrë vota secili për vete, e në fund të gjitha shkonin tek lokomotiva. Kurse sot, është sistemi linear, ku secili që voton një parti, voton vetëm një kandidat, e në fund këto vota shkojnë direkt për koalicionin me listë të përbashkët.
Sistemi “tren” mendohet që atëherë i dha PD-së 2 mandate më shumë, ndërkohë që pati edhe probleme manipulimesh, për të cilat më pas u dogjën fletët e votimit vetëm për të mos i numëruar, kryesisht në Ruzhdie të Fierit, Berat, Tiranë, Lezhë e Shkodër.
Më vonë, gjykatat e këtyre rretheve kanë dënuar edhe komisionerë për manipulim.
Megjithatë si rezultante, mund të thuhet se në 2009, Berisha pas mandatit të parë, edhe pse i goditur rëndë nga katastrofa e Gërdecit, vinte nga pranimi në NATO që u konsiderua nga elektorati gri si një lëvizje e rëndësishme që mund të sillte investime të huaja në vend, rruga e Kombit që ishte si kantier i pambaruar pra në punë e sipër e disa projekte të tjera.
Tani, Rama garon për mandatin e tretë, çka është një rekord në politikën shqiptare, i sulmuar egërsisht deri edhe me kryengritje të dhunshme, por që sot ka në rrugë disa projekte që kanë perceptimit e kantierit në thuajse të gjithë vendin.
Sot opozita drejtohet nga Lulzim Basha që në 2009 konsiderohej ende si “rising star” në politikë por, që dështoi në Bashkinë e Tiranës ku investoi gjithë karrierën e tij.
Si dhe me aleatë që janë në një farë mënyre reliket e sistemit të vjetër.
Ndryshimi më i rëndësishëm është LSI-ja, e cila sot nuk e ka perceptimin e atëhershëm të “king makerit” politik port ë forcës që synon të okupojë me forcë pjesën e saj të “partisë së tretë”. Plus që këtë herë determinante është perceptimi për reformën në drejtësi që kanë njerëzit, e ku sidomos LSI-ja, por edhe pjesa më radikale e PD-së me Berishën në krye janë kundërshtarë të egër të saj.