Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u bërë një front përballë COVID19, gjatë takimit me mjekë dhe infermierë të Spitalit COVID 3, ku vlerësoi punën e tyre në betejën e gjatë me virusin e rrezikshëm.
“Ekipi i COVID3, dua t’ju falenderoj që po përballeni prej një viti me një situatë jo të lehtë, nuk është e lehtë që të përballosh këtë intensitet. Por është e rëndësishme që për asnjë moment nuk ka munguar shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se situata është delikate dhe u bëri apel qytetarëve për zbatimin e rregullave antiCOVID, për këputjen e zinxhirit të infeksionit.
“Jemi në një situatë delikate dhe gjithë angazhimi i personelit shëndetësor është i drejtuar në dhënien e shërbimeve këtyre pacientëve. Janë më shumë se 600 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet tona, qoftë në spitalin Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në COVID 3, COVID 4 dhe spitalet rajonale që tashmë janë të hapura. Por ēshtë momenti për një thirrje për njerëzit: Sa më shumë të kujdesshëm, aq më pak raste në spitale, aq më pak fatalitete”, nënvizoi Manasirliu.
Duke folur për vaksinimin, Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID janë vaksinuar me të dy dozat dhe po vijon me intensitet vaksinimi i stafeve mjekësore, duke u shtrirë nga sot edhe në Korçë.
“Fakti është që pjesa më e madhe e stafeve të spitaleve tona COVID tashmë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë, e bën mbrojtjen maksimale. Sot fillojmë edhe vaksinimin në qendrën e përqëndruar në Korçë, ku do të vaksinohen mjekët e spitaleve dhe infermierët, kudo në qarkun e Korçës dhe duam që të përmbyllim në një kohë shumë të shpejtë vaksinimin e stafeve tona mjekësore, siç e kemi thënë, brenda dy javëve të para të muajit mars, duke ecur gjithashtu edhe me grupet prioritare të popullatës, siç janë të moshuarit +80 vjeç dhe më pas të vijojmë vaksinimin e grupeve të tjera”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh gjatë takimit me mjekët dhe infermierët, se, me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave, procesi do të intensifikohet.
“Pritet që të vijë ngarkesa e radhës së Pfizer ditën e hënë, rreth 15 mijë vaksina vijnë për të intensifikuar vaksinimin. Pritet gjithashtu që brenda 10 ditëshit të parë të Marsit të vijnë edhe 14,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit COVAX, dhe do të kemi besoj lajme të mira për sasi të tjera vaksinash”, tha Manastirliu.