Raporti i Messit me organet tatimore nuk ka qenë gjithmonë i mirë, duke kujtuar se disa vite më parë u dënua për evazion fiskal, por që nga ai moment, 6 herë fituesi i Topit të Artë ka paguar taksat dhe çfarë taksash, duke u kthyer në një nga kontribuesit më të mëdhenj në Spanjë.
Gazeta “El Periodico de Catalunya” ka bërë llogaritë duke zbuluar se që nga viti 2017, kur u bë rinovimin i kontratës “faraonike”, që ka ngjallur aq shumë diskutime, kapiteni i Barcelonës ka derdhur në organet fiskale një shifër të paimagjinueshme: të paktën 370 milionë euro, 275 milionë nga të cilat vetëm si tatim mbi të ardhurat.
Kaq mjafton që edhe organet fiskale të terrorizohen nga ideja se mund të ikë në një tjetër kampionat, duke i derdhur taksat diku tjetër. E përditshmja, në një farë mënyre, bën të kundërtën e “El Pais”, që shpërtheu skandalin, duke publikuar kontratën e Messit me Barcelonën pak ditë më parë.
Nga Katalunja sugjerojnë që po, është e vërtetë që argjentinasi i ka kushtuar klubit 555 milionë euro në katër vjet, por ka derdhur shumë para edhe në arkat e shtetit. Dhe duke marrë deklarimin fiskal të të ardhurave mesatare të kontributit të një qytetari spanjoll, llogaria është e bërë, argjentinasi paguan taksat e barazvlefshme me ato që derdhin jo pak, por 120 mijë banorë.