MENU
klinika

"sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave"

Ministria e Mbrojtjes thirrje qytetarëve: Evitoni lëvizjet jo…

14.02.2021 - 10:58

Përveç zonës së Nënshkodrës ku po ndihmohen banorët e prekur nga përmbytja, Forcat e Ushtrisë po ndihmojnë edhe në zonat e tjera të vendit.

Aksi Korçë-Kapshticë po pastrohet me një borë pastruese.

Nëpërmjet një deklarate, Ministria e Mbrojtjes u kërkon qytetarëve që të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme.

Njoftimi:

I gjithë territori i vendit tonë ditën e sotme është mbizotëruar nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe me reshje dëbore. Si rezultat i reshjeve të borës në disa qarqe të vendit kemi pasur problematika në disa akse rrugore.

Ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.

Ditën e djeshme si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi 2 kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe ishte e pamundur qarkullimi i mjeteve. Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.

Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Aktualisht trupat dhe mjetet e FA janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.

Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.