MENU
klinika

NBA

Mposhten Clippers, Jazz rimarrin kreun në Perëndim

03.02.2021 - 12:02

Intrigohet edhe më shumë kreu në Konferencën e Perëndimit në NBA, teksa është rikthyer të kryesojë Utah Jazz, që u rikthye te fitorja menjëherë, duke mposhtur 117-105 Detroit Pistons. Jazz morën 11 fitore radhazi, por u thyen para 3 ditësh, ndërsa ndaj Pistons treguan edhe njëherë që janë pretendentë seriozë këtë sezon.

U dallua Mitchell me 32 pikë, duke qenë lider në fushë për Utah. Në vend të dytë tashmë janë dy skuadrat kaliforniane, Los Angeles Lakers dhe Los Angeles Clippers. Skuadra e Clippers u mund 124-120 nga Brooklyn Nets, një ndeshje me rivalitet dhe emocione deri në fund. Leonard e mbylli me 33 pikë, George 26 e Batum 21, por që s’mjaftuan për të fituar.

Në kahun tjetër, u dallua trioja e përbërë nga Harden-Durant-Irving, që realizuan së bashku 90 pikë, me këtë të fundit që shënoi 39 pikë. Tashmë Clippers e shohin veten në vendin e tretë, ndërsa Nets janë ngjitur në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes.

Në ndeshjet e tjera, skuadra e Boston Celtics mposhti 111-107 Golden State Warriors. Tatum me 27 pikë ishte më i miri për Celtics, duke i bërë të pavlefshme 38 pikët e 11 rebound të Curry për Warriors. Toronto Raptors bën dy fitore radhazi, duke mposhtur në transfertë 123-108 ekipin e Orlando Magic. Kanadezët gjithsesi ende nuk janë në zonën play-off, pasi ndodhen në vendin e nëntë në Lindje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN