MENU
klinika

Gjithë çfarë duhet të dinë dashamirët e paqes...

Mrekullia e Lutjeve të Mëngjesit dhe suksesi Kosovë-Izrael

02.02.2021 - 14:25

Gjithë çfarë duhet të dinë dashamirët e paqes për Mëngjesin e Lutjeve në Jerusalem, për Emisarin Special Richard Grenell, për përpjekjet për paqe, për kundërshtarët dhe për të gjithë të tjerët.

Më 1 shkurt, Ministri i jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, në një ceremoni virtuale me homologen e tij kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, në anën tjetër, ka nënshkruar vënien e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, një marrëveshje që dikur dukej e pamundur por që u arrit nga ish-Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të 2020. Para jo më shumë se dy vitesh, kjo dukej gjë e pamundur, dukej si diçka që do të ngryste fytyrat në të dy anët e Atlantikut. Katër vite më parë do të konsiderohej qesharake e madje dhe vetëm moment publiciteti. Nëse shkojmë një dekadë më prapa, diplomatët e rryer këtë do ta quanin blasfemi.

Por, ky kamp masiv i keqdashësve, politikanëve, diplomatëve, mendimtarëve nga shoqëria e hapur, opinionbërësve, liberalë e jo-liberalë, zërave që kërkojnë luftë e atyre që kërkojnë paqe, këtë 1 shkurt morën si përgjigje mu këtë marrëveshje të pamundur. Në ora 14:00 të kësaj dite u vunë marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës e Izraelit. Ata që e konsideronin angazhimin e emisarit special Grenell dhe të Presidentit Trump vetëm një mashtrim, diçka sa për të fituar disa pikë elektorale në “shtëpi”, tani që Trump nuk është më në detyrë do të bëjnë atë që u shkon më së shumti për shtati: do të marrin tërë meritat për vete.

Të kujtojmë shpejt e shpejt se për çfarë bëhet fjalë këtu dhe ta bëjmë shumë të qartë këtë ashtu që historia të mos shkruhet me koncepte të paqarta nga fituesit e paqartë:

Themeli i njohjes së ndërsjellë në mes të Kosovës me shumicë myslimane dhe Izraelit është vënë në samitin e liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në prezencën e ish-Presidentit Donald Trump. Pas ndërrimit të administratës amerikane, kanë qenë të paktë ata që kanë besuar se ajo që shumë analistë e kanë quajtur të pamundur do të bëhej realitet. Megjithatë, faktet treguan sa gabim e kishin.

Prandaj është mirë që e vërteta të thuhet ashtu siç është.

Si çdo gjë në jetë, edhe kjo filloi në një mënyrë krejt të thjeshtë e për toke. Ishte fundi i nëntorit 2018 kur pata nderin të vizitoj Prishtinën me disa përfaqësues nga Knesseti i Izraelit, me ish-anëtaren e Kongresit amerikan, Michele Bachmann, përfaqësuesit e Lutjeve të Mëngjesit në Jerusalem dhe një grup të vogël të investitorëve izraelitë.

Shikuar nga larg, katër vite pas kësaj vizite, tërë meritat për vënien e marrëdhënieve diplomatike, këtë arritje historike, mes Kosovës dhe Izraelit, u takojnë dy individëve, emisarit special të Presidentit të SHBA-së për Kosovën, Richard Grenell, dhe këshilltarit të Presidentit Trump, Jared Kushner. Pa këta të dy nuk do të arrihej kaq shumë. Agjenda e tyre e guximshme dhe brilante, është lavdëruar dhe përkrahur edhe nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, që ka shprehur përkrahjen e administratës së re.

Në fillim nuk kishim prapa nesh miq kaq të fuqishëm, kështu që filluam me hapa të vegjël. Duhet të fillosh nga diku dhe Lutjet e Mëngjesit në Jerusalem ishin pika më e mirë për të filluar.

Mesazhi që i dhamë Kryeministrit të atëhershëm të Kosovës ishte e thjeshtë dhe e qartë – të punohet për pajtim pa një plan-B, pa asgjë tjetër në mendje përveç paqes, dhe kjo do të bënte Kosovën, Izraelin, Serbinë, vende të sigurta për të jetuar për gjenerata me radhë. Kjo ide e thjeshtë filloi të zinte vend që atëherë – vend i çmuar që nuk matej me kilometra katrorë por vetëm me pak milimetra të çmuar që pushtojnë çdo zemër. Të lavdërosh idenë abstrakte për paqe në botë në vendet që ende vuajnë pasojat e luftës mund të duket si klishe, por ekipi që përbënte delegacionin e Lutjeve të Mëngjesit në Jerusalem bëri shumë më shumë se kaq. Bashkëpunoi me liderë, në SHBA dhe në Kosovë, së pari që të bëjë të mundur që të merret në konsideratë edhe e pamundura; e pastaj të shndërronte atë që duket shumë pak e mundur në mundësi reale që ia vlen të shqyrtohet nga liderët të botës – e kur loja u bë e nivelit të lartë – Presidenti Trump, Këshilltar Special Kushner dhe Emisari Special Grenell hynë në skenë. Kjo ishte në pak fjalë, mrekullia e Lutjeve të Mëngjesit të Jerusalemit.

Por, për çfarë ishte në pyetje këtu? Ia vlen të kujtojmë zhvillimet e atëhershme këtu. Ata që përcjellin zhvillimet në pjesën tonë të botës e mbajnë në mend se administrata e Trump e ka pranuar Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017; në maj të vitit 2018 e ka zhvendosur ambasadën amerikane atje dhe u ka kërkuar aleatëve që të bëjnë të njëjtën. Delegacioni i Lutjeve të Mëngjesit në Jerusalem me përulësi u kërkoi autoriteteve kosovare që të marrin parasysh këtë kërkesë, pa marrë parasysh që kori i kundërshtarëve të Trump i bënte thirrje Kosovës që mos të bënte këtë. Duhet të vërejmë se, siç e ka përshkruar mjaftueshëm “Times of Izrael”, se Prishtina nuk e kishte njohur ende Izraelin jo për shkak se kjo kundërshtohej nga shumica myslimane por për shkak se vet Izraeli nuk e kishte njohur ende Kosovën. Për ironi, Izraeli refuzonte të njihte Kosovën sepse nuk dëshironte të shihej se përkrah shpalljet unilaterale të shtetësisë.

U desh të punohej që të fitoheshin mendjet dhe zemrat e të gjitha palëve. Dhe ekipi i Lutjeve të Mëngjesit në Jerusalem e morën mbi vete këtë punë. Në mënyrë të heshtur, plot përulësi, e shtroi themelin që mbajti peshën e gjigantëve të diplomacisë botërore.

Besoj që pas vënies së marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, një falënderim i vogël për Lutjet e Mëngjesit në Jerusalem është i duhur. Jo pse kanë nevojë për këtë, jo pse dikush si Kongresmenja Bachmann apo anëtari i Knessetit Robert Ilatov kërkojnë mirënjohje dhe lavde, por për arsyen më të thjeshtë në botë – sepse e meritojnë këtë. Po e marr mbi vete që t’i falënderoj, së paku në emër të të gjithë shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë që e dinë shumë mirë se çfarë është paqja për gjeneratën tonë dhe për gjeneratat që do të vijnë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nënshkruhet dhe në gjuhën serbe

Firmoset dokumenti, Izraeli njeh Kosovën