Shkencëtarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë nisur studimin e parë në botë, ku synojnë të ekzaminojnë nëse vaksina të ndryshme të koronavirusit mund të përdoren në mënyrë të sigurt, tek të njëjtët persona me dy doza. Sipas tyre nëse kjo funksionon mund të japë një fleksibilitet shtesë dhe madje të rritë mbrojtjen kundër COVID-19, nëse miratohet.
Pjesëmarrësve në studimin 13-mujor do t’u jepen vaksinat Oxford / AstraZeneca dhe Pfizer / BioNTech në kombinime të ndryshme dhe në intervale të ndryshme kohore, tha Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social të Mbretërisë së Bashkuar në një njoftim për shtyp.
“Nëse ne tregojmë se këto vaksina mund të përdoren në të njëjtën skemë, kjo do të rrisë shumë fleksibilitetin e shpërndarjes së vaksinës dhe mund të sigurojë të dhëna se si të rritet mbrojtja kundër mutacioneve të reja të virusit“, tha Matthew Snape, shefi hetues dhe profesor i asociuar në pediatri dhe vaksinologji në Universitetin e Oksfordit.
Regjistrimi në studimin e financuar nga qeveria e Mbretësisë së Bashkuar aktualisht është duke u zhvilluar dhe rezultatet paraprake priten gjatë verës.
Regjimi aktual i dozave të vaksinave për publikun e gjerë do të mbetet i pandryshuar në Mbretërinë e Bashkuar, thuhej në deklaratë, por nëse studimi tregon rezultate premtuese, qeveria mund ta rishikojë atë.
Studimi gjithashtu do të kërkojë të përcaktojë nëse vaksinimi është më efektiv me një afat kohor katër-javësh ose 12-javësh midis dy dozave. Më shumë se 800 njerëz pritet të marrin pjesë në studim dhe do të fillojnë të marrin të dozat deri në mes të shkurtit.