MENU
klinika

''Me firmën apo pa firmën e Anglisë''

Mutacionet e COVID-19 në Shqipëri? Drejtoresha e ISHP: kemi dyshime të arsyeshme

25.02.2021 - 11:35

Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico ka pranuar de facto praninë e mutacioneve të reja të COVID-19 në Shqipëri, ose ndryshe variantet e reja të koronavirusit.

Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ekspertëve, Fico tha se ka një komunikim dhe informacion të përditshëm me laboratorin ku janë dërguar mostrat por se ka radhë. Megjithatë ajo tha se me firmën apo pa firmën e Anglisë ka dyshime të arsyeshme, nisur nga shifrat për praninë e varianteve të reja.

“Kur futet mostra për t’u sekuencuar ka një kohëzgjatje të caktuar, algoritmi i leximit të saj është tepër profesional. Mostrat janë cacur në laboratorin më të mirë në botë. Informacioni dhe komunikimi është i përditshëm. Nuk ka prioritizim, aty ka radhë, i ke dërguar dhe duhet të presësh.

Me mutacion, pa mutacion, ne kemi shifra ku kemi një dyshim të arsyeshëm. Ky dyshim i arsyeshëm që na vjen nga laboratori, fakti që kemi një dinamikë moshore të ndryshuar, fakti që u përballëm me një rritje të pozitiviteti menjëherë janë të gjithë elementë që me firmën apo pa firmën e Anglisë kemi dyshime të arsyeshme. Të marrim të mirëqenë faktin që virusi është këtu, ka një trend që ka treguar një veçori”, deklaroi Fico.