Partitë politike kanë hapur të mërkurën fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe lista e Kurtit dhe Osmanit ka mbajtur një tubim masiv në Prishtinë. Sipas Komunës së Prishtinës, ligji funksionon njësoj për të gjithë. Një gjobë të ngjashme mori edhe AAK-ja.
Mes shumë polemikave dhe tri ankesave për moscertifikim si kandidat pasi është dënuar nga gjykata me formë të prerë në tri vitet e fundit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Kurti vendosi ta sfidojë ligjin dhe të garojë i pari i listës së tij.
Ai ka porositur votuesit se nëse do të jetë vullneti i tyre për të votuar për të, atëherë le ta bëjnë, sepse votat nuk do të quhen të pavlefshme. Por ai nuk dha asnjë argument ligjor për këtë.
“Varësisht prej vlerësimit që kanë për mua. Nuk mund të shpallet i pavlefshëm fletëvotimi”, tha Kurti. Ai shtoi se pas zgjedhjeve do të nisë një epokë e re në Kosovë. Kurti tha se nëse formon qeverinë e re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, do t’i hedhë poshtë shumicën dërmuese të vendimeve qeverisë Hoti.
“Ne një ndër vendimet e para që do të bëjmë, për të mos thënë vendimi i parë si qeveri e re, është një rishikim i të gjitha vendimeve nga qeveria që ishte dhe natyrisht që mendoj se shumicën dërmuese të tyre do t’i kthejmë mbrapsht, do t’i hedhim poshtë”, është shprehur Kurti. Slogani i KQZ-së së Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit është “Voto për Kuvendin e Kosovës”.
Ndërsa dizajni i kësaj logoje pritet të ndryshohet pas disa kërkesave që patën anëtarët e KQZ-së, për të cilat u pajtuan të gjithë. Anëtarët e KQZ-së të enjten u pajtuan edhe për dizajnin e fletëvotimit.