Kalimi i pragut të 100 mijë të infektuarve dhe mbi një mijë të rinj që zbulohen çdo ditë dhe spitalet e tejmbushura nga ana tjetër, kanë ndezur sinjalet e alarmit në radhët e qytetarëve për një mbyllje të dytë.
Por, sa janë gjasat e një karantine parazgjedhore?! Ndonëse situata paraqitet tejet kritike dhe kufizimet e fundit nuk kanë sjellë asnjë përmirësim të shifrave, anëtarët e Komitetit të Ekspertëve përjashtojnë mundësinë e një mbylljeje të plotë. Pas dy javësh kufizimesh në orarin e daljeve dhe kyçjen e dyerve të shkollave në qytetet më të “nxehta” të virusit, sot komiteti i ekspertëve do të dalë me kufizime shtesë.
RAKACOLLI
Ndryshe nga një vit më parë, ku Shqipëria, ashtu si e gjithë bota u kap e papërgatitur përballë të panjohurës dhe karantinoi gjithë qytetarët me shifra të papërfillshme infektimesh, tanimë jemi në pozita të tjera. Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, nuk e sheh mbylljen si opsion, por forcimin e kapaciteteve të përballimit të virusit.
Në një intervistë për “A2CNN”, drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Rakacolli, u shpreh se masat merren në bazë të të dhënave epidemiologjike, indikatorëve dhe në përputhje me situatën, duke shmangur pyetjen nëse do të kemi një karantinë tjetër. “Vendimet merren mbi bazën e të dhënave dhe atë që shkenca epidemiologjike na mëson. Këto masa merren në përputhje me situatën dhe si mund ta përballojmë me numrat që na paraqiten. Krahasimi me vjet nuk qëndron fare, nuk bëhet fjalë për raste ditore, por edhe mundësitë e sistemit shëndetësor. Kjo ishte sëmundje që e kapi gjithë botën të papërgatitur, pa mjete mbrojtëse pa sistem shëndetësor dhe ishte sëmundje që gjunjëzoi sisteme shëndetësore të konsoliduara. Në atë kohë, e vetmja mënyrë ishte parandalimi dhe ishte karantina, por kjo nuk mund të vazhdojë një vit. Ne duhet t’i përshtatemi kushteve të reja, duke përgatitur dhe spitale. Vendimi për t’u mbyllur ishte nga më të mirët që jo vetëm të mos binim në kolaps dhe i dhamë kohë sistemit të përgatitet e përballojë këto valë më së miri”.
TOMINI
Edhe zëvendësministrja tjetër e Shëndetësisë, gjithashtu anëtare e Komitetit të Eksperteve shprehet ngjashëm. Ashtu si Rakacolli, karantina, sipas saj, është opsioni i fundit, duke ia lënë në dorë ndërgjegjes qytetare të zbatojë masat për të ndalur transmetimin.
“Kemi një transmetim komunitar. Një transmetim me incidencë të lartë të rasteve të konfirmuara, reflektuar jo vetëm me pozitivitetin, por dhe rastet që kanë kërkuar shtrim spitalor. Karantina do jetë guri i fundit përkundrejt shtrëngimit të masave. Duhet të jemi të përgjegjshëm për zbatimin e masave.” Shifrat e frikshme të përhapjes, në optikën e Tominit, ndonëse të larta, janë të qëndrueshme. Por në fund, do të jetë i gjithë Komiteti ai që vendos për kufizime të tjera, bazuar edhe në kapacitetet pritëse në spitale që po shtohen dita-ditës.
“Në spitalet rajonale rreth 40% të kapaciteteve janë të ezauruara. Spitalet e Durrësit dhe Shkodrës janë duke trajtuar njëlloj sikurse spitalet qendrore COVID. Aktualisht objekti ynë nuk është për të imunizuar sa më shumë popullatën, por më shumë personalin mjekësor dhe imunizim pasiv përmes vaksinës”, deklaron zëvendësministrja duke nënvizuar më tej planin 14-mujor të qeverisë në imunizimin e popullatës përmes vaksinimit.
VARIANTET E REJA
Kanë kaluar katër javë që kur numri 2 i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, i pari zë brenda qeverisë që dha alarmin për qarkullimin e varianteve të reja dhe qeveria është ende në nivel dyshimi. Në një shtet normal, kjo do të mësohej brenda një jave, me qëllim që qytetarët të informoheshin mbi nivelin e lartë të rrezikut. Ekspertët tanë mjaftohen me dërgimin e mostrave në laboratorët e huaj.
“Kemi dyshime të forta që në Shqipëri qarkullojnë dhe variantet e tjera, por ende nuk ka ardhur konfirmimi nga laboratorët në Londër. Karakteristika është që infekton më shumë njerëz në të njëjtën kohë. Ai virus përzgjidhte të moshuarit, ndërsa tani kemi infektime në moshat e reja dhe në gjendje të rëndë. Këto kohë po demonstrohen fakte të tjera”, deklaroi dje Mira Rakacolli, teksa tregon edhe disa nga karakteristikat e varianteve të reja që i përmbush situata e krijuar në vend. Ndërsa Tomini ul rëndësinë e këtij fakti, duke deklaruar se ky informacion nuk do të ndryshonte nivelin e masave nga ana e qytetarëve. “Pavarësisht qarkullimit të mutacioneve, janë të njëjtat masa për grumbullimet dhe respektimin e masave të këshilluara. Të njëjtat masa qëndrojnë edhe përballë mutacioneve. Po ashtu, është vlerësuar se transmetueshmëria e mutacioneve është më e lartë. Ne kemi vlerësuar se të gjitha strukturat janë në gatishmërinë e duhur”.