Një tjetër mjek e ka humbur betejën me koronavisursin. Bëhet fjalë për radiologun nga Berati Gëzim Lamaj.
Mjeku 63-vjeçar ishte i shtruar prej ditësh në spitalin infektiv në Tiranë ku nuk e ka mposhtur dot virusin COVID-19.
Mjeku Lamaj punonte prej vitesh në spitalin rajonal të Beratit si ekografist dhe radioskopist.
Ndërsa në një mesazh ngushëllues deputeti i Beratit, Fadil Nasufi thotë se ndarja nga jeta e Dr Gëzimit, pikëllon gjithë qytetarët beratas dhe bluzat e bardha.
“Berati zgjohet sot me një lajm trishtues dhe tepër tronditës! Ndahet nga jeta pas një beteje me Covid -19 Dr Gëzim Lamaj, Mjek radiolog! Njeri i mrekullueshëm, humanist i rrallë si ai, gojëmbel, fytyrëqeshur, model i mirësisë dhe i përkushtimit ndaj qytetarëve të Beratit! Na janë shteruar fjalët nga helmi i përditshëm i vdekjes! Ndarja nga jeta e Dr Gëzimit, pikëllon gjithë qytetarët beratas dhe bluzat e bardha.
Është hidhërim i pa ngushëllueshëm, por edhe apel për kujdes nga ky virus vrastar!
Ngushëllime Dr Anilës për humbjen e bashkëshortit dhe djalit Renatos për humbjen e babait! Të prehet në paqe Dr Gëzim Lamaj! Lamtumirë Mik i cmuar!”, shkruan Nasufi në Facebook.