MENU
klinika

Rekord infektimesh/ Presidenti Meta ngre alarmin

“Pandemia në vendin tonë po del jashtë kontrollit. Kapacitetet spitalore…”

05.02.2021 - 19:00

Pas rekordit të ri, me 1089 persona të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit, ka reaguar Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Në një postim në facebook, Kreu i Shtetit ngriti alarmin se pandemia e koronavirusit në vendin tonë po del jashtë kontrollit, ndërsa kapacitetet spitalore rezultojnë të tejmbushura.

Po ashtu ai i ka bërë thirrje qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat anti-COVID.

Postimi i plotë:

Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.

Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.

Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.

Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.

Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.

Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.

Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.

Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.

Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.

Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN