DITMIR BUSHATI
Një vit më parë, Konfer enca Vjetore e Sigurisë së Mynihut ishte ngjarja e fundit ndërkombëtare që ndodhi, para se bota të mbyllej si pasojë e COVID-19. Titulli kryesor i konferencës “Shkundja e Perëndimit” nuk mund t’u shkonte më për shtat fërkimeve dhe tensioneve brenda familjes euroatlantike dhe rendit ndërkombëtar në një botë gjithnjë e më zeropolare. Të premten që shkoi, udhëheqësit botërorë u mblodhën sërish në Mynih, tashmë virtualisht, në një format më të ngushtë, për të diskutuar veçanërisht bashkëpunimin midis SHBAve dhe Europës, në epokën post-Trump. Kësaj radhe me një titull të ri, “Përtej shkundjes së Perëndimit” dhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Rusisë dhe Kinës. Një kthim pak a shumë në formatin e hershëm të Mynihut për trajtimin e sfidave të sigurisë brenda hapësirës euro-atlantike.
I. Pjesëmarrësit në Konferencë mirëpritën kthimin e Amerikës dhe kontributin e saj të pazëvendësueshëm për sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar. E dëshmuar kjo jo vetëm në mesazhin e përcjellë nga Presidenti Biden, por te rikthimi i SHBA-ve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimaterike, sikundër premtimi për të kontribuar me 4 miliardë dollarë në skemën globale COVAX, për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave COVID-19.
Duhet pranuar se Pandemia i dha një goditje të rëndë multilateralizmit, duke gërryer më shumë rendin ndërkombëtar ekonomik dhe treguar në të njëjtën kohë pafuqinë e tij për t’u përballur në mënyrë adekuate me COVID-19 apo ndryshimet klimaterike.
José Saramago në romanin e tij “Verbëria” tregon se epidemitë nuk i transformojnë shoqëritë, por ato na ndihmojnë të shohim të vërtetën rreth shoqërive tona. Kështu, shtetet u sollën në mënyrë Hobsiane, ndonëse jo duke drejtuar shpatat mes tyre. Përgjigjja ndaj virusit ishte në të shumtën e rasteve lokale, çka u ilustrua me mbylljen e kufijve, vendosjen e kontrollit mbi eksportet në fushën e shëndetësisë, grumbullimin e rezervave të pajisjeve mbrojtëse dhe politikën e vaksinimit, e cila mbetet e lidhur me nevojat e secilit shtet.
Megjithëse pandemia na shtrëngoi të përfytyrojmë jetesën tonë në një botë të përbashkët, asnjëra prej Fuqive të Mëdha nuk kërkoi zgjidhje në sistemin shumëpalësh. Vështruar në këtë prizëm, konsensusi i Mynihut 2021, i mbështetur në devizën “Përtej shkundjes së Perëndimit”, ka të bëjë me domosdoshmërinë e institucioneve shumëpalëshe dhe një rend ndërkombëtar që bazohet në rregulla të gjithëpranuara, për të trajtuar sfidat me të cilat përballet bota.
II. Pas Luftës së Ftohtë, bota u vendos në një sistem të ri ndërkombëtar të shënuar nga tri forca: gjeopolitike, ekonomike dhe teknologjike. Përkatësisht, epërsia amerikane, tregu i lirë dhe revolucioni në hapësirën e internetit. Të gjithë dukej se punonin së bashku për krijimin e një bote më të hapur e më të begatë. Luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, kriza financiare globale, kriza e paprecedent e refugjatëve dhe tani pandemia kanë tronditur themelet e rendit ndërkombëtar.
Megjithëse situata aktuale kërkon një vizion të përbashkët, të rrënjosur në vlerat liberale, kjo nuk mjafton për të sjellë ndryshimin e nevojshëm që imponon trajtimi i sfidave të shekullit 21. Krahas konsensusit për nevojën e një bashkërendimi më të mirë të aktorëve kryesore të familjes euroatlantike në trajtimin e çështjeve kyçe të sigurisë, Konferenca e Mynihut nxori në pah edhe zonat ku interesat dhe përparësitë e tyre ndryshojnë.
Presidenti i SHBA-ve, Biden, propozoi një partneritet të ri me Europën, një aleancë të demokracive në konkurrencë përkundrejt Kinës dhe Rusisë. Më shumë sesa shpalosje e veçantisë amerikane, mesazhi i fortë i Presidentit Biden dëshmoi para së gjithash potencialin e SHBA-ve për të orientuar dhe drejtuar aleancën euroatlantike drejt sfidave të së ardhmes.
Ndërkohë që Presidenti francez Macron vuri në dukje se, SHBA dhe Europa janë aleatë të ngushtë dhe ndajnë një botëkuptim të përbashkët, megjithatë përparësitë e tyre nuk janë gjithmonë të njëjta. Macron kujtoi se, SHBA-të që nga koha e Presidentit Obama, kanë kthyer vëmendjen gjithnjë e më shumë drejt Paqësorit, ndërsa Europa ka një gjurmë më të madhe në Mesdhe dhe Afrikë.
Duke pranuar këtë realitet, Presidenti Macron u rikthye te tezat e tij për domosdoshmërinë e ndryshimit të “konceptit strategjik” të NATO-s, si kundërpërgjigje ndaj sfidave globale në evoluim të tilla si mbrojtja kibernetike, të dhënat dhe infrastruktura kritike, sikundër nevoja për reformimin e institucioneve dhe politikave europiane, në mënyrë që Europa të fitojë “sovranitetin ushtarak”.
III. Konferenca e Mynihut dëshmoi se Europa ndihet më e lehtësuar me Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë. Por vetëm një zhvendosje ingranazhesh politike dhe një rritje e retorikës shpresëdhënëse nuk mund të ndryshojë lojën. Sfidat e mëdha globale mbeten aty. Brenda një dekade, çështjet e sigurisë do të jenë gjithnjë e më të mprehta e të lidhura më shumë me ndryshimet klimaterike, të dhënat, inteligjencën artificiale, mbrojtjen kibernetike, infrastrukturën kritike sesa me dislokimin e trupave ushtarakë apo kapacitetet detare.
Megjithëse aleatët mund të mos bien dakord për çdo çështje, ato pajtohen plotësisht për parimet dhe vlerat themelore, të cilat duhen kultivuar, përkundrejt sfidës që vjen prej vendeve si Kina, Rusia apo Irani. Le të shpresojmë se kjo do të përbëjë edhe bazamentin, mbi të cilin do të ripërtërihet lidhja euroatlantike. E në të njëjtën kohë, do të konkretizohet edhe në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm si përballje me aktorët e tretë, por mbi të gjitha si një investim për procesin e ngecur të transformimit demokratik, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe anëtarësimit në BE.