MENU
klinika

Rusët na sulmojnë të dhënat në WhatsApp

Policia shqiptare: Situatë serioze, respektoni rigozorisht këto rregulla

08.02.2021 - 20:30

Policia shqiptare tha se situata me disa mesazhe që janë paraqitur ditët e fundit nëpër grupet e komunikimit Whatsapp, është serioze.

Burime nga grupi i hetimit pranë Departamentit të Krimit Kibernetik në polici pohojnë se bëhet fjalë për ‘hacker-a’ rusë, të cilët dërgojnë mesazhe në gjuhën shqipe, mesazhe që mësohet se janë përshtatur më anë të Google Translate.

Skema e “hacker”-ave e përdorur kryesisht në disa redaksi lajmesh në Tiranë, ka qenë mjaft e thjeshtë. Një sms vjen në Inbox-in e mesazheve të celularit, sms që përmban një kod me gjashtë shifra të ndryshme. Mesazhi është në gjuhë të huaj.

Por pask sekonda më vonë në Whatsapp vjen një mesazh i dytë, kësaj here në gjuhën shqipe. Është kryesisht një mesazh automatik që vjen nga numra celulari shqiptar, të cilët fatkeqësisht kanë rënë pre e hakimit.

Përmes këtij mesazhi i kërkohet përdoruesit që kodin me gjashtë shifra të mbërritur në kutinë e mesazheve t’ia kalojnë me pretendimin se është ngatërruar numri. Përdoruesit e dërgojnë këtë kod gjashtë shifror dhe brenda pak minutash humbasin aksesin e numrit të tyre në llogarinë Whatsapp.

Suela Bonjaku, specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, doli në një deklaratë për mediat këtë të hënë, ku bëri të ditur se prej disa kohësh janë evidentuar problematika që kanë të bëjnë me rrjetet e komunikimit.

“Bëhet fjalë për një situatë serioze, e cila ka të bëjë me “Ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike” dhe më saktësisht me marrjen e të drejtave të hyrjes në aplikacionin “WhatsApp” nga persona të paautorizuar”, thuhet në njoftim.

Më tej sqarohet se si ndërhyjnë këta persona, por edhe se si mund të mbroheni nga këto sulme:

“Aplikacioni “WhatsApp” aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure e cila është e përcaktuar nga kompania dhe për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania “WhatsApp” dërgon një kod gjashtëshifror në numrin tuaj të telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet.

Përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit “WhatsApp” duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim.

Sipas policisë, kjo kërkesë në “WhatsApp” vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë dhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi, pra autori nis mesazh nga llogaria e një viktime tjetër.

Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”.

Po ashtu policia sqaron opinionin publik se marrja e llogarisë “WhatsApp” nuk mund të bëhet pa ndërveprimin tuaj me autorin apo pa patur autori të drejta përdorimi në telefonin tuaj.

“Personat/autorët që po kryejnë këto vepra kriminale aktualisht janë duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, vijon më tej policia.

Aktualisht, sipas të dhënave që kjo njësi disponon, personat më të prekur janë nga grupet shoqërore që përdorin aplikacionin “WhatsApp” dhe nisur nga skema e përdorur kemi një sulm zinxhir tek kontaktet e gati të gjitha llogarive të viktimizuara.

Në vazhdimësi dhe të njoftimeve të mëparshme të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike për ruajtjen e të dhënave personale, iu bëjmë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes përsa i përket kontaktimit nëpërmjet mesazheve si telefonike, po ashtu dhe të rrjeteve sociale, duke qenë se rrezikojnë në çdo rast për të dhënë akses në mënyrë të pavullnetshme në të dhënat e tyre personale. Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë rigorozisht rregullat si më poshtë:

– Asnjëherë mos ndani kodin tuaj gjashtëshifror me një person tjetër;

– Vendosni mënyrën e verifikimit me 2 hapa;

– Mos ndani informacionin tuaj personal me asnjë person tjetër;

– Bëni kujdes nëse merrni telefonata nga biznese apo persona të panjohur;

– Bëni kujdes nëse një kontakt i juaji apo një person i panjohur ju kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar apo kërkon me çdo mënyrë të kontaktojë me ju.

Duke patur parasysh që teknologjia përparon çdo ditë dhe mënyra të reja mund të rezultojnë në çdo moment, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për çdo situatë për të cilën mund të dyshojnë.

Si përfundim sqarojmë opinionin publik se deri tani, Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit po vazhdon hetimet me rastet e evidentuara në bazë të kallëzimeve të marra nga qytetarët.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike i bën thirrje cilitdo që beson apo dyshon se ndodhet përpara një rasti të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit:

Adresa e postës elektronike: ​​​​[email protected]

Numri i telefonit të lëvizshëm dhe rrjete komunikimi: ​0694155552”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN