MENU
klinika

Produkt i një kostelacioni...

Pse e njohu shteti i Izraelit Kosovën

02.02.2021 - 10:12

Nga Dritan Hoti

Njohjet reciproke ndërmjet dy shteteve i korrespondojnë përgjithësisht një realiteti të caktuar. Të dyja shtetet në fjalë deri në momentin përfundimtar të njohjes reciproke i nënshtrohen një procesi të një studimi të ndërsjellët të avantazheve reciproke, atyre diplomatiko-strategjike si dhe gjeoekonomike, si një trend gjithnjë edhe më domethënës i marrëdhënieve ndërkombëtare të epokës sonë.

Ndërkohë që në rastin e problematikës së artikullit tonë, në aparencë njohja reciproke ndërmjet shtetit të Izraelit dhe Kosovës ishte një produkt i një kostelacioni disi të ndryshëm. Një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë brenda suazës së një kooperimi më të gjerë tregtaroekonomik rajonal, përfshiu papritur dhe klauzolën e njohjes së ndërsjellë midis shtetit të Izraelit dhe Kosovës. Megjithëse kjo dakordësi u realizua nën kryesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vazhdën e marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat formalizuan marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Izraelit si dhe disa shteteve arabe, Emirateve të Bashkuara, Bahrejnit, Sudanit dhe Marokut, natyra e njohjes së ndërsjellë midis Izraelit dhe Kosovës është disi e ndryshme.

Në rast se normalizimi i marrëdhënieve të shtetit të Izraelit me disa prej vendeve arabe i përgjigjet një konstanteje të taktikës diplomatike të shtetit hebre, asaj të thyerjes së një lloj “embargoje” diplomatike, atë të mospranimit të tij nga ana e një kordoni rrethues të shteteve arabe, duke piketuar në këtë lloj mënyre një bashkëjetese politike me ta si ekuilibri më i mirë që i përshtatet paqes në atë rajon, duke shmangur për më tepër edhe një shtrirje të mundshme të influencës gjeopolitike të Iranit mbi këto vende; njohja reciproke me Kosovën hap projeksione të tjera. Teksa për Kosovën njohja juridike, po ashtu si shteti i Izraelit në vitet e para të ekzistencës së tij, përbën një ndër elementet për integrimin e saj formal në sistemin ndërkombëtar, instalimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem si një ndër pikat e parashikuara në këtë marrëveshje shton edhe një element tjetër përforcues në përligjjen e së drejtës historike duke u nisur nga pikëpamja e shtetit hebre.

Ndryshe nga çfarë u komentua pas marrëveshjes ekonomike të 4 shtatorit në Uashington se njohja e vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është ajo e një vendi mysliman, një version i tillë nuk rezulton i saktë. Feja islame në Kosovë, e cila përbën edhe religjionin predominues po ashtu si edhe në shtetin-komb tjetër shqiptar, Shqipërinë, ku një mozaik i tri feve, asaj katolike, myslimane e ortodokse, bashkëjetojnë, është një relikte e islamit të diktuar nga Perandoria Osomane dhe që nuk ka mundur të influencojë as edhe në normat e jetës shpirtërore, të organizimit socio-politik e aq më pak të perceptimeve të orientimeve në aleancat e politikës së jashtme të shqiptarëve.

Pro-amerikanizmi si dhe mungesa e sindromës së antisemitizmit e përligjin këtë.

Ky realitet me një domethënie të veçantë çel ndërkohë perspektiva të reja që ndërlidhen jo vetëm me avantazhet e ndërsjella ekonomiko-teknologjike, por edhe në çështje të një karakteri kombëtarist e gjeostrategjik. Duke u njohur nga shteti i Izraelit, Kosova nga njëra anë përforcon edhe më tej statusin e pavarësisë së saj, si dhe nga ana tjetër, shteti i Izraelit pranon paralelisht realitetin e ri në të cilin ndodhet aktualisht çështja shqiptare, pra asaj të ekzistencës së dy shteteve-kombe shqiptare, Shqipërisë e Kosovës, duke e bërë atë edhe institucionalisht të pranishëm në dinamikën e saj në Europën Juglindore.

Për më tepër, duke u nisur nga afërsia gjeografike po e Europës Juglindore me Lindjen e Mesme manovrime e taktika korresponduese diplomatike, por edhe iniciativa ushtarake (një e tillë ishte ndihma logjistike ushtarake për Azerbajxhanin në konfliktin e vjeshtës me Armeninë) e kanë përfshirë shtetin hebre në rivalitetet komplekse gjeopolitike në rajone të ndryshme përreth Lindjes së Mesme, që të gjitha në funksion të perimetrit të sigurisë së tij kombëtar, duke vepruar në drejtim të reduktimit të influencës së aktorëve të fuqishëm të investuar në aleanca e skema të disfavorshme për të në Lindjen e Mesme.

Njohja zyrtare e Kosovës nga shteti i Izraelit bart në vetvete edhe një lloj ngarkese emocionale historike, e mishëruar në fjalët e Kryeministrit aktual të shtetit hebre, Benjamin Netanyahu, përpara një trupe profesionistësh që po niseshin për të ndihmuar Shqipërinë fill pas tërmetit të një viti më parë: “Ndihmën ia kemi detyrim një populli mik”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë