MENU
klinika

Problemet që sjell pushteti i pakontorlluar

Pse Putini nuk do të largohet kurrë?

23.02.2021 - 18:10

Nëse ai kishte ndërmend të largohej nga Kremlini para atentatit të Navalnyit, tani Vladimir Putin ka të ngjarë të mos gjejë asnjë rrugëdalje për veten e tij.
Vitin e kaluar Rusia mbajti një referendum mbi reformën kushtetuese, mbi dispozitat e të cilit regjimi kishte synuar të lejonte një tranzicion të rregullt për Vladimir Putinin në një moment në të ardhmen. Por reforma përfundoi duke qenë pak më shumë se një anulim i numrit të mandateve presidenciale që Putini mund të shërbejë. Ekspertët kanë shpjeguar një truk të tillë të dukshëm duke sugjeruar që presidenti nuk ishte i gatshëm të ishte një ‘rosë e çalë’ në sytë e shoqërisë dhe elitave politike disa vjet para përfundimit të mandatit të tij. Në të njëjtën kohë, shanset ishin që ai do të largohej pas vitit 2024. Ngjarjet e fundit në Rusi, ka shumë të ngjarë, tani të mos lënë asnjë alternativë ndaj sundimit të tij të pafund.

Në vetëm disa vjet, imazhi i Putinit në mesin e qytetarëve të Rusisë ka rënë nga një “udhëheqës i fortë, i drejtë kombëtar” në një person që lidhet me korrupsionin dhe dashurinë për luksin. Akuzat për përfshirjen e tij personale në vrasjen e tentuar të Alexei Navalny vitin e kaluar nuk i lënë asnjë shans për një të ardhme të sigurt post-presidenciale. Nuk ka gjasa që imuniteti i përjetshëm nga ndjekja penale në Rusi ose siguria e ofruar nga Shërbimi Federal i Mbrojtjes – ose, për shembull, një post simbolik në parlament – t’i japë atij një ndjenjë të sigurisë personale. Putini e di çmimin e sundimit të ligjit në vendin e tij si askush tjetër. Ai gjithashtu e di shumë mirë se ku mund të çojë humbja e mundësive reale.

Në kushte të tilla, një transferim i pushtetit edhe tek një nga ndjekësit më besnikë të Putinit është bërë jashtëzakonisht e pamundur. Çdo zëvendësim i tillë do të trashëgojë të njëjtat kompetenca të pakufizuara që gëzon tani presidenti i Rusisë, që do të thotë se ata përfundimisht mund t’i drejtohen paraardhësit të tyre. Përpjekja për të kontrolluar presidentin e ri do të ishte shumë e rrezikshme. Dmitri Medvedev jo karizmatik dhe besnik gjatë presidencës së tij të shkurtër periodikisht tregoi pavarësi të tepruar – dhe kjo ishte edhe ndërsa Putini ende kishte një mbështetje të jashtëzakonshme nga publiku dhe mbetet udhëheqësi i vërtetë në sytë e tyre.

Tani vlerësimi i Putinit është më e ulët dhe një grumbull historish të pakëndshme e shoqëron atë tashmë. Dhe ai nuk ka as burimet dhe as idetë e guximshme se si të rifitojë dashurinë e dikurshme të njerëzve për të. Prandaj, çdo pasardhës i Putinit herët a vonë do të tundohet të distancohet sa më shumë nga ai – që do të thotë se ata nuk do të jenë nën kontrollin ose ndikimin e tij.

Sistemi autoritar i mirëmbajtur i ruajtjes së pushtetit, i ndërtuar nga Putini, e ka kthyer krijuesin e tij në peng.

Por, edhe nëse supozojmë se Putini mund të sigurojë një garanci të hekurt për imunitetin dhe jetën e rehatshme në pension, kush do ta mbrojë atë nëse sistemi politik i Rusisë – ndoshta më i brishtë se sa duket – mundëson që kundërshtarët e tij ideologjikë të vijnë në pushtet?

Një vështrim në hapësirën post-Sovjetike zbulon shumë shembuj të udhëheqësve kombëtar dikur të dashur që përfundojnë pas hekurave. Në Kirgistan, Presidenti Almazbek Atambayev pranoi të transferonte pushtetin tek një bashkëpunëtor – dhe së shpejti u gjend në burg. Në Armeni, ish presidenti Robert Kocharian u arrestua pas revolucionit popullor të vitit 2018, edhe pse ai kishte lënë detyrën 10 vjet më parë.

Përpjekjet e tanishme të opozitës për të organizuar protesta të mëdha në rrugë në Rusi sigurisht që do të bëjnë që Putini të reflektojë për këtë. Për sa kohë që ai vetë kontrollon bllokun e pushtetit dhe nomenklaturën, ai mund të jetë i sigurt se, për hir të shpëtimit të tij, ai do të jetë në gjendje të përdorë absolutisht të gjitha burimet dhe të japë çdo urdhër që i pëlqen. Por kush e di se si do të sillet presidenti i ardhshëm në një situatë të tillë. Vetë ideja që fati i Putinit mund të qëndrojë në duart e njerëzve të tjerë do të jetë thellësisht e pakëndshme dhe e papranueshme për të.

Situata ndërkombëtare do ta shtyjë Putinin të qëndrojë. Ai mbahet rob nga iluzionet për një komplot botëror kundër Rusisë, për përpjekjet për të dobësuar vendin e tij ose edhe për ta copëtuar atë në pjesë. Përfundimisht, ky kthehet në një rreth vicioz. Së pari, autoritetet ruse e kanë bindur veten se ka armiq përreth. Ata pastaj fillojnë të sillen sikur vendet e tjera janë të gjithë armiq. Duke marrë një reagim të ashpër ndaj këtyre veprimeve, autoritetet ruse mendojnë se frika e tyre është konfirmuar: miqtë nuk do të vendosnin sanksione dhe armiqtë e vërtetë kanë nevojë për një përgjigje të ashpër.

Prandaj nuk ka asnjë perspektivë për përmirësim real në marrëdhëniet me Perëndimin në horizont. Dhe nuk ka gjasa që në kohë kaq të vështira për vendin, lideri kombëtar, të cilin Putini padyshim e konsideron veten të jetë, do të jetë i gatshëm të braktisë Rusinë. Kjo do të thotë që ai ka nevojë të qëndrojë dhe të shpëtojë mëmëdheun.

Sistemi autoritar i mirëmbajtur i ruajtjes së pushtetit, i ndërtuar nga Putini, e ka kthyer krijuesin e tij në peng. Siç u tha Princi i Vogël , “mbretërit nuk zotërojnë. Ata mbretërojnë.” Në këtë rast, mbreti nuk zotëron më as jetën e tij.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga Foreign Affairs/ F.H, Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dy vendet duhet të kenë një vizion largpamës...

Ku mund të bien dakord Putin dhe Biden?