MENU
klinika

Tri gra e pesë burra

Risitë që PD solli në drejtuesit politik të Tiranës

03.02.2021 - 09:54

Teksa e gjithë vëmendja ishte përqendruar te shtyllat e programit të PD-së, me të cilin do t’u ofrohet qytetarëve për t’u kërkuar votëbesimin, kreu i PD-së përcaktoi edhe drejtuesit politikë që do të kryesojnë fushatën në njësitë e kryeqytetit.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, i besoi ish-deputetes Grida Duma Bashkinë e Kavajës dhe atë të Rrogozhinës për të drejtuar ekipin elektoral.

Ish-deputetja Albana Vokshi do të jetë drejtuese politike në degën 9 dhe degën 11, ndërsa Jorida Tabaku do të jetë në krye të ekipit të PDsë në degët 2, 3 dhe 10.

Qarku i Tiranës është i vetmi ku kreu i selisë blu ka vendosur që t’ia besojë pjesërisht gjinisë femërore. Pra, Tirana është e vetmja që do të ketë drejtuese politike tri gra. Po për të siguruar një rezultat maksimale në zgjedhjet e 25 prillit, Lulzim Basha e ka ndarë përgjegjësinë drejtuese në 8 persona, ku përveç tri grave, do të ketë edhe 5 burra.

Pasi u la jashtë listës në zgjedhjet e 2017-ës, në listën e 25 prillit, kryetari i të rinjve demokratë është caktuar të jetë drejtues politik në 4 njësi zgjedhore. Po ashtu, në këto zgjedhje kryedemokrati Basha ka ngarkuar me përgjegjësi politike ish-zëvendësministrin e PD-së, i cili aktualisht është drejtor i fushatës së PD-së, Alfred Rrushajn.

Ndërkohë ish-deputetin e PD-së dhe të parin e listës në qytetin e Vlorës, Agron Shehajn, kryedemokrati Basha vendoi dje që ta sjellë në kryeqytet dhe të drejtojë fushatën në dy njësi, konkretisht në Njësinë 5 dhe 7.

Një tjetër figurë e fortë e selisë blu, Flamur Noka, është mandatuar nga kryedemokrati Basha që të jetë drejtues politik në Kamzë, Vorë dhe Paskuqan. Ndërsa Aldo Bumçi, nga Lezha ku ishte në zgjedhjet e kaluara, këtë herë do të jetë drejtues politik në tri degë në Tiranë, konkretisht në Njësinë 1, 12 dhe 14. Menjëherë pas Tiranës, kreu i PD-së caktoi drejtues qarku në Kukës Flamur Hoxhën, ndërsa mbetet ende pa drejtues politik vetëm Gjirokastra.