Në Shqipëri, diplomatët amerikanë dhe ata europianë po i shtojnë thirrjet ndaj partive politike për të mos kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme persona të inkriminuar.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, mori si shembull, që nuk duhet kandiduar, deputetin Tom Doshi, të cilit iu ndalua hyrja në SHBA. Studiues të politikës pohojnë se thirrjet e diplomatëve ndërkombëtarë po ndeshin në heshtjen e partive politike, të cilat sërish po përdorin në fushatë zgjedhore persona të inkriminuar.
Dy ditë pasi ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Juri Kim, kërkoi publikisht të mos kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit deputeti Tom Doshi, duke kujtuar vendimin e Departamentit të Shtetit, për t’i ndaluar hyrjen në SHBA, ai regjistroi në KQZ partinë socialdemokrate si subjekt zgjedhor me cilësinë e kryetarit të saj.
Studiuesi i jetës politike shqiptare, profesori Roland Lami, thotë se është për të ardhur keq që edhe për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit sërish nevojitet presioni i faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që atë nuk po e zbatojnë partitë dhe institucionet shtetërore.
Ai është skeptik për të ardhmen e afërt dhe nuk beson se njerëzit me rekore kriminale do të mbahen larg institucioneve demokratike.
“Po t’i referohesh heshtjes së liderëve kryesorë apo mënyrës si justifikohen karshi deklaratës së fortë të ambasadës amerikane, ajo të lë të kuptosh që ka mungesë vullneti dhe kjo mungesë vullneti nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm me interesat që kanë partitë politike në disa zona zgjedhore të përfshihen persona me të shkuar kriminale për të bërë të mundur sigurimin e disa mandatave të rëndësishme. Pra, pushteti duket më i rëndësishëm se sa kriteret ligjore, që kërkojnë të zgjidhen kandidatë cilësorë dhe me integritet” – tha zoti Lami.
Disa individë të partive të mëdha e të vogla, të përjashtuar nga zgjedhjet vendore si të inkriminuar, kanë marrë në dorë shtabet zgjedhore në zona të caktuara dhe me investimet apo paratë që zotërojnë mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve dhe në standartin e procesit zgjedhor.
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë që SHBA dhe BE po kërkojnë hapur që partitë të largojnë nga radhët e tyre persona të inkriminuar dhe të përfshirë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, por faktori ndërkombëtar po mbetet i vetmuar në këtë përpjekje, sepse partitë po refuzojnë ta bëjnë këtë ndërsa prokuroria, ILDKPI, KQZ nuk po ndërmarrin asnjë hap për të dekurajuar këta individë.
“Elementët e inkriminuar, të cilët mendohej që do të liheshin jashtë politikës, në fakt janë kthyer në garën elektorale dhe në radhët e partive politike. 3 nga 7 deputetë të tillë kërkojnë të kandidojnë në këto zgjedhje dhe kanë shpallur publikisht ambicjen e tyre. Ky është një sinjal i keq për politikën e pastër. Këta individë kanë blerë parti, kanë blerë media dhe janë shumë aktivë në nivele të larta të vendimmarrjes. Për shkak të sistemit të votimit, mandatet e tyre mund të përcaktojnë maxhorancat e ardhshme” – tha zoti Krasniqi.
Partitë politike po përfitojnë nga forca dhe pasuria e këtyre individëve të inkriminuar, duke i vendosur në krye të fushatave zgjedhore nëpër krahina të ndryshme, ndërkohë që ligji i dekriminalizimit kërkon që ata të mos kenë asnjë rol në vendimmarrjen publike.
Profesor Lami thotë se në Shqipëri varet nga vullneti dhe urdhëri i partive politike, dhe institucionet u binden këtij këti vullneti, duke mbyllur sytë për informacionet mbi inkriminimin e politikanëve, të cilat dihen botërisht.
“Të gjithë kanë një shkelje syri të ligjit dhe prandaj situata është këtu ku është. Nëse do t’ia faturojnë përgjegjësinë institucionet njëri tjetrit monitorimin e ligjit, dhe partitë politike të heqin dorë apo të lajnë duart, situata ka shumë gjasa të përsëritet sin ë parlamentin e kaluar” – tha zoti Lami.
Dekriminalizimi i qarqeve politike u kthye sërish në qendër të vëmendjes pas deklaratave të përsëritura të ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim, që në zgjedhje partitë nuk duhet të kandidojnë figura nga bota e krimit dhe korrupsionit por të sjellin të pastra dhe të besueshme për qytetarët.
“Thelbi i ligjit të dekriminalizimit është integriteti. Edhe mesazhet e ndërkombëtarëve flasin për integritet. Nuk po flasim për individë me procese gjyqësore të thjeshta korrupsioni. Po flasim për individë, për të cilët ka dyshime themelore, që janë përfshirë në akte korruptive dhe kriminale. Partitë politike kanë përgjegjësinë të sjellin persona me integritet, me standarte morale. Këtë e kanë premtuar në statutet e tyre, kanë ngritur struktura të verifikimit paraprak dhe kanë bërë premtim publik, që do të sjellin përfaqësuesit më të mirë” – tha zoti Krasniqi.
Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur përmes diplomatëve të tyre se do të vazhdojnë të përdorin të drejtën për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan zyrtarëve të korruptuar.
Një masë e tillë është marrë deri tani ndaj deputetit Tom Doshi, ish kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ish kryetarit socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ndërsa mbi 170 zyrtarëve të tjerë iu është refuzuar viza.
Edhe mesazhet e fundit janë pjesë e një përpjekje të vazhdueshme të diplomatëve amerikanë për dekriminalizimin e politikës shqiptare.