16.02.2021 - 16:40
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begat për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën të cilën presidenti Biden i ka dërguar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës.