MENU
klinika

Raporti i ILO: As në punë, as në shkollë!

“Shifrat e inaktivitetit të të rinjve në Shqipëri, shqetësuese”

02.02.2021 - 19:39

Shqipëria duhet të adresojë urgjentisht fenomenin e inaktivitetit tek të rinjtë – bën thirrje Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

ILO kërkon nga autoritetet që të trajtojnë më vëmendje këtë fenomen, pasi produktiviteti i të rinjve në moshë pune vendos bazat për zhvillimin e vendit në të ardhmen në të gjitha aspektet.

Institucioni ndërkombëtar që mbikëqyr çështjet e punësimit vë në dukje se sipas shifrave zyrtare që jep Shqipëria, 42% e gjithë fuqisë punëtore që ka vendi është aktualisht “e punësuar në bujqësi”, kryesisht në punë me aftësi të ulëta dhe me produktivitet të ulët.

Bujqësia është njëherazi burim i madh i informalitetit dhe punës pa pagesë. Sipas të dhënave të brendshme, në vitin 2019, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 26,6 përqind të të rinjve gjithsej.

Në këtë grup, 36,5 përqind janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (12,7 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (18,1 %) ose për arsye të tjera (32,7 %).

Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (45,3 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 28,9 %.

Për të nxitur punësimin tek të rinjtë ILO rekomandon një koordinim më efikas ndërmjet bizneseve të qëndrueshme që janë ofrues të punësimit, zyrave të punës dhe institucioneve të arsimit.

Anketimet rajonale të realizuara nga Banka Botërore kanë gjetur se, Shqipëria ka numrin më të lartë të firmave në vendet e Europës Juglindore (36%), që raportojnë se forca e punës nuk zotëron aftësitë që ato kërkojnë.

Ndërsa statistikat kombëtare të tregut të punës tregojnë se 14% të të punësuarve nuk u përputhet profesioni me arsimin. Shkaku kryesor i këtij çrregullimi mbetet mungesa e orientimit të rinjve me nevojat e tregut të punës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN