MENU
klinika

Plani i vaksinave nga COVAX

Shqipëria merr 141.600 doza të ‘AstraZeneca’! Pse Zvicra i mbylli derën?

04.02.2021 - 09:07

Mes kritikave të shumta për vonesa dhe pabarazi, programi ndërkombëtar COVAX ka publikuar të mërkurën planet fillestare për shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit për vendet që kanë aplikuar me kohë për ta marrë atë.

vaksina kosove astrazenecaShqipëria pritet të marrësi fillimisht 141 mijë e 600 doza të vaksinës “AstraZeneca”, një masë që pritet të mbulojë 3.3 për qind të popullsisë, skemë e njëjtë për të gjitha vendet. Qeveria shqiptare ka deklaruar se ka parapaguar 3.9 milionë euro për të siguruar në total 1 milion e 114 mijë doza përmes COVAX, ndonëse nuk i ka varur të gjitha shpresat te ky mekanizëm, pasi është përpjekur të ndjekë linja të tjera për sigurimin e lëngut të çmuar. Në planin e saj, COVAX shprehet se shpërndarja pritet të nisë në fund të muajit shkurt dhe se shumica e sasisë së rezervuar nga shtetet pjesë e saj do të jepen në tremujorin e dytë të vitit, periudha prill-qershor. Shqipëria është në grupin e vendeve që ka firmosur me COVAX, një nismë ndërkombëtare që synon të bashkojë burimet midis kombeve të pasura dhe të varfra, për të siguruar një qasje më të barabartë të vaksinave në të gjithë botën. Në parashikimet e shpërndarjeve të bëra gjatë muajit janar, COVAX pati parashikuar vonesa gjatë muajit shkurt për shkak të problemeve që mund të hasnin kompanitë farmaceutike me prodhimin.

BALLKANI

Në bazë të planit paraprak të COVAX, të gjithë vendet e Ballkanit do të marrin vaksinat “AstraZeneca”, nga 84 mijë të tilla që merr Mali i Zi deri në 345 mijë e 600 doza për Serbinë, e cila ka më shumë banorë. Programi ka si synim të mbulojë një përqindje të vogël të popullsisë së të gjitha vendeve. Në rajon, vetëm Serbia dhe Shqipëria e kanë nisur tanimë procesin e vaksinimit, duke anashkaluar mekanizmin e COVAX, i cili është kritikuar jo pak. Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina kanë mbetur në pritje të COVAX dhe marrëveshjeve direkte me kompaninë “Pfizer”, e cila nxori e para në treg një vaksinë që do t’i jepte fund pandemisë. Pjesë e programit ndërkombëtar të COVAX për shpërndarjen e barabartë të vaksinave janë bërë 190 vende, kryesisht me të ardhura të mesme dhe të ulëta, të cilat i janë bashkuar prillin e vitit të kaluar. Sipas tyre, deri në fund të vitit synohet të jepen 2.3 miliardë doza nga “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, përfshirë dhe 1.8 miliardë në vendet me të ardhura të ulëta, pa rënduar në xhepat e qeverive të tyre. Me një efikasitet 90%, ndryshe nga “Pfizer”-i që është më i vështirë për t’u administruar, “AstraZeneca” mund të ruhet në temperaturën e frigoriferëve normalë dhe kjo e bën edhe më të lehtë që të transportohet. Në shtetet me të ardhura të pakta, ku logjistika për shpërndarjen e vaksinave rivale paraqet sfidë më të madhe, avantazhi i vaksinës së “AstraZeneca” është çmimi i saj i lirë dhe shpërndarja më e shpejtë.

Zvicra i mbyll derën “AstraZeneca”: Nevojiten të dhëna shtesë për cilësinë

Zvicra nuk ka autorizuar vaksinën e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit, “AstraZeneca”, duke argumentuar se të dhënat e vëna në dispozicion nga kompania nuk ishin “të mjaftueshme për ta dhënë autorizimin”. “Për të marrë më shumë informacion rreth sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë, duhen të dhëna shtesë nga studime të reja. Të dhënat që kemi aktualisht të disponueshme nuk na çojnë drejt një vendimi pozitiv sa u përket benefiteve dhe rreziqeve. Për të marrë një vlerësim përfundimtar, aplikanti ndër të tjera do të duhet të paraqesë të dhëna shtesë të efikasitetit nga teste të fazës III që po zhvillohet në Amerikën e Veriut dhe Jugut dhe këto do të duhet të analizohen. Sapo të jenë marrë rezultatet, një autorizim i përkohshëm sipas procedurës mund të lëshohet në një njoftim shumë të shkurtër. Autoritetet zvicerane kanë deklaruar se të dhënat për vaksinën ‘AstraZeneca’ nuk janë të mjaftueshme për të dhënë dritën jeshile, për përdorimin e saj”, deklaruan autoritetet shëndetësore zvicerane. Ky është zhvillimi i fundit nga një vend i BE-së që miraton kufizime të tilla për këtë vaksinë, duke e justifikuar me efikasitetin e pamjaftueshëm të saj për të moshuarit. Sakaq, dy ditë më parë, Franca njoftoi se vaksina e “AstraZeneca” duhet t’u jepet vetëm personave nën 65 vjeç. Të njëjtën gjë kanë rekomanduar edhe Gjermania dhe Austria. Rregullatori i BE-së për barnat ka aprovuar vaksinën “Oxford-AstraZeneca” për të gjithë të rriturit, por i takon secilit anëtar të përcaktojë politikën e tij të përdorimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN